Pse asnjëri nga liderët e sotëm nuk thirret më «baba i kombit» apo «prijësi ynë i madh»? S’ka më personalitete të tilla apo shqiptarët tash kanë lirinë për të qenë «secili mbret në vete». Idhujt dje dhe sot.
Ai që dje defilonte si yll province sot është antiheroi që bllokon. Aktualët prezencën e yjeve të djeshme institucioneve kulturore, politike, shoqërore e konsiderojnë problemin kalamitës të demokracive dhe lirisë shqiptare. Kështu trajtohen idolët e djeshëm nga shumica e të sotmëve. Qartë se nuk e kemi fjalën për «star»-ët e estradës, filmit e të ngjashme, por për ata të cilët në episode të caktuara të historisë më të re shqiptare besoheshin pa kusht nga masat.
Asgjë tipike shqiptare: në çdo ndërrim dramatik modash, sistemesh kulturore e ideologjike shfaqet ky lloj procesi. Të «vjetërit» nuk kuptojnë të «rinjtë» dhe anasjelltas. «Yjet» e sotme i akuzojnë ato në shuarje e sipër për prapambeturi e çkamos tjetër, ndërsa të dytët i shajnë aktualët për degjenerim, nëpërkëmbje vlerash, sabotues të kujtesës, marioneta të modës ose të jenë Rock ’n› Roll – istë kriminelë.
Në opinion ky konflikt perceptohet kryesisht si konflikt i natyrshëm moshash: Çka nuk është fare!Kemi të rinj që ende jetojnë viteve 1400 e ca e kemi të moshuar që ende nuk pranojnë se në Woodstock nuk ka më festivale të hipive ose anasjelltas.
Gjatë përshkrimit të yllit të djeshëm do të shohim se problemi nuk qëndron tek subjekti i shenjuar. Duke analizuar yllin e sotëm do të bindemi se ai nuk ndriçon si shkëlqenin e plasnin yjet dikur. Janë larguar yjet edhe më thellë universit duke ikur nga ne apo ne kemi ndryshuar syzet dhe kriteret gjatë identifikimit, kategorizimit të subjekteve si idhuj dhe mite të gjalla? Dy shembuj nga kultura ose politika na shpëtojnë mos tëpërhumbemi teorive abstrakte.
Yjet në shuarje
Një personalitet që përfshin më shumë segmente: Adem Demaçi. Edhe ata që e kritikonin dhe shanin publikisht e simpatizonin ose si yllin e rezistencës shqiptare ndaj sistemit ish-jugosllav ose si shkrimtarin, intelektualin që u bë viktimë për të drejtat nacionale dhe sociale shqiptare. Rexhep Qosja nuk ishte alfa dhe omega vetëm i institutit albanologjik dhe për ca shtresa edhe bërësi apo zhbërësi i elitave të reja në shkencën e letërsisë, por ai kultizohej edhe si zëri kryesor intelektual në mbrojtjen e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu.
Pas viteve të 90-ta Ibrahim Rugova u bë ylli i natës dhe ditës kosovare, shkencëtari që me laps ishte nisur rrugës të demolojë muret brenda të cilave mezi frymonin njerëzit e tij. Gjitha këto personalitete të fuqishme – dhe ata që qëllimisht nuk i marrim si shembuj – për dekada shërbyen si fenerë që ndriçonin udhët shqiptare drejt aspiratave në atë kohë dhe ato rrethana.
Sot dy të parët nuk marrin pjesë në asterikën e koncepteve shqiptare. Përkundrazi veprimet e tyre, nga një masë në rritje qoftë ajo intelektuale apo jo, kontestohen dhe merren të demoduara, bllokuese.
Pa i faktorizuar këtu edhe ata të ekstremit që – folur me gjuhën e latinëve të vjetër – i shohin të njëjtët si «des astrum» – ët (yje fatkeqe, dezaster) që pengojnë harmoninë ndërshqiptare.Madje edhe i ndjeri Ibrahim Rugova nga njëra palë shikohet kthjellët, nga tjetra hyjnizohet e nga e treta kritikohet. Rugovën, në krahasim me tjerët, mençuria nuk e la të narcizohet aq sa kërkon pozita e të qenurit lider absolut.
Ç’po ndodh? Kush i zëvendësoi e ua zuri dritën yjeve të djeshme?
Mini-yjet
Qysh ditëve të para të «hyrjes» në transicion u manifestua një çik vërtetësia e atij proverbit «çdo shqiptar mbret për vete» (s’ia di burimin). Idolët, udhërrëfyesit për nga nervoza, akuzat dhe vaji të bënin të kuptosh se nuk ndihen aq të sigurt e shtrënguar samaritse ç’ kishin shpresuar. Qoftë primatët e vjetër ashtu këta që ende përpiqen të bëhen yje shpejt u përballën me syrin – deri atëherë siduket pas grilave të totaliteteve të ndryshme – skeptik, seleksionues. Sali Berisha kurrë nuk arriti të zëvendësojë Enver Hoxhën për nga dimensioni i shtrirjes së kultit. Përkundrazi qysh viteve të para kur erdhi në pushtet kishte më tepër refuzues se sa duartrokitës.
As Nano s’kishte si të bëhet yll me gjithë ato hipoteka qafës. Edi Rama çdoditë i bën atentat karizmës si dukuri dhe vetes si politikan. Hashim Thaçit nuk i ndihmojnë as PR agjencitë, as cimerët e shkolluar jashtë e as gratë simpatike të diplomacisë ndërkombëtare që shtetasit e tij ta marrin më seriozisht. Edhe atyre që e quajnë «profet» u lexohet në ballë utilitarizmi në formën e tij primitive. Ramush Haradinaj ia nisi mirë – e aktualisht as vetë nuk i beson vetes të ketë potencial ylli.
Meteoritët gjemborë
Po shohim se yjet nuk u zëvendësuan. Në kontinuitet – nga 1990 e deri sot – ato humbin statusin që kanë pasur. E kjo nuk ka të bëjë me atë se Hashim Thaçi është më pak i bukur se Adem Demaçi apo se Sali Berisha është më arkaik se Edi Rama, porse shqiptari mësoi dhe vë në praktikë artin e shëndoshë të të dyshuarit – artin e të qenurit skeptik para çdo vendimi.
Rritet sa më shumë numri i atyre që sot para se të tundin kokën si ndonjë pulë para autoriteteve – siç bënte dikur nga dhuna apo nga analfabetizmi – pyesin, janë kategorik të dinë se si do duket liria, gjendja sociale ekonomike e politikë e tij para se t’i ngjiten pas ndonjë guruje. Ata duan të din se sa din protolideri për solidaritetin social, moralin, kulturën.
Këtu qëndron problemi se pse nuk ka yje më.
Shqiptari i shekullit XXI duket të ketë kuptuar më në fund poetin romak Publius Statius (shekulli parë pas e.s.),i cili thoshte «ndër të parat në botë Frika krijoi perënditë» dhe të ketë vendosur që nga frika, nga mosbesimi ndaj vetes apo për shkak të dinamikës së turmës mos të kamuflojë, besoje apo ndjek më as perëndi, as yje e as primatë. Iku koha e liderëve? Jo yjet nuk shuhen kurrë, vetëm se ende nuk shporren mjegullat për t’i gjetur ballkanasit yjet e tyre që do tu ndriçojnë për tu mbrojtur nga meteoritët gjemborë që vazhdimisht ua vrimëzojnë kokën.