Pushteti i polikracisë

Noli njihte Athinën, Aleksandrinë, Amerikën mirëpo shumë pak Shqipërinë, prandaj nuk instaloi dot demokracinë. Rugova njihte të gjitha por për kohën që pati nuk demokratizoi dot as partinë e tij. Politika shqiptare sot edhe me asistencë nuk ia del të demokratizojë vendin. Dy përpjekje në dy epoka pa sukses, pse?

Më shumë se sa në një sistem politik të demokracisë pluraliste shoqëritë shqiptare duket të gjenden në një vakum, të dezorientuara dhe pré ideologjish e doktrinash që në Evropën perëndimore janë në grahmën e tyre. Nga erdhi kjo situatë, kur kihet parasysh se shqiptarët janë historikisht ndër të parët e rajonit që provuan instalimin e demokracisë si sistem politik. Historianët dhe sociologët, të huaj e vendorë, i kanë disa teza, mirëpo ato deri më tani nuk dalin të bindshme se nuk thonë gjë. Shqiptarët sërish pas perdes së kohës: gjersa bota postindustriale përpiqet të gjejë një formulë pajtimi ndërmjet kapitalizmit dhe demokracisë (sepse deri tani nuk ka demokraci moderne pa ekonomi kapitaliste ashtu siç nuk ka kapitalizëm jofashist, nazist e diktatorial pa demokracinë – Paul Nolte:2012) pjesë elitash shqiptare koketojnë ende me manifeste të dështuara utopike ose me doktrina fetare që trembin edhe vetë mendjemesjetarët ndër ne.
Për të gjetur pse-në ndoshta më mirë do të jetë të shohim se në ç’relacion qëndron historia shqiptare me demokracinë?

DEMOKRACIA NË DY SKENA
Skena e parë – Noli e provoi i pari. Dështoi dhe iku. Po si francezi Alexis de Tocqueville edhe ky mësoi dhe përjetoi demokracinë në SHBA. Përderisa i pari e interpretonte atë kritikueshëm në favor të aristokracisë, i dyti me plot pasion donte ta instalojë në vendin e tij.

Peshkopi dhe eruditi ortodoks shqiptar Teofan Stylian Noli ishte ai i cili pas Luftës së Parë botërore bindi kryetarin amerikan Woodrow Wilson të përkrahë pavarësimin e Shqipërisë në Konferencën Paqësore të Parisit (18.01.1919 – 21.01.1920). Njohja e Shqipërisë nga Lidhja e atëhershme e kombeve (1920) u bë pikërisht në sajë të kësaj „aleance“ shqiptaro-amerikane.

Një vit më vonë, në trastë me modelin e demokracisë amerikane hyri prifti në parlamentin shqiptar si përfaqësues i liberalëve të partisë Vatra. Pas ekzekutimit të një liberali nga Zogu, dhe ikja e të fundit tek miqtë e tij jugosllavë, tre vjet më vonë (1924) Noli u bë kryeministër i vendit të njohur ndërkombëtarisht tre vjet më parë. Agresiviteti i Nolit me të cilin donte ta delegojë instalimin e demokracisë të tipit amerikan nxiti averzion dhe refuzim të elitës së atëhershme politike, dhe, disa muaj më vonë, në krishtlindje të po të njëjtit vit varësit e Zogut me azil në Beograd ia morën pushtetin. Shqipëria mbeti feudale. Demokracia u kthye atje nga kishte nisur. Zogu shpalli veten mbret.

Skena e dytë – Sot ish presidenti i SHBA-ve Bill Clinton gjithandej rrëfen dy njerëz ta keni bindur për të dalë përfundimisht në anën e shqiptarëve: Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova! E para mbeti atje ku ishte për ta shpëtuar botën nga skamja dhe teposhta, i dyti 78 vjet më vonë (2002) se Noli u kthye për ta demokratizuar lirinë e vendit të tij. Shkencëtari i letërsisë, intelektuali Rugova kishte disa përparësi në krahasim me Nolin e lindur në Traki, të shkolluar Athinës e Aleksandrisë egjiptiane e që banonte botës. Njëra nga përparësitë qendroretë admiruesit të cuneus prophetarum – ëve me origjinë shqiptare ishte lindja, rritja dhe formimi aty ku donte të bëjë demokracinë pluraliste. Tjetra përparësi që kishte ishte përvoja; Ibrahim Rugova ishte i specializuar në historinë e Fan Stylian Nolit dhe dinte për ngritjen dhe rënien e tij. Katër vite më vonë vdiq Rugova. Vendi i tij valëvit ku mbërrin flamurin e demokracisë pluraliste, mirëpo nuk konsiderohet si i tillë. Ose sillet ashtu sa për sy e faqe të botës.

