Kush i vrau shkollat shqipe në Maqedoni? Shteti, pushteti? Po edhe ata, mirëpo atentatorët kryesorë të sistemit arsimor atje janë vetë shqiptarët. Teza dhe fakte!
MAQEDONI / Më shumë se viktimë e tjerëve shqiptarët e Maqedonisë janë viktimë e vetvetes. Në shumë sfera të organizimit dhe veprimit të tyre shoqëror sillen ashtu sikur mezi presin t’i diskriminojë a bllokojë dikush. Ndoshta për të pasur një adresë ku ta hedhin fajin. Këtë tezë nuk e materializon asgjë mëfakteplotë se sa dështimi i shkollave; nxënësit ikin jo patjetër nga mësimi por nga dimri (fshatrat e Pollogut) dhe mësuesit që defilojnë korridoreve me iphonët e tyre të klonuar kinezë. Pedagogët rrallë i takon nëpër klasa e sigurt i lokalizon duke facebook-uar ndërmjet veti edhe pse përballë njëri tjetrit e pranë koftorit që bubullon nga flakët. Drejtorët e shkollave ndërrohen saherë që partia politike në pushtet ta shpërblejë ndonjë aktivist të vetin. Universitetet janë shndërruar në salla parapërgatitore për të falur namazin e drekës, ato shërbejnë si second-hand-shop diplomash e notash dhe si fabrika absolventësh që në asnjërën nga gjuhët e vendit nuk janë në gjendje ta bëjnë qoftë edhe një fjali që nuk ta shpif leximin. Gjimnazeve, që dikur luftonin me skandalet e profesorëve hamshorë që nuk i lenin qetë vajzat e bukura, sot është instaluar një personel mësimdhënës i cili imoralitetin e konsideron të keqen më të vogël, madje edhe zbavitëse, sepse aty, në gjimnazet e shqiptarëve mund të bëhet shumëçka tjetër por sigurisht jo përhapje dijeje.
E teprojmë? Jo.
FAKTET – Në rankinglistën botërore për cilësinë e Universiteteve USHT gjendet në vendin 9.304 e ai UEJL (i njohur me nofkën „Universiteti i Shtulit“) i 10.894-ti. Universiteti „Shën Kirili dhe Metodi“ në vendin e 1878 të po kësaj ranking-liste (Koha, 6. gusht 2013). Në listën e gjimnazeve dhe shkollave të mesme më të mira të vendit ato shqiptare nisin çalueshëm të hynë në listë nga vendi i 19, 26, 29 e për të përfunduar në fund me një notë mesatare 3.7 (Po aty). Universitetet dhe institutet simotra të perëndimit mund t’i bindësh që të falin ndonjë kompjuter në shkollat shqipe, mirëpo nuk i bind dot të bashkëpunojnë në fushë të shkencës apo këmbimit të studimeve, thjeshtë sepse të fundit mungojnë. Përderisa Universiteti i Prishtinës (në rankinglistë më i miri shqiptar në pozitën 4416), përkundër gjitha problemeve (ndoshta edhe pikërisht për shkak të vetangazhimit të studentëve dhe shoqërisë civile për ecje përpara) përmirëson pozitën Universitetet tjera ecin tamtamshëm fundit të listave dhe të botës. Dhe më të drejtë, po kjo gazetë në numrin e saj të 5 gushtit 2013 do ta plasojë titullin „Universitetet shqiptare turp i botës“ që dhemb e djeg, por që është realiteti. Fatkeqësisht.
ORIGJINA E PROBLEMIT – Në ish Jugosllavi edhe pse shumica e pedagogëve ishin të normales dhe më vonë disa prej tyre siguronin diplomat e „profesorit“ me një thes grosh te Pjetër Janura në Shkup ose falë kurseve që absolvonin në Kumrovec tek shkolla e Titos, mësimi, në kuadër të doktrinës shtetërore megjithatë ishte serioz dhe bazë e një arsimimi modest që nga fillorja e deri në Universitet. Madje pas viteve të 80-ta e deri me rënien e monizmit në shkollat shqiptare u integrua një sistem paralel mësimi; nga njëra anë ligjërohej ajo që kërkonte sistemi e nga ana tjetër në shumicën e shkollave dhe gjimnazeve (Tetovë, Strugë, Kumanovë), pedagogët sajonin plane e orë interaktive ku intensivisht përhapej vetëdija antidiskriminimit, përfolej historia dhe gjuha shqipe dhe sensibilizohej e drejta e shqiptarëve për mos qenë qytetarët e rendit të dytë. Dhe gjitha këto të motivuara nga maksima: shqiptarët e Maqedonisë i shpëton parasëgjithash arsimimi, intelektualiteti, shkolla.
ÇKA NDODHI – Në Maqedoni – si tek shumica e vendeve postsocialiste – me pluralizmin politik nuk nisi procesi i transicionit të dëshiruar, por më shumë shpërtheu dasma etnofolklorike. Frustracionet nacionaliste të agreguara për dekada për shkak të diskriminimit, plasën jo në dëm të atij sistemi që si ashtu iku, por më shumë ishte një luftë hakmarrjeje interne. Të gjithë të komoduarit e sistemit të vjetër – pas asnjë selektim racional – u stampuan si spiunë, tradhtarë, komunistë e çka jo tjetër. Pasi që pedagogët ishin në vijën e parë të këtij fronti (sepse bartnin edhe funksione tjera shoqërore – shumica prej tyre) ata e pësuan më së shumti. Pjesa dërmuese padrejtësisht. Si në asnjë shtresë tjetër depresioni, inflacioni, vegjetimi dhe izolimi mori dhénë pikërisht ndër pedagogë. Kjo fazë ishte eutanazike për shkollën shqipe, sepse u „linçua“ një strukturë pa pasur kuadro zëvendësimi. Vendet e tyre i zunë gjysmanalfabetë politikë, militantë turbopatriotë pa asnjë sens didaktike apo kapitali ligjërues.
SI ËSHTË SOT – Frytet e kësaj aventure janë bërë sistemi vetë. Shikuar e krahasuar me vendet tjera të rajonit, shkollat shqiptare të Maqedonisë janë për nga rezultatet më të dobëtat, më të dërmuarat. Dhe njëkohësisht më të heshturat, ato dhe shoqëria e tyre civile. Asnjëra nga partitë politike deri sot nuk bëri diçka konkrete në këtë sferë. Përkundrazi: ato deklasuan edhe më tepër institucionet e arsimit duke i përdorur edhe si çerdhe për socializimin e militantëve të tyre dhe atë që nga kamarieri i bufesë e deri tek rektori. Akuza, spekulimi që thotë se partitë shqiptare në këto vise, po si të gjitha doktrinat, ideologjitë tjera njëkahëshe, manipulative nuk janë të interesuara në masa të shkolluara del të jetë shpjegimi më koherent dhe logjik, çdo spekulim tjetër do të kapte zonat e krimit me paramendim.
Është fare lehtë që për çdo dështim t’ia mësyjmë portretit të Gruevskit (edhe pse me të drejtë) apo shtetit etnokratik, mirëpo këtu para se shqiptarët e Maqedonisë të mallkojnë tjerët nuk do të ishte keq që të bëhen të sinqertë dhe të pranojnë fajin duke kërkuar arsyet se pse janë më të këqijtë e rajonit në shkollë. Sa të vetëdijesohen për këtë atëherë do të shohin se veprimi, reformimi i arsimit është njëra nga urgjencat më akute.
Legjenda
Shkollë fillore në Zdunjë, 1943 / fshat ku sot flitet vetëm turqishtja