Transicioni në Kosovë nuk do të mbarojë ndonjëherë, sepse ai as që ka filluar. Një përpjekje për të përshkruar anatominë e demokracisë kosovare, e cila rri stoikisht në listën e shteteve joliberale dhe të deleguara.
Një studim i universitetit evropian “Viadrina” të Frankfurtit (2001) konstatoi se në vendet passocialiste dështoi instalimi i demokracisë si formë qeverisjeje. Në fakt ky studim është një sintezë e studimeve të politologut argjentinas në Universitetin e Notre Dame, Guillermo O’Donnell (Baltimore 1993), i cili më herët bëri kategorizimin e demokracive në defektuoze, joliberale, delegative dhe të konsoliduara. Shumica e shteteve ballkanike nuk ka vend në hierarkinë e sistemeve të konsoliduara shtetërore. Kosova edhe më hiç.Që nga plasimi i kategorizimeve nga O’Donnell e më vonë të mbështetura e të përhapura edhe nga politologu harvardian dhe redaktori aktual i CNN, Fareed Rafiq Zakaria, debati nuk ka të ndalur. Tri paradigmat kryesore polemizojnë rreth çështjes së lokalizimit të fajtorit për këtë dështim. E para na thotë se fajin e ka mentaliteti eurocentrik i “The West and the Rest” (Stuart Hall: 1994) e dyta ngul këmbë në paaftësinë e elitave passocialiste për të vënë në lëvizje procesion e transicionit dhe e treta sugjeron ekskluzionin duke u përpjekur të bindë botën se kultura e mentalitete të caktuara nuk janë dhe nuk do të bëhen kompatibël me demokracinë liberale për arsye se refuzojnë të përpijnë idealet e projektit iluminist.
Eurocentrizmi dhe demokracia e SMS-ve
Pse të gjitha studimet unisono thonë se transicioni në Ballkan, respektivisht në Kosovë, nuk ka mbaruar, sepse ai as që ka filluar. Kjo tezë që së fundi u plasua nga profesori italo-zviceran Christian Giordano (2011) bazohet në teoritë e socioetnologëve dhe historianëve si Pierre Bourdieu, Norbert Elias, Clifford Geertz dhe Reinhardt Koselleck. Baza empirike e këtyre shkencëtarëve nis nga paradigma kundër eurocentrizmit dhe dështimin e transicionit e lokalizon decidivisht tek mendjemadhësia dhe paaftësia e organizatave supranacionale perëndimore, të cilat dërgojnë “instruktorët e tyre të demokracisë” nëpër vende pa pasur fije lidhjeje mbi “habitusin shoqëror” (Bordieu) të atyre popujve, duke mos përfillur fare “traditat sociale dhe lokale” (Elias) të kulturave vendëse dhe duke injoruar në mënyrë eklatante “dimensionin e përvojës historike”(Koselleck) si akrep shoqëror të elitave. Kjo tezë e Giordanos që bazohet në teoritë deskriptive të autorëve lart qëndron!
Një pjesë e konsiderueshme e instruktorëve të dërguar që do të ndihmonin në instalimin e demokracisë në Kosovë vinin nga vende ku demokracia as që ka prekur pragun (OKB) ose pjesa kryesore dhe më relevante ishin sish instruktorësh që ngritjen e institucioneve kapitale të shtetit e delegonin nga kafenetë nëpërmjet SMS-ave, që konfirmon djegshëm kulmin e arrogancës së motivuar nga ajo mendësia “The West and the Rest” e Hall-it.