Epilogu – Qeveria demokratike e Fan Nolit jetoi vetëm disa muaj. Historianë, studiues të kësaj epoke trashin tezën atëherë të mos ketë qenë koha e përshtatshme për një sistem të tillë pasiskamje, analfabetizëm dhe strukturë tejarkaike në parashoqërinë shqiptare. Teza është më e komodshmja, prandaj ndoshta e kotë, ajo nuk qëndron qoftë për shkak se as popujt tjerë globit nuk kanë qenë gjeni në kohën kur e kanë përvetësuar atë e qoftë për faktin se jo masat nxisin procese të tilla por elitat. Dhe ato ishin në kohën e Nolit – si tjerat – dhe sidomos në këtë të Rugovës. Ku qëndron problemi atëherë? Pse të dyja përpjekjet, në dy epoka e stade të ndryshme dështojnë në të njëjtën kulturo- e etnosferë?

“HISTORI” E SHOQËRISË SHQIPTARE
Nëse lëshohemi hartës ballkanike për të lokalizuar fakte etnologjike, historike, kulturore rreth organizimit shoqëror të etnive do të konstatojmë se: shqiptarët janë ndër popujt që si bazë asnjëherë nuk kanë jetuar të integruar në ndonjë sistem politik. Këtë mund ta përshkruajmë kristaltë për periudhën romake, për atë bizantine, për atë osmane e më së miri teza materializohet (për shkak edhe të faktografisë) për periudhën pas luftës së dytë botërore. Elitat kanë kooperuar (më së shpeshti si „thikë pas shpine“) me sistemet, sunduesit dhe shtetet, mirëpo jo edhe shtresat tjera të hartës etnike shqiptare. Në secilën epokë e deri kah fundi i viteve të 80-ta (terreni i hulumtuar vetëm në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni), janë pleqtë (si maja hierarkike e njësive gjeopolitike) ata që mblidhen odave (si kuvende rrethi) për të diskutuar, falur, gjykuar, dënuar apo për t’u marrë vesh se në kullën e cilit mal (parlamenti) do të mblidhen burrat për të vendosur mbi ndonjë punë të madhe. Jo shteti dhe policia me prezencën e tyre ndikonin që i riu të ketë frikë mos të vuloset si destruktiv, por presioni familjar e fisnor që me çdo kusht donte të mbajë pastër , ftyrën e familjes, fisit“. Edukimi i brezave në dimensionin social, politik, historik, estetik e etik ndodhte odave nëpërmjet muzikës, rrëfimit të gjallë të historisë dhe riteve kolektive e më pak institucioneve të shtetit. Përkundrazi ata që thyenin ligjet e shtetit, e kundërshtonin atë, festoheshin si „banditë socialë“ në favor të polikracisë shqiptare. Ky mentalitet, kjo kulturë sociale e lehtësoi aq shpejtë mundësinë e krijimit të një shteti paralel krahas atij serb nga Ibrahim Rugova.

Se sa e fuqishme ishte polikracia shqiptare na manifestoi edhe aksioni i pajtimit të gjaqeve – kemi përshtypjen sikur Anton Çetta pikërisht edhe këtë donte t’ua kumtojë elitave shqiptare.

VAKUMI SI BLLOKADË
Noli ndoshta as që ishte i informuar mbi funksionalitetin e polikracisë shqiptare. Ibrahim Rugova po. Ishte formuar përgjysmë në të. Nuk pati kohë sa duhet? Mbetet për tu analizuar në formë profunde. Ku qëndron puna sot?

Vitin 1989 shqiptarët e shndërruan në 1968: Thyerja e komunizmit nuk u kap gjithaq si alternativë e re për organizimin e lirisë së tyre ndryshe aq sa u kap si ofertë, thirrje për të difamuar, refuzuar, shpallur si arkaike dhe dëmshme polikracinë konservatore (si elitat e viteve të 70 të Europës perëndimore). Për një kohë fare të shkurtër pleqtë, odat dhe kullat humbën pushtetin e tyre dhe nuk ishin më si më parë mbikëqyrësit dhe korrektorët e sjelljes publike dhe solidaritetit social. Vetëm gjatë luftës kullat u ripërdorën si azile për ushtarët e plagosur të UÇK-së e jo më si institucione me rëndësi shoqërore.

Afërmendsh se shekulli 21 nuk funksionon më në atë mënyrë. Këtu as që qëndron problemi. Gabimi ndodhi se ato u prishën para se të bëhet shteti, kështu duke krijuar një vakum që edhe sot e kësaj dite u bënë vend edhe formave më destruktive që fabrikojnë grupe të caktuara. Në vend të pleqve dhe odave socialitetin shqiptar sot e ndikojnë guru religjionesh e doktrinash retarde, joprogresive dezorientuese.
Me të drejtë na thotë miku jonë në Londër Bujar Dibra se pikërisht në këtë segment ka ndodhur „dështimi më i madh i elitave dhe politikës. Injorimi, mospërfillja e strukturave ekzistente, mosdija për të krijuar kanalet e komunikimit me to me synimin për t’i vënë në funksion të ndërtimit të demokracisë është shans i humbur historik“. Patjetër. Ku ka demokraci pa demosin!

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...