Një masë lexuesish që konsumon mediat vetëm për vetëkonfirmim (si unë disa herë), fatalisht është e paradënuar me vendnumërim dhe prapambetje. Disa nga mediat e kanë kuptuar këtë lojë dhe riprodhojnë padijen për kuletën, kështu duke suspenduar hulumtimin pas informatës së konfirmuar dhe së «vërtetës», rreth një ngjarjeje.
Charles Manga dhe Rolf Dobeli* nuk pushojnë së përsërituri legjendën e shoferit dhe Max Planck-ut: aq shpesh dhe aq gjatë mban Max Planck ligjeratën mbi fizikën kuantike instituteve shkencore gjermane saqë shoferi i tij e mëson përmendsh referatin. Gjatë shkuarjes për në München shoferi i bën një propozim shkencëtarit të lodhur që ta zëvendësojë duke u paraqitur në vend të tij. Shoferi ligjëron shkëlqyeshëm. Në fund njëri nga të pranishmit e parashtron një pyetje, përgjigjen e së cilës nuk mund ta japë shoferi.
Dhe çka thotë ai: «aiii nuk e kam ditur se edhe në këtë mes shkencëtarësh të shquar do të më paashtrohen kësi pyetjesh të thjeshta. Pyetje të cilave mund t’iu përgjigjet edhe shoferi im». Çohet Max Planck me kësulën e shoferit dhe jep përgjigjen.
Që atëherë shumëkush përdor këtë krahasim të «dijes së shoferit» dhe «dijes kompetente» për të dalluar dijen e opinionistëve mediave nga ajo e shkencave. Si «shoferë» kategorizohen gjithë ajo brigadë gazetarësh, moderatorësh e publicistësh që nuk kanë drojë të trajtojnë gjithçka dhe çdo temë sado e komplikuar që të ishte ajo. Ata shkruajnë e flasin për mjekësinë, astronominë, religjionet, kulturat identitetet, shkencat pa pasur madje as njohuritë minimale mbi to. Që se ka dalur interneti kjo kategori «show master» – ësh është bërë edhe më e padurueshme. Apeli i shkenctarëve në stilin «mos ua varrni s ia fusin kot, janë si ato moderatoret e bukura që prezantojnë motin e lidhje s’kanë me meteorologjinë» nuk ndikon që njerëzit më pak t’i lexojnë opinionet e do «analistëve» (që mjaftë janë për të na nxitur kancerin) pa përmbajtje e kot portaleve dhe tv-ve shqiptare me moderatorë e moderatore që lidhje me pyetjet që parashtrojnë nuk kanë.
Pse ndodhë kjo edhe sot, kur masa e analfabetëve thonë se po minimohet. Pse lexuesit, shikuesit edhe nëse dinë që opinionisti ose gazetari ka kryer zanatin e çelsaxhiut, këpuctarit, ëmbëltorit dhe nuk ka pse reflekton mbi kozmosin, religjionet, proceset psikosociale të masave apo mbi shkencat megithatë i besojnë dhe nuk i largon kush të besojnë në floskat e tij? Ja nuk kërkojmë nga lexuesi që mos i përfill edhe ata që kanë studiuar letërsinë e asnjë poezi nuk e kanë kuptuar siç duhet; ja nuk kërkojmë nga ai të mos përfill gazetarin me profesion e që ngjarjet e ditës i interpreton sikur të ishte eruditi dhe autodidakti të cilit edhe rektorët e shkollave të filozofisë në antikë do t’ia kishin zili; ja nuk kërkojmë që ta mbyll televizorin kur ne podium i shfaqet ndonjë shef odeje ekonomike që syshpërqëndruar përpiqet kot të radhis si duhet numrat brenda datëlindjes së tij.
Jo nuk i kërkojmë kaq shumë lexuesit të shkretë, sepse e dimë që gabimin kryesor dhe fatal e bën ai vetë. Ose siç konstaton autori dhe biznismeni që përmendëm lartë Rolf Dobeli: Gazetaria dhe publicistika qëmoti kanë pushuar të kërkojnë të vërtetën, gjithçka që ato bëjnë është të na rishesin mendimet tona. Kjo konkretisht donë të thotë: ato identifikojnë mendimet/dëshirat tona dhe na i konfirmojnë për të na kënaqur [varësisht se nga cili tabor financohen edhe pas perdeve]. Kjo sidomos në kushtet shqiptare do me thënë: lexuesit shqiptarë i lexojnë, perceptojnë dhe shikojnë vetëm ato media që ua konfirmojnë mendimet, paragjykimet, opinionet e jo ato që synojnë trajtimin për të shtruar një problem për zgjidhje.
Më lehtë është kështu. Vetëm se defekti dhe pasojat për shoqërinë janë fatale: problemet mbesin, dija konzervohet ne ndonjë muze epoke të kaluar, bota ecën, shqiptarët edhe më tej duke kërkuar eshtrat e përrallave të tyre teksteve, emisioneve e analizave kot refuzojnë zhvillimin dhe dijen!