Defekti i eksportuar
“Teoria e elaboruar lart është e njëanshme dhe euforike” (Nolte, Paul: 2012), kështu diskualifikojnë studimet më të reja ato pararendëse. Të njëjtin konstatim e manifestojnë zëshëm e vazhdimisht edhe analizat e OJQ-ve dhe instituteve ndërkombëtare që merren me monitoringun e zhvillimeve politike në Kosovë. Kjo për arsye se analizat si ajo e Giordanos me gjithë synimin pozitiv për të argumentuar se shtetet passocialiste me një shpejtësi marramendëse dhe në mënyrë të vetë modernizohen dhe ecin përpara, ajo mohon, hesht defektet e brendshme, të cilat madje as që kanë të bëjnë me inkompatibilitetin e kulturave dhe identiteteve dhe as me mospërpirjen e idealeve të iluminizmit evropian – siç përpiqen të na bindin ca profesorë eurocentrikë që me dekada nuk kanë dalë nga bodrumet e pluhurosura të universiteteve ku ligjërojnë. Teza e inkompatibilitetit mund të qëndrojë për shoqëritë të cilat parimisht nuk pranojnë demokracinë si model qeverisjeje dhe si pasojë Perëndimi përdor mjete edhe jodemokratike për të instaluar rendin atje. Kjo tezë ama nuk qëndron assesi për shtetet, masat e të cilave, madje jo rrallë edhe në mënyrë ekstazike, demonstrojnë vullnetin e tyre për rend ligjor, të drejta dhe atë formë qeverisjeje që sundon vendet kyçe të Evropës së ngushtë. Përkundër ca grupeve minore që besojnë në zotat e tyre etnokratikë ose religjiozë, shumica e kosovarëve vuan pas një shteti të tillë siç e kanë njoftuar nëpërmjet migrimeve të fundit të tyre.
Defektet e brendshme që i listojnë OJQ-të dhe institute të tjera serioze të cilat katapultojnë shoqërinë kosovare si të paaftë për instalimin e njëmendë të qeverisjes demokratike dhe të shtetit ligjor, pra nuk kanë të bëjnë me vullnetin e masës, as me kulturën e tyre, por me strukturat pushtetare e sidomos me “elitën” komanduese të atyre strukturave. Pse?
Matematika e shtabeve zgjedhore
Rasti i zgjedhjeve të fundit në Maqedoni mund të merret si shembull tipik i defektit kryesor që në shumicën e shoqërive ballkanike saboton idealin për instalimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Para se të mbahen zgjedhjet disa media publikuan “rekomandimet” drejtuar familjeve me njerëz të punësuar në vendet publike që të votojnë partinë në pushtet, pra atë të Gruevskit. Mesazhi: përndryshe s’ka punë për të afërmin, i cili ishte bukëdhënësi i vetëm i gjithë familjes e në raste edhe më dramatike edhe të fisit. Në këtë rast dolën letrat në sipërfaqe, mirëpo ato nuk ndikuan fare që qeveria e Gruevskit ta marrë pushtetin. Kjo është e dukshmja, ndërsa e padukshmja e këtij sistemi, që gjithë e dinë dhe përjetojnë, kalon kufijtë e një drame që vazhdimisht do të na shtynte të qajmë.
Kërcënimi i lartë i evidencuar ishte i kalkuluar mirë matematikisht.
Si ndodh te ne? Cila është metoda jonë e sigurimit të elektoratit për të fituar apo për të mbetur në pushtet? Dalin partitë me programe sociale, ekonomike e politike dhe me muaj përpiqen që sa më thjesht e konkretisht t’ia deklamojnë masës ato për të bindur atë se pse duhet të votojnë për atë ose për këtë parti? Jo, asgjë nga kjo punë. Partitë ulërijnë me parulla etnofolklorike dhe premtime boshe, me të cilat masat janë ngopur qëmoti? Atëherë pse fiton kjo ose ajo parti?
Manipulimi permanent me elektoratin
Sipas raportit të një diplomati zviceran qeverisë së vet, pas shërbimit më se njëvjeçar në Kosovë dhe i cili në fund ndoqi edhe zgjedhjet e fundit në Kosovë, kjo qenka strategjia e partive kryesore në Kosovë se si rekrutojnë elektoratin:
Puna me masat: Fillimisht krijohen listat e të privilegjuarve nga pushteti; qoftë të atyre me pozita nëpër vende publike apo qoftë të atyre që kanë përfituar nga tenderët, lejet për biznese e të ngjashme. Pastaj bëhen listat e “patriarkëve” ende të pakorruptuar dhe me ndikim në fshatrat ku jetojnë. Në “odë të burrave” flasin të deleguarit me t’parin e fisit për lavditë e shkuara dhe planet qëllimmira të partisë ose pushtetit. Në katër sy beson edhe shqiptari zemërgur. E sidomos ai që ka vajzën apo djalin në studime e që punët materiale i ka mozomakeq. Premtohen poste nëpër përfaqësitë diplomatike e deri edhe traktorë e lopë.
Puna me mediat: Gazetarët e infiltruar në interes të asaj apo kësaj partie janë argatët më të vyeshëm, sepse këta merren me “listat negative” të partive. Me lista negative nënkuptohen ato personalitete e “patriarkë” me ndikim, mirëpo që janë në taborin e gabuar. E pasi që secila parti përdor të njëjtën metodë rekrutimi, materiali komprometues për njërin apo tjetrin sigurohet fare lehtë. Ky segment është më efektiv sesa komentet servile dhe lajmet për të arriturat e faktorëve politikë.
Puna me OJQ-të dhe organizatat civile: Veprimi i shtabeve zgjedhore me këtë segment të shoqërisë civile është një përzierje e dy metodave të para. Edhe aty prijnë tendenca e infiltrimeve, privilegjeve dhe kërcënimeve. Kështu që organizmave udhëheqëse të tyre u dalin dy alternativa për seleksionim: kush premton më shumë ose kush kërcënon më pak.
Natyrisht se kjo analizë e emisarit zviceran duhet të merret me rezervë. Sidomos nga ata që kurrë në jetë nuk janë ndeshur me një praktikë të tillë. Me rezervë nuk merret, mirëpo dot nga ata që përballen me faktin se shumica e analizave kanë po të njëjtën gjuhë. Janë rreshtuar gjithë ekspertët kundra Kosovës e Ballkanit të gjorë?
Paraliberalizëm apo korrupsion total
Shumë si tepër ministra, drejtorë, kryetarë komunash e funksionarë të ndryshëm po arrestohen për korrupsion sa për ta mbajtur fenomenin brenda kornizave të një fenomeni eksesiv dhe të izoluar korrupsioni, pra për të thënë se janë raste kriminale që ndodhin gjithandej. Çështja bëhet edhe më fatale kur studiohen biografitë e personave të inkriminuar dhe kur përplasesh me faktet se shumica prej tyre janë rekrutuar me sistemin që përshkruajnë ekspertët e huaj dhe se të dënuarit apo të akuzuarit ideologjikisht, familjarisht apo për shkak të biznesit janë persona fare të afërt të personave kyç të pushtetit aktual dhe partive kryesore.
Pothuaj asnjë tender deri tani nuk doli i fituar nga kompani a njerëz që nuk janë parë salloneve me njerëz kyç të pushtetit e partive kohë më parë.
Si t’ia bëjmë?
Teoria e O’Donnell sa i përket Kosovës qëndron. Forma e qeverisjes kosovare është dyfish e deleguar (nga jashtë dhe nga brenda). Ekonomia kosovare është paraliberale, sepse korrupsioni i organizuar dhe «legal» nuk lëshojnë timonin nga duart. Faktorët relevantë politikë matematikën elektorale e bëjnë në bazë planesh e strategjish manipuluese, antidemokratike, prandaj për shumë ekspertë është rëndë të gjejnë kufirin se ku mbaron kriminaliteti e ku fillon së paku zona gri që do të jepte shpresë se edhe ai stad do të kalohet për të ecur drejt shtetit ligjor dhe një demokracie të konsoliduar.
Edhe një herë kosovarët në zgrip: ata që thonë se institucionet ndërkombëtare me sjelljet e tyre qofshin injorante apo arrogante bllokojnë hyrjen e Kosovës në një demokraci me shtet ligjor kanë të drejtë. Ata që thonë se tipi i qeverisjes kosovare është larg sistemit të pluralizmit demokratik po ashtu kanë të drejtë. Ata që thonë se korrupsioni ia ngufat jetën ekonomisë kosovare dhe pamundëson liberalizmin, po ashtu kanë të drejtë. Pra të gjithë kanë të drejtë.
Ashtu siç kanë kosovarët të drejtë t’ua refuzojnë votën atyre që ua mbysin zërin e pastër të tyre për demokraci dhe shtet ligjor!