Agim Ramadani: Unë i Tani unë jam hi dhe hije nuk jam | Se kam ndërruar jetë askush nuk e di | Më kërkojnë pyesin ku kam mbetur | Në trupin tënd të brishtë jam shkrirë | Nuk jam tretur […] Ju ftoj | Në ekspozitën time| Të pavarur!
Natë. Dhe ftohtë. Dimri lëkurëplasës kishte vendosur të shndrrojë në akull gjithë arkitekturën klasike të metropolit më të madh zviceran. Zhurma po merrte frymën e fundit para përmbysjes së saj përfundimtare. Veç edhe njëri nga bashkëbiseduesit e asaj nate, një bashkatdhetar i vetmuar, jepte e merrte për të bindur të tjerët se është ndërmarrje e çmendur të luftohet kundër një shteti të dëshmuar si fuqia më e egër ushtarake e kontinentit. Situatat e tilla, nëpër salonet e qendrat ku tuboheshin shqiptarët e Cyrihut, ishin aq të shpeshta saqë njeriu ishte bërë imun ndaj tyre. Njerëzit kishin nevojë, që dhimbjen ta shporrin nëpërmjet të një monologu, i cili, shpesh tjetërsonte fytyrën e personazhit në një portret të deformuar, siç mund ta vizatonte vetëm Pikaso.
Në çastin kur kapakët e syve të ligjeruesit filluan t’i dorrëzohen tymit të rëndë të duhanit, që në formë të një mjegulle të zezë e të rënde dilte nga mushkëritë tona, në hapësirat e Qendrës Kulturore Shqiptare u kthye ajo qetësia aq e dëshiruar gjatë kohës përderisa zhurmonte zëri plotë gjëmba e kollitje i bashkatdhetarit tonë. Dhe pikërisht në kulmin e asaj qetësie, njëri nga ata që s’foli gjatë gjithë mbrëmjes, një redaktor gazete, iu drejtua drejtorit të qendrës, si duket për të ngushëlluar veten e për të vënë në gjum ndërgjegjen e tij: “Ne këtu në diasporë s’kemi asnjë mundësi për të bërë diçka. Jemi jashtë. Kjo është jeta jonë” – dhe zuri për fyti shishen gati të zbrazur me verë të bardhë.
Nuk e dij se ç’refleksi ishte ai që të shikojë në sy drejtorin e qendrës shqiptare, sigurisht për shkak se pritja një përgjigje prej tij. Në çastin e parë, shikimi i tij aq i kthjelltë, i zgjuar dhe i vendosur më shkaktoi një frikë të pashpjegueshme. Ndoshta për arsye se për herë të parë ballafaqohesha me sytë e asaj qenieje shtatëdrejtë që të lente përshtypjen sikur në botën e tij vizionare çdo gjë tashmë të ishte e vendosur, punë e kryer!
Po çka? “Po të qëndrojmë tërrë natën jashtë do të shndrrohemi në statuja të akullta. Jashtë është tepër ftohtë. Në acarr njeriut i kujtohet se mund të hyjë këtu brenda e të ngrohet. Kështu është edhe me ne të diasporës. Ne jemi statuja të akullta e të palëvizshme deri sa të na bie ndërrmend se kemi një vend ku mund t’i shpëtojmë ngrirjes”.
Redaktori i gazetës nuk e kuptoi drejtorin e qendrës. Ndërsa unë vendosa që të pyes në vesh ashtu pavërejtshëm njërin që sillej miqësisht me drejtorin se kush ishte njeriu që donte të shpëtojë statujat e akullta të asaj nate dimri të egër.
Agim Ramadani! – më tha ai duke mbyllur gjysmën e gojës sikur të çlirohej nga ndonjë mesazh tepër sekret.
Kush, çka bën ky? – iu drejtova edhe njëherë më kategorik për të kuptuar edhe më shumë rreth emrit, identitetit të njeriut, ndaj të cilit tashmë nuk ndjeja frikë, por një kurreshtje intensive për të mësuar sa më shumë rreth tij. Ishte një kurreshtje e tepruar që ka të bëjë më shpirtin e trazuar të një gazetari ndaj çdo të panjohure apo ishte një nxitje tjetër, paralajmërim për dhimbjen që do ta përjetoja më vonë, për dhimbjen e padurueshme që po e përjetoj sot kur përpiqem të shpalos momentet me Agim Ramadanin?
1. (Arti i të vuajturit bukur)
Situata në Kosovë po tendosej edhe më shumë. Pikëtