Zhbogar dje tha: “Puna ime është të nxisë udhëheqësit politikë që kanë marrë përgjegjësi nga vota e popullit që ta zgjidhin ngërçin. Në mbështesim përpjekjet e Jahjagës që t’i shtyjë ata rreth një marrëveshje. Koha po kalon por ne nuk mund që ta kryejmë punën e liderëve».
Përfaqësuesi i BE alarmon të kalojë koha. Për çka? Ndoshta kësaj duhet t’i japin përgjigje liderët e partive që kanë marrë votat e elektoratit për të bërë shtetin e jo për ta sabotuar atë. Për këtë, ashtu siç thotë Zhbogar me të drejtë kanë marrë përgjegjësi. Më kryesorja mirëpo është: Le të thonë se në cilat segmente humbë Kosova në këtë gjendje?
Poashtu interesant në këtë deklaratë rezulton se askush nga perëndimorët – ose të rrallë – nuk përmendin përsëritjen e zgjedhjeve si opsion të mundshëm për t’i ikur bllokadës. Përkundër faktit se «supervizorët» e Kosovës vetëm këtë kartë kanë të drejtë ta luajnë, duke vënë nën presion Jahjagën që të marrë vendime. Çdo gjë tjetër do të ishte ndërhyrje direkte në demokraci që do ta bënte vendin satelit që nuk funksionoka ndryshe dhe vetëm me delegimin e detyrueshëm nga jashtë, atyre dy blloqeve, që zor se do të binin në ujdi (BE – SHBA) dhe do të pësonin edhe vetë krizë.
As shumica e liderëve shqiptarë nuk janë për zgjedhje. Për çka atëherë kur as marrëveshja e bllokut nuk është ilaçi që zgjodhi krizën? Ashtu siç potencoi dje edhe portali «Blic», blloku deri tani përveç betimit formësllogani «nuk duam me PDK» nuk sjell asnjë alternativë tjetër, me të cilën do të ishte krijuar një bazë zbutjeje të partisë me më së shumti vota në vend. Nuk duan zgjidhje (ndryshe) e as zgjedhje. Çka duan atëherë liderët e bllokut? Ku donë ta çojë vendin PDK me këtë stil, poaq të pafrytshëm sa konkurrenca, sepse asgjë nuk bën publike se në cilat variante do të pranonte të koekzistojë me rrethanat e reja politike.
Ndërkombëtarët në Prishtinë do ta kishin përshëndetur çdo marrëveshje, në të gjitha variantet dhe mundësisht pa VV-në. Po edhe të inkuadrohej (si në bllok) «Vetëvendosja» e Kurtit ndërkombëtarët do të detyroheshin ta pranojnë rezultatin demokratik të votës kosovare. Ashtu siç do të detyrohet sot a nesër blloku ta përtypë faktin dhe të mos e përjashtojë në formë infantile partinë që në fair-play fitoi copën më të madhe të votës kosovare. Përndryshe o kriza do të vazhdojë, Kosova do të humb dhe gjendja do të eskalojë o ndërkombëtarët do të detyrohen të bëjnë ultimatumin; të bëhet reforma zgjedhore dhe të shkohet urgjentisht në zgjedhje përndryshe ikëm. Gjithë skenarët tashmë zverdhen mureve nga duhani ose bjerrakohëja.
Të spekulojmë sikur të gjitha palët të mbeten në pozitat e tyre dhe pranojnë të bëhen zgjedhjet pa u bë reforma paraprake. Pas disa muajsh do ta kemi të njëjtën ngërç, me të njëjtët akterë dhe me situatë edhe më të ndërlikuar të Kosovës brenda e ndërkombëtarisht, ekonomikisht e mos të flasim më për thellimin e skamjes, pasigurisë e të tjera. Liderëve mirëpo as fytyrë nuk iu ka mbetur të ulen bashkë pas gjithë atyre akuzave, sharjeve, betimeve dhe të ndryshojnë marrëveshjet që i ruajnë sikur t’i kishte gravuar me flakë ndonjë Zot e jo se janë letra që as vetë tashmë nuk duan t’i rilexojnë.
Ndërkombëtarët nuk vizatojnë receta. As mediat. Rrogën për këtë e marrin ata, të zgjedhurit dhe tashmë elektorati me siguri ua numëron minutat për tu përbetuar që mos u japë kurrë më votë. Për çka? Për ta bllokuar shtetin nga padija dhe paaftësia, nga kokëfortësia tipike ballkanike. Të pritet thonë ca eksponentë- edhe sa? Dhe parasëgjithash pse? Le të mbahen zgjedhjet me një marrëveshje të re, le të bëhen zgjedhje, le të bëhen marrëveshje të reja, dikush do të marrë pushtetin vetëm një gjë do të mbetet e sigurt: këto parti nuk meritojnë mbajnë shtet! Se atë e konceptojnë vetëm sa një karrige ku mund të ulen vetë!