ULTIMA RATIO I /Dikush i hoqi kapakun shishes magjike; nga gryka e saj nuk i doli korrieri ekzotik për t’ia plotësuar dëshirat, por përkundrazi nga aty i shpërthyen shpirtrat e muxhahidëve autobombë dhe ata të kalorësve të inkuizicionit dikur oksidental e sot oriental. Ka kohë që lugetërit e rizgjuar, fanatikët e çdo feje e sekti paskan bërë diellin, eterin e qiellin përmbi shqiptarë pistë irfanësh, urbanësh, pseudoprofanësh që në trans mezi pritkan sinjalin hyjnor që t’ia heqin kokën vetes dhe tjerëve përreth.
Po analizuam distancuar polemikat rrjeteve sociale, komentet e apelet mediave, dy pyetje imponohen si start diskursi: Paska qenë edhe toleranca aq e lavdëruar ndërfetare tek shqiptarët një mit kot? Dhe e dyta pyetje, më shumë diagnozë: vleka ajo hipoteza që thoshte se sa më shumë të humbë terren lufta kundër armikut të jashtëm aq më e ashpër bëhet lufta kundra armiqve të brendshëm?
PARADA E FANATIKËVE
Konflikti u aktivizua qysh me publikimin e parë të kushtetutës së shtetit kosovar. Klerikët e religjionit më të «madh» [spekulim është: viteve të fundit sidomos në Kosovë ka një rikonfigurim kompleks në lidhje me përkatësinë fetare. Grupi i refuzuesve të konfesioneve klasike abrahamite është shumë më i madh se sa perceptohet. Po ashtu numri është i madh i atyre që ndihen të besimit të krishterë e llogariten në statistika si myslimanë, etj.] protestuan kundër përcaktimit laik e sekular të vendit të tyre. Ca kohë më vonë kërkuan legalizimin politik e juridik të shamisë si simbol identifikues religjioz institucioneve publike. Në shenjë proteste kundër prezencës së katedrales katolike disa organizata myslimane kërkuan ndërtimin e një katedraleje, respektivisht xhamie islame. Partisë islame të Drejtësisë iu shtua edhe ajo e më fanatikëve «Bashkohu». Muajve të fundit imamë e agjitatorë të ndryshëm që numërohen në taborin në fjalë shpallën Islamizmin (doktrinën) si mburojë të identitetit shqiptar; reduktuan heroin dhe kryemitin e shqiptarëve Gjergj Kastriotin në primat katolik/ortodoks, ia dhanë të famshmes shqiptare Nënë Tereza biletën për në «xhehnem» dhe «epoletizuan» gjitha femrat shqiptare pa shami e burka me etiketën serbishte «kurva». Aktiviteti, strukturat dhe kronologjia nuk lënë vend për hamendje: islamistët kanë strategji, program, agjendë dhe financa të rregullta.
KU MBETI SHTETI?
Kundër këtij zhvillimi natyrshëm reagojnë pjesët joislamiste të shoqërisë. Ato që frikohen se lëvizjet radikale janë në rrugë e sipër ta çmontojnë demokracinë, shtetin dhe të instalojnë sheriatin. Frika – kur kemi parasysh gjendjen e përshkruar lartë – është më shumë se e arsyeshme. Kisha katolike nga halli i bie fyellit të ekumenizmit dhe gabon duke lëshuar komunikata që më shumë acarojnë polemikën se orientojnë atë: vota e saj në rastin e muxhahidit nga Shkupi Kim Mehmeti më shumë u perceptua si tendencë e këtij institucioni për të monopolizuar historinë e mbrojtjes së identitetit shqiptar se sa shqetësim legjitim në mbrojtje të vlerave evropiane shqiptare.
Reagimi i shtetit pothuaj nuk ekziston. Partitë në qeveri e afër saj numërojnë vota e aleatë dhe nuk kanë kohë të merren me ruajtjen e rendit dhe sistemit. Deputete e pjesë intelektuale të shoqërisë kundërshtojnë marshin aktual të të «sëmurit nga bosfori», mirëpo konform buxhetit të aspaktë nuk arrijnë të mobilizojnë opinionin.
DEBATI
Problem i njëmendtë apo i kamufluar? Panik kot, histeri apo eutanazi siç analizojnë areligjozët? Përtej polemikave e zyrave planifikuese të religjioneve, syhapur, irrituar e objekt gjahu rri i zakonshmi, i «vdekshmi», i cili për shkak të gjendjes së rëndë sociale ia jep shpirtin të parit që e vëren atë. E ne pikërisht ky, i «vdekshmi» jonë na intereson, ai që nuk ka të holla për të blerë e lexuar edhe mendimin jashtë kopertinave të ndonjërit nga librat e shenjtë, që në fund vetë të vendos se ç’donë të bëjnë me vullnetin e tij të lirë.
Në disa vazhdime ne do të parashtrojmë pyetje dhe do t’iu përgjigjemi atyre me gjuhën, argumentet, tezat e antitezat e myslimanit, të krishterit, manistit, deistit, ateistit, gnostikut e kështu me radhë që në fund në sajë të kësaj matematike faktesh të përpiqemi për një analizë sa më të paanshme, objektive.