Edhe mediat në zë perëndimit transmetojnë statuse rrjetesh sociale me relevancë publike. Edhe ato raciste, përjashtuese, fyese. Por duke i gjykuar nëse dalin nga mendja e ndonjë personi me rol vendimmarrjeje ose ndikimi masiv në shoqëri.
Afërmendsh duke mos etabluar mesazhin destruktiv të facebookianit apo twitterotrojanit si titull, si material dhe qëndrim me të cilin identifikohet edhe media. Tek mediat e Kosovës është ndryshe. Më shumë jo se janë raciste, fyese, porse nuk mendojnë gjatë, profesionalisht kur plasojnë frustrimet e individëve – kryesisht pa reputacionin e duhur! Dhe jo vetëm kaq. Jo vetëm portalet janë degraduar në pasqyrë të një banaliteti të egër komunikimi, syresh që Evropës perëndimore ushqenin (bulevardesket) masat deri në fillim të viteve të 90 e tashmë janë muze, por edhe mediat me përgjegjësi ndaj taksapaguesve ekspozojnë «analistë» që duken si biologë të disiplinës së fekalistikës, urologjisë apo ndonjë drejtimi të sojit.
Jemi konservativ? Kemi keqkuptuar rëndësinë e fjalës së lirë, në të cilën thirren sajuesit e mediave të tilla, të cilat saherë i kritikon ulërijnë në emër të saj? Në këtë drejtim jo vetëm ekspertët, analistët e medieve por edhe vetë ish të tillat mund t’ia nisnin këngës për të mos e ndalur kurrë!
Deri në fund të viteve të 80-ta njëri nga atraktorët kryesor për shitjen e gazetës «Blick» dhe simotrës së saj «Bild» ishin pjesët seksualorevolucionare të tyre. U printe një megafotografi femre nudo, të cilën sidomos ndërtimtarët, kanalopunuesit, gastarbajterët e shkoqnin dhe e ngjitnin mureve, barakave ku banonin, buldozerëve dhe kasetave ku mbyllnin teshat dhe personaliet. Atraktori tjetër eminent ishin titujt e mëdhenj, tekstpakë, sugjerues, nxitës, kontrovers. Ato vazhdojnë – me një reduktim të dukshëm të banalitetit – të jenë të tilla, mirëpo në rënie e sipër dhe ka dekada tashmë që nuk citohen e as merren seriozisht nga askush, e nga lexuesit e tyre edhe më hiç. Kjo përtokje e mediave të llojit ndodhi sidomos pas studimeve të shumta dhe PISA anketave, të cilat nxorën në shesh një defekt masiv të gjeneratave të reja: ata lexojnë vetëm tituj dhe atë përgjysmë; lexojnë si në klasën e parë dhe në përditshmëri operojnë me kode oridnere komunikimi, të cilat burimin e kanë pikërisht nga mediat private. Lokalizimi i burimit u bë më faktik veçanërisht për shkak edhe të kësaj evidence: Jo si në Angli, Gjermani, Zvicër doli gjendja në Francë dhe në shoqëritë ku mungon «kultura» e një entertainment-i të tillë agresiv. Mediologjia, Shkencat e Komunikimit, Sociolinguistika këtë tashmë e kanë shpjegim standard.
Mediat sadopak të jenë të konsumuara mbeten fabrika kodesh, sjelljes, idolesh që multiplikohen rrjetëzueshëm brenda masave. Mentaliteti shqiptar veçse e përforcon dhe intensifikon edhe më shumë këtë riprodhim zinxhiror të informatës. Përqindja më e madhe e masës është e një niveli që konsumon në mënyrë afektive (jo analitike). Ky raport njihet sidomos tek gjeneratat e reja dhe shtresat që nuk e kanë kap shkollimin sa duhet. Mos të flasim më për ata që për arsye të interesave apo gjendjes së zymtë personale ushqehen me negativitete vetëçliruese. Duke u nisur nga perspektiva e këtyre shtresave si do të ndikonte një artikull (një shembull shumë më i druajtur se sa gjuha e disa portaleve) i këtillë: «Titulli: Edi Rama këshillon Kosovën të pajtohet me serbët. Teksti: Rama qëmoti kur bëhet fjalë për serbët psh… e alivanoset nga dobësia. Këtë e ka dëshmuar duke ia dhënë çelësin e kryeqytetit një rokeri serb, duke ftuar edhe të tjerë që kanë luftuar Kosovën siç bën Klani…». Teksti sugjeron (pasi Rama është kryeministër) që Shqiptarët e Shqipërisë (Qeveria + Mediat si reprezentantë) i duan më shumë serbët se shqiptarët, se Rama është i dobët karshi serbëve saqë edhe … Tash vihemi në pozitën e kategorive të përfolura lartë dhe flasim si ata: „Phu nënën e Shqipërisë tradhtare. Gjithmonë kështu kanë qenë kta. Serbët ato …. Edi Rama bir shkine…». Racizëm, urrejtje ndaj medieve dhe shtetit shqiptar. Me të njejtin fjalor del konsumatori i medias në rrugë, në shkollë, në shoqëri. Thamë ky është rasti që nuk i përshkon realitetit sepse ai është më brutal.
Konsumatori përfiton seks, brutalitet, gjuhë ordinere, gjuhë dialektesh (që në fakt s’janë as të tilla, por një përzierje anatyrore nga ana e folësit) dhe informata që racionalisht nuk i konsumon për tu informuar por për tu shfryer. Tjerat – printmediat që ruajnë kulturën e gjuhës dhe profesionit – kushtojnë plus dhe në një shoqëri kryesisht skamnorësh kjo do të thotë rithellim mizeries kulturore, gjuhësore, vepruese të masave drejt egërsimit. Si të zgjidhet ky problem?
Jo me cenzurë, por me mbrojtje të fjalës së lirë nga përdhunimi, përdhosja, brutaliteti dhe shndërrimi i saj në pervertuese të kulturës së shoqërisë. Jo pakë media janë zhytur procesit të parafilisë së frymës dhe gjuhës. Ato i përngjajnë një konsorciumi që për klikime janë në gjendje jo gjuhën por edhe humanitetin ta shndërrojnë në zombi sado-akrobatësh që botën mund ta përshkruajnë vetëm nëpërmjet kodeve të fekalistikës, gjeografinë planetare ta sugjerojnë të përfunduar brenda kontureve të prapanicës së Shkëndije Mujës apo zogut të Tunës. Problemi ka përballë dy alternativa: Shteti ndërhynë me një ligj për gjuhën dhe standardet për mediat publike ose shoqëria civile (institucionet e arsimit, etj.) organizojnë një front për ruajtjen e masave nga perversioni. Nga mediat e tilla vetë nuk besojmë se duhet pritur ta nderojnë stilin, për këtë nuk kanë as mundësi financiare por si duket parasëgjithash as edhe vullnet.