Nëna që u shiti vajzën trafikantëve

Njejtë si në kohën e skllevërve.Tropojanja Anita B*. ende pa mbushur të pesëmbëdhjetat iu shitë nga e ëma e saj një bande kriminelësh që merren me prostitucion. Pas gjashtë mujash «shërbim» rrugëve të natës milaneze ajo arriti të ikë me ndihmën e një kushëriri të saj, duke vazhduar më pastaj udhëtimin nëpër të gjitha stacionet e zhvillimit të kësaj periudhe të tmershme të fatit të Anitës dhe që ka një gjeografi rrugëtimi në relacionin; Tropojë-Bari-Milano-Bernë.

Takat e holla e të gjata të këpucëve, të ngulura në akullin e tokës italiane, mezi e mbajnë në këmbë. Çmimi i saj është pak më i lartë se sa i kolegeve të saja që defilojnë disa metra më poshtë. Në strehën e ndërtesave, anash rrugës, dy persona të veshur me pardesy -si në filmat me detektivë- kontrollojnë ritmin e punës. Pesëmbëdhjetvjeçarja shqiptare nga një fshat malor i rrethit të Tropojës dridhet si një shufër metalike prej të ftohtit. Ajo është e veshur fare hollë; minifundi, bluza që i mbulon vetëm gjoksin e barkun dhe çorapët e hollë bashkë me këpucët janë e gjithë garderoba që mbulojnë trupin e saj ngjyrëgjalpe. Prej së largu ajo duket si njëra nga ato personazhet e shumta në tregun mobil të vetëshitjes që zhvillohet rrugëve të Milanos. Sa më shumë që t`i afrohemi, aq më shumë kuptojmë se kemi të bëjmë me një fëmijë; me një femër, që as makiazhi nuk ka efektin e suksesshëm për t`ia mbuluar njomësinë fëmijërore. Përderisa ne vëzhgonim situatën nga vetura, vargu i femrave shtohej vazhdimisht.

HISTORIA E NJË «RRËMBIMI»

Ora 22.15. Para këmbëve të Anitës u ndal një veturë e tipit Pontiak. Dera u hap. Ajo u futë brenda. Vendin e saj e zuri një tjetër, e cila përveç ngjyrës së flokëve dhe trupit pak më të madh, nuk dallonte shumë për nga mosha. Veturat vinin njëra pas tjetrës. Çdonjëra prej tyre e gëlltiste në vete nga një viktimë të natës së acartë milaneze. Të vetmit që tërrë kohën mbeteshin hije gardianësh, gjithmonë në të njejtin vend, ishin ata me pardesytë- tregtarët e trupit të femrave të ardhura nga Shqipëria.  Pas 90 minutash Anita u kthye sërish në pozitën e saj. Tashmë edhe kushëriri i saj E. B. që kishte udhëtuar nga Zvicra, ishte i sigurtë se përfundimisht ka gjetur atë. Ndërsa ne druanim që mos të dështojë plani i tij për të «rrëmbyer» Anitëm nga ajo skenë e tmerrshme prostitucioni, druajtja bëhej edhe më e madhe kur na binte ndërmend  karakteri agresiv e kriminel i shitësve, që ato femra i konsideronin si produkte për lesing. E.B. kishte marrë me vete një gazetar zviceran që fliste bukur italishten dhe që ishte i angazhuar nga redaksia e gazetës ku punonte për të bërë një reportazh për prostitucionin e fëmijëve në Itali. Hapi i parë u realizua; Anita u futë në volvon e gazetarit zviceran, pa ditur fare për qëllimin e tij. Pas tij u nisëm edhe ne.

TAKIMI

Anita bashkë me gazetarin hyjnë në dhomën 217 të njërit nga hotelet e Milanos. Ashtu siç e kërkon «zakoni» ajo futet në banjo, bën një dush dhe kthehet e zhveshur para klientit duke kërkuar në avans 200 Eurot për punën që do të bëjë. Gazetari e urdhëron të veshet dhe ia jep të hollat e premtuara. Në derë, i pari futet kushëriri i saj sypërlotur. Ajo nuk bën fare zë, zgurdhullon sytë nga frika dhe rraset në njërin nga qoshet e dhomës, duke qarë. E.B. nuk kishte ardhur për ta rrahur atë (siç bëjnë në ato momente zakonisht shqiptarët) por për ta shpëtuar. Po atë natë u nisëm së bashku drejt Zvicrës. Gjatë gjithë rrugës Anita nuk e tha asnjë fjalë. As E.B. nuk fliste gjë. As ne nuk guxuam ta bombardojmë Anitën me pse-të tona gazetareske. Ajo kishte merituar qetësinë, pas gjashtë muajve «shërbim» rrugëve të Italisë.

Kjo pjesë e reportazhit tonë është vetëm fillimi i një fati të tmerrshëm të një shqiptareje pesmbëdhjetëvjeçare. Kulmi do të arrihet gjatë shpalimit të historisë së saj. Pse erdhi Anita B. në një gjendje të tillë?

SKAMJA SI ARSYETIM I PERVERZITETIT

Shtëpia (që i përngjante më shumë një kasolle të parregulluar mirë për bagëtinë) ku kishte jetuar katërmbëdhjet vjet Anita nuk dallonte aspak nga të gjitha shtëpitë tjera të fshatrave malorë të Shqipërisë veriore; dritare të mbuluara me najllon, «shtretër» të lëshuar përdhé, ndonjë karrige e thyer përgjysmë, koftori që i vinte erë hekuri të panxehur kurrë dhe një fotografi e madhe e të atit të ndjerë të Anitës që gjendej varrur në hyrje të dhomës, e cila i luante të gjitha funskionet e një shtëpie përnjëherë; dhomë ndeje, fjetjeje, kuzhinë, banjo etj. E ëma e saj nuk do që të flasë para nesh për fatin e vajzës së saj të vetme Anitës. R. B. është dyzet e pesë vjeçare dhe ka kaluar një jetë mizore. Pas shuarjes së kooperativave, ku ajo kishte punuar si magaziniere, që atëherë ka mbetur papunë dhe ka ushqyer fëmijët me ndihma dhe huazime nga farefisi.

«Anita gjendet në Zvicër»- i thamë për ta nxitur bisedën. «Gjepura..ajo gjendet në punë në Itali»- tha R.B. me një siguri të plotë pa ditur se ne kishim qenë pjesmarrës të «rrëmbimit» të saj nga rruga. Pasi i treguam se njohim djalin e vëllaut të saj që jeton në Zvicër dhe i rrëfyem historinë e udhëtimit bashkë meAnitën për në Zvicër ajo u përplas në karrigën jostabile dhe na shikonte tërbueshëm sikur t`ia sjellnim ndonjë lajm tragjik mbi vajzën e saj.

«Unë e kam dërguar në Itali e jo në Zvicër…do ta mbysë»- u kërcënua duke mos qenë e vetëdijshme për atë se ç`flet. Ajo sillej ashtu, ndoshta për arsye se ne ende nuk i kishim treguar se Anita na ka rrëfyer historinë e saj dhe shkakun e ikjes për në Itali, dhe përpiqej të përfitojë nga situata. Kolegu jonë zviceran na luti që t`ia shpalojmë versionin tonë të historisë së shkuarjes së Anitës, duke shpresuar se ajo atëherë më në fund do të heqë dorë nga kokëfortësia malësore.

R.B. shkon tek një i afërm i saj për të kërkuar ndihmë për një vend pune. Ai në vend që t`i ndihmojë asaj në këtë drejtim, i bën propozimin djallëzor, që do të jetë fillimi i teposhtëzës së jetës së një vejze të re, duke i thënë; «Motër, shiko, ty nuk të merr kush në punë. Por unë pasi të kam timen mund të të shpëtojë nga kjo tragjedi. Njoh ca persona që mund të punësojnë vajzën tëndë në Itali…». Kështu nis biseda e parë që më vonë do të rezultojë në kontratë për shitje të Elidës.

Pas dy ditësh, dy persona të panjohur, të veshur mirë e vizitojnë R.B. dhe i ofrojnë 900 Euro për vajzën, duke i premtuar se për çdo muaj ajo do të marrë nga 300 Euro rregullisht. R.B. pranon këtë marrëveshje dhe e detyron Elidën që të shoqërojë dy «xhentlemenët» me kollare. Për gjashtë muaj me radhë R.B. merr në rregull paratë e premtuara. Më e keqja; ajo e ka ditur se ç`pune do të bëjë Elida në Itali.

Përderisa ne rrëfenim këtë histori R.B. kishte mbuluar fytyrën me pëllëmbët e dorëve dhe ngulçonte. «E ç`të bëja unë e shkreta. Këta pesë «monstrat» (e ka fjalën për fëmijët e saj) e vegjël nuk më pyesin se ku i sigurojë unë të hollat për ushqim, ata duan të hanë…». Plasi R.B. duke kërkuar që të largohemi. Dhe ne nuk kishim rrugëdalje tjetër.

INDIFERENCA E SHTETIT SHQIPTAR NDAJ TREGTISË ME FËMIJË

Në komesariatin e policisë së Tropojës dhe të Tiranës të gjithë janë të informuar mirë për këtë lloj tregtie ashtu siç janë në dijeni edhe italianët. «Ekszitojnë grupe të shumta të organizuara kriminelësh që merren vetëm me këtë punë»- thotë njëri nga nëpunësit e policisë së Tiranës, duke shtuar se; «fatkeqësia është se në këtë tregti marrin pjesë në mënyrë aktive edhe prindët që shesin fëmijët e tyre, për t`i shpëtuar skamjes». Njëri nga zëdhënësit e policisë së Barit, Benito A*, akuzon edhe më rëndë; «çfarë dreq prindësh janë ato që shesin fëmijët e tyre të mitur për 1 mijë apo edhe 1 milion euro. Për mua ky është tmerri më i madh që e përjetojë në profesion. Për çdo ditë zëmë nga një barkë me femra të reja nëpër ujërat tona, të gjitha janë kandidate potenciale për prostitucion. Arsyetimi se prindët nuk dijnë për fatin e fëmijëve të tyre është absurd. Ata janë me qindra e më shumë nëpër Itali. Nuk kam dëgjuar që në Shqipëri të kenë protestuar prindë që kërkojnë fëmijët e rrëmbyer të tyre. Po të kishte lëvizje të tilla, atëherë edhe politika jonë do të detyrohej të reagojë më ashpër ndaj klandestinëve të tillë si dhe grupeve kriminele që veprojnë në territorin tonë…». Benito ka të drejtë. R.B. u kishte shitur vajzën e saj vetëdijshëm për rrogë mujore kriminelëve nga Tirana. Në kohën kur italianët ndjekin dhe kërkojnë mundësi të zënies së bandave të tilla, shteti shqiptar ri indiferent ndaj këtij problemi sikur të ishte diçka krejt e zakonshme.

Fjalët e njërit nga tragtarët e këtij lloji biznesi përputhen me deklaratat e protagonistëve tjerë të kësaj tragjedie; «Ne na lusin nëpër Shqipëri për t`u gjetur «vende pune» vajzave të tyre. Ju si duket nuk kuptoni peshën e skamjes. Ne nuk mund të bëjmë rrëmbime masive si doni ju të thoni…pa vullnetin e vetë vajzave për të ushtruar një «profesion» të tillë ne jemi të humbur. Natyrisht që përfitimi nga ky lloj biznesi është i kënaqshëm»- përpiqet të arsyetojë punën e tij i riu shijakas që pi konjak dhe ekspresso në njërin nga restorantet në qendër të Milanos.

SKLLAVËRIMI NË ITALINË POSTMODERNE

Nga Milanoja në Bernë, ku është e vendosur Anita pas largimit nga Italia. Fytyra e saj pa gjithë ato elementet kozmetike duket më e pastër edhe më e re, tamam si një fytyrë fëmije në rritje e sipër. Pranon të flasë vetëm me një kusht; që të mos jetë prezentë kushëriri i saj e as e shoqja e tij. «Pas mbërritjes në Bari më vendosën në një banesë gati të shkatrruar në një paralagje të Milanos. Në dy dhomat e banesës jetonim tetë femra, të gjitha nga Shqipëria. Vajza të një moshë që sillej prej 13 deri më 20 vjeç.  Gjatë verës, banimi në atë shtëpi, nuk ishte ndonjë problem, mirëpo dimri ishte tepër i rëndë. Aty nuk kishte nxemje. Orari i punës fillonte në ora dhjetë të natës dhe përfundonte në gjashtë të mëngjesit. Ne na lejonin të mbanim për vete 20% nga pazari i bërë gjatë orarit të punës. Po të vërenin se dikush ka fshehur para e rrahnin deri në alivanosje dhe ashtu të dërrmuar e detyronin të nesërmen sërish të dalë në «punë…»- Bosat e Anitës nuk kanë pasur mëshirë as kur ndonjëra nga vajzat ka qenë e sëmurë apo e lodhur. Sipas Anitës ka pasur raste edhe kur «koleget e saja» janë rrëmbyer nga spitali dhe janë nxjerrë në rrugë. «Ata janë të pamëshirshëm në çdo aspekt, jorrallë ka ndodhur që ndonjëra prej nesh të jetë zhdukur fare»- thotë ajo duke u rrëqethur nga kujtimet i hidhura të jetës si prostitute. Ajo pranon se ndër ato vajza ka edhe femra që me dëshirën e vetë i kanë hyrë prostitucionit, mirëpo shumica janë viktima të prindëve, burrave, vllezërve e të shoqërisë së tyre.

Anita tani është në duar të sigurta. Po ç`bëjnë të tjerat që për çdo natë rradhiten në atë vendin ku gjetëm atë. Çdokush e di që nuk mund t`i priten këmbët përfundimisht prostitucionit, mirëpo çdokush gjithashtu e di se viktimëzimi i vetëdijshëm i fëmijëve është një krim aq pervers sa që nuk mund as të arsyetohet e as të falet. Një gjë të tillë e shohim qartë në fjalët e dhimbshme të Anitës ndaj nënës së saj; «ajo më ka shitur dhe nuk ka se çkërkon më prej meje. Unë jam një objekt që ka gjetur blerësin dhe ajo e ka humbur atë. Do të përpiqem të harrojë këtë periudhë të jetës sime dhe të filloj prej zeros». A është e mundur që Anita të harrojë këtë periudhë të tmerrshme të jetës së saj. Aq sa është e mundur që ajo të jetojë e ndarë nga e ëma e saj. Që të dyja janë viktima të tmerrit të skamjes dhe të një bote që ec përsërprapthi.

Anita pati fat që ka një kushëri, të tjerat i lamë në errësisrën e natës milaneze me shpresën se edhe ato, një ditë do t`i kërkojë dikush.

 Lexo këtë analizë të organizatës shqiptare BKTF.

 

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...