ULTIMA RATIO III / Si erdhën religjionet tek shqiptarët? Dy pseudoparadigma mbizotërojnë opinionet: njëra palë thotë se religjionet u imponuan dhunshëm e brutalisht, tjetra beson se Zoti (njëri prej tyre) pasi eroj e shpëtoi gjitha racat e turmat orientit u përball me kontestin: t’i fuste shqiptarët tok me kafshët në kopenë e të pafeve apo t’i pneumonte edhe ata me shpirtin e shenjtë? Dhe për fatin e mirë apo të keq të shqiptarëve do prej tyre i fryu, të tjerëve, kokëfortëve ua dërgoi ca barbarë e «kanibalë» që t’i lakojnë drejt Jerusalemit, Mekës apo Vatikanit. Kështu shpjegohet popullorçe publicistikës bjerraditëse shqiptare ardhja e religjioneve Ballkanit e botës. Cergurina areale, ashkencore?
FAKTET – Së paku që me pagëzimin e trakasit nga Dacia mediterranea e prefekturës së Illyricum-it Petrus Sabbatius, alias Justinian si perandor më 1 janar 528, disponojmë me tonelata fakte që flasin për gjenocide fizike dhe kulturore në favor të përhapjeve së religjioneve. Që me firmosjen e dekretit të parë justinianik, i cili shpalli perandorinë të krishterë dhe kërkoi nga çdo banues ta mësonte përmendsh dhe ta zbatonte codex Iustinianus –in, nisin fushatat gjenocide ndaj paganëve, heretikëve, heterodoksëve dhe gjithë atyre që refuzonin krishterimin dhe perandorin si ek theou (zëvendësim i Zotit në Tokë).
Së paku prej shekullit VII e këndej, prej kur shpatat e kalifëve Umar ibn al-Kattab dhe Utman ibn Affan shndërruan orientin (Sipas emërimeve të sotme: Irakun, Syrinë, Palestinën, Egjiptin dhe Iranin ) në thertore njerëzish e kulturash nuk mund ta ndajmë historinë e përhapjes së religjioneve nga ajo e dhunës dhe krimit. Kjo mënyrë përhapjeje, lufte e eksploatimi vazhdoi deri para instalimit të shekullarizimit që e pollën Revolucioni francez dhe Socializmi. Këto janë faktet. Ky është realiteti historik.
SHQIPTARËT – Ilirët e më vonë shqiptarët historikisht nuk përbëjnë taborin e të kursyerve nga dhuna religjioze. Religjionet e sotme abrahamite ndër shqiptarë janë finale e kësaj historie. Mbase qëndron teza se inteligjencia religjioze brenda debatit aktual ndërshqiptar qëllimisht përpiqet ta fshijë nga kujtesa dhunën historike të feve sepse curriculumi i tyre (feve) ose është plotësisht në kundërshtim me atë çka besojnë ose sepse mënyrat e përhapjes së dikurshme demaskojnë strategjitë e sotme të tyre. Përderisa të krishterët e bëjnë mohimin për shkak të kundërshtisë totale të historisë luftarake me «dhjetë urdhëresat» (aseret ha-dibberot ose deka – logos) e Moisiut dhe «Predikimit në mal» (Mt. 5–7), myslimanët që akuzohen të «egër» dhe «terrorist» përpiqen me çdo kusht të instalojnë imazhin e paqësorëve.
Në këtë sqarim mund të identifikohet edhe esencialiteti i polemikës shqip, respektivisht arsyeja se pse ajo ec në këto dy linja: A) Krishterimi ndër shqiptarë është përhapur qysh në kohën e ecejakeve të Palit Ballkanit e jo me ndëshkime. Krishterimi i ka shpëtuar shqiptarët si identitet dhe kulturë nga sundimi shumëshekullor osmano-islam dhe B) Përhapja e besimit muhamedan ndër shqiptarë është bërë ndërmjet kolonisë ose klanit tregtar mekan Mahzūm që operonte nga Sheva (Shoa) amariko-etiopike e jo me shpata. Islami shpëtoi shqiptarët nga sllavizimi.
ANALIZA – A) Ka mbishkrime e kronika antike që dokumentojnë krijimin e komunave të krishtera ndër ilirë. Mirëpo ato nuk mjaftojnë për të përkrahur tezën e konvertimit me dëshirë të masave. E kundërta ta mbushë bibliotekën me fakte: Përhapja masive e krishterimit vendbanimeve ku lokalizohen ilirët ndodhë më vënien si kushte ekzistence pranimin e religjionit perandorak dhe organizimin në kisha. As në kronikat e Shevës e asnjëherë më vonë (kronikat osmane) nuk gjejmë indikacione për asimilime pa dhunë. Çka gjejmë janë deplacimet e familjeve të «tregtarëve ambasadorë» qendrave të Ballkanit, kryesisht «administratorë» të përkohshëm. Padyshim se ka ndonjë që nga «qejfi» ka pranuar ndonjë nga fetë, mirëpo ato nuk kanë asnjë vlerë relevante historike në procesin e asimilimit masiv të popujve të Ballkanit.
B) Është fakt që nuk kontestohet se rezistenca kryesore antiosmane është organizuar e udhëhequr nga klerikët katolikë shqiptarë që nga mesjeta e deri në Kongresin e Alfabetit në Manastir; është e mëdukshme se i gjithë arsenali faktik e historik kulturor shqiptar nga mesjeta e deri në Rilindje ruhet e zhvillohet nga po të njëjtët ashtu siç është i pakontestueshëm fakti se kultura shqiptare (artet dhe «shkencat») janë produkt i kësaj tradite. Fakt është gjithashtu se klerikët e Rilindjes nuk kanë vepruar të organizuar për interes të fesë, por janë udhëhequr nga doktrina e tyre shqiptariste Se cili është roli i Islamit, respektivisht myslimanëve në mbrojtjen e shqiptarëve nga asimilimi sllav – në kollumnën e radhës!