Ne udbashët!

Dy paranoja i lënë pa gjumë kosovarët: SHIK-u i Kadri Veselit dhe UDB-a jugosllave. S’ka debat, polemikë e ngatërresë pa këto dy vampirë. Nuk ka rëndësi se a flitet për ekonomi, politikë, kulturë apo bujqësi shiku dhe udba janë aty: Si zgjidhje, si formulat që «ndriçojnë» gjithçka. Ato veprojnë si lugetër besnikë në mendësinë e një vendi të pamësuar me lirinë.

Për «krahun e luftës», ozna dhe udba nuk paskan vepruar vetëm në kohën kur Kosovën e sundonte aparati shumetnik jugosllav nga Beogradi, por ato të ripagëzuara më shkurtesa të reja përdhunokan edhe sot e kësaj dite jetën e kosovarëve. Jo si dikur me agjentë sadistë, të veshur me pardesytë lëkurëzezë, nga Shumadia, Gjilani, Strumica apo Gjakova, por nëpërmjet vetë vendorëve ish-titistë që nuk duruakan dot lirinë pa ish-Jugosllavinë. E këta, udbashët, paskan parti të mëdha, gazeta, televizione, institucione, paskan shumëçka.

Ish-pacifistët deshkan ta vrasin historinë për t’i pranuar sot si e vetmja ushtri; para, gjatë dhe pas luftës me Serbinë. Misionin mirëpo ua sabotuaka SHIK-u. Dje duke ua eliminuar çdo dëshmitar të historisë, sot duke pengëzuar pushtetin që e vërteta të kalbet brenda së pandorës kuti. E këta po si ata, paskan parti të mëdha, gazeta, televizione, institucione, pra gjithçka.

Kështu shkuaka puna në Republikën e Korruptuar. Sipas këtyre dy krahëve, dy masave, dy mendësive që dominojnë polemiken shesheve dhe mediave llogaria e ka vetëm një barazim të mundshëm, atë që e tha i ndjeri kabaretist gjerman Wolfgang Gruner se: “Korrupsioni (shtetëror) është ujitja e moçaleve ekzistuese”. Po. Sepse ne, mediat, masat, operojmë më shumë me binomin udba-shiku se sa vetë politikanët. Ne nuk lejojmë që të flitet për ekologjinë, barazinë sociale, punësimin, dinjitetin njerëzor, solidaritetin, stabilitetin, shëndetësinë, arsimimin sepse çdo teme ia vëmë drynin me logot: udba-shiku. Pikë. Në këtë rast moçali janë mendësia, baza, turmat dhe jo vetëm reprezentantët e tyre që më mirë u vjen të flasin për histori se sa për mirëqenie, ekonomi, përgjegjësi.

Pse. Sepse përtej këtyre sagave pret realiteti; skamja, radikalizmat, institucionet e kriminalizuara, eksodi i grave dhe fëmijëve me autobusë (herë të shikut, herë të serbëve e herë të udbës), papunësia, shkollat pa dritare, me një fjalë pret liria cullak që nga acari dhe paranojat donë të ikë edhe vetë.

A nuk do të ishte më racionale që ta qepim të gjithë: le të merren komisione, historianë, shërbime, ekspertë, gjykata me udbashë e shikasë e ne të sigurojmë drunjtë për ta përballur – pa u katandisur sërish botës – dimrin e radhës, të madh! Apo pikërisht për këtë na shërbejnë paranojat: ta maskojmë paaftësinë tonë për liri e punë me histori, lugetër, legjenda dhe histeri, pa marrë parasysh se kështu matematika na jep vetëm një rezultat: të gjithë paskemi qenë dhe jemi udbashë.

Related

Letrat e First Husband-it 

Prindon Sadriu nuk e ka me tjerët. Ai vuan....

Homofilët, homofobët dhe deviatorët

Homofilët diskriminohen. Lufta e tyre është e arsyeshme dhe do ketë...

Forca enigmatike e një kulture

Është komplet e kuptueshme që njerëzit lodhen duke luftuar...

Kanti dhe imperativi i zvarranikut

Ti mund të jesh, arsyeja, vullneti i lirë dhe...

Metafora e «derrit të lumtur»

(Kushtuar derrave të lumtur të kulturosferës shqiptare: pushteteve politike,...