Shumica e ekspertëve aktualë (Nolte, Agamben, Badiou, Ranciere, Nancy etj.) që analizojnë instalimin e demokracive në vendet postsocialiste besojnë se dikur edhe këto shoqëri do të «sundohen nga liderë legjitimë dhe racionalë» si në demokracitë e konsoliduara të Evropës. Me një kusht.
Edhe pa «këshillat» e Machiavelli-it historia e njerëzimit paralelisht del edhe si kronikë brutale krimesh të bëra nga njeriu kundër njerëzve. Jo perënditë apo stërkeqja e natyrës, por despotët, mbretërit, diktatorët dhe tiranët përbëjnë galerinë e leviathan-ëve që shumëherë kanë decimuar humanitetin. Shumica e teorive të filozofisë politike – që nga Platoni e deri te Giorgio Agambeni sot – nuk dallojnë nga versioni religjioz i shpjegimit: tek njeriu banon e keqja! Nisur nga kjo bindje vizaton Max Weber konceptin e «sundimit legjitim dhe racional», i cili sidomos në demokracitë e konsoliduara ka pasur sukses dhe të cilin e përdor si bazë «sundimi» edhe BE.
Si duket ai?
Shtetet, shoqëritë nuk duhet të udhëhiqen nga një autoritet i vetëm, nga një njeri, por nga një strukturë që përbashkon kompetencat e së Drejtës, ato të institucioneve shtetërore dhe autoriteteve të specializuara. Ata që zënë postet udhëheqëse nuk kanë për detyrë ta krijojnë botën prej fillimit, por duke respektuar ligjet dhe institucionet e shtetit realizojnë idetë dhe vizionet e përkrahura nga masat për më shumë mirëqenie, stabilitet dhe barazi qytetare.
Përveç BE dhe pak shteteve të perëndimit, bota mirëpo funksionon ndryshe. Pjesa dërmuese e shteteve të botës udhëhiqen nga personalitete, nga liderë, ashtu siç udhëhiqen edhe shtetet shqiptare. Qoftë sepse nuk kanë traditën e nevojshme institucionale e qoftë për arsye se janë ndër ata popujt që nuk e parafytyrojnë botën dot pa «mbret».
Me ç’ liderësh kanë të bëjnë shqiptarët?
II.
Liderët shqiptarë kanë lindur dhe janë formuar në atmosferën e monizmit. Në atë periudhë, në të cilën njeriu mbijetonte vetëm si kameleon: publikisht komunist i devotshëm dhe ithtarë i flaktë i Diktatorit (qoftë ai Tito apo Enver Hoxha), privatisht djalë i sjellshëm i patriarkut, në grup nacionalist që digjet përsëbrendi dhe nëse mund të ikte diku jashtë internacionalist apo kozmopolit i flaktë. Liderët shqiptarë të sotëm janë fëmijë të këtij sistemi. Sa më e gjatë dhe sa më aktive të jetë përvoja e individit të caktuar në një sistem të tillë aq më i avancuar është disociacioni, aq më të thella janë komplekset. Asnjëri prej liderëve aktualë nuk është bërë personalitet për shkak të vizioneve dhe ideve në të mirë të masave, por për shkak se janë gjetur në momentin e duhur në vendin e nevojshëm. Këtij tip lideri, që ishte rritur dhe formuar në një sistem gati skizofren, iu besua detyra e implementimit të një sistemi krejtësisht tjetër shtetëror, shoqëror e politik, për të cilin ai as në radio nuk e kishte dëgjuar. Zotimi i tyre se megjithatë janë në gjendje të realizojnë misionin, nuk kishte pra të bëjë me habitusin e tyre, me kapitalin e nevojshëm intelektual, por vinte nga vetëbesimi i tepruar të jenë të aftë edhe për liderë që ndërtojnë demokracinë liberale.
Si manifestohet konkretisht lideri i një tipi të tillë? Ai është i pasigurt në vetvete (sidomos intelektualisht). Në vend të vizioneve dhe ideve konkrete premton gjëra që nuk i kërkon askush. Shërbehet me një retorikë që nxit kundër atyre që mendojnë ndryshe. Vuan nga paranoja permanente se do ta humb pushtetin. Është antielitar dhe nuk lejon drejtues institucionesh të rëndësishme shtetërore që janë më të aftë se ai – këto janë vetëm disa nga tiparet.
III.
I detyron kjo gjendje shqiptarët të dorëzohen duke thënë se as masat e as liderët nuk kanë pasur alternativa? Duhet shqiptarët të përulen para atij kinezit që gjoja paska thënë: «si mileti ashtu mbreti»? Jo, ky vetëngushëllim mund të vlej për ato fillimet konfuze të transicionit dhe për kohën deri para ikjes së Serbisë nga Kosova, për sot ky arsyetim nuk vlen.
Shumica e ekspertëve aktualë (Nolte, Agamben, Badiou, Ranciere, Nancy etj.) që analizojnë instalimin e demokracive në vendet postsocialiste besojnë se dikur edhe këto shoqëri do të «sundohen nga liderë legjitimë dhe racionalë» si në demokracitë e konsoliduara të Evropës. Me një kusht: Shoqëritë në fjalë duhet të prodhojnë dhe zgjedhin sa më parë elita (liderë) që para çdo interesi tjetër vënë ndërtimin e institucioneve efikase të demokracisë politike. Hë për hë kjo duhet të jetë ideja dhe vizioni primar i tyre. Gjithçka tjetër është humbje kohe. Pyetja që mbetet është pra: kanë shqiptarët aktualisht resurse të tilla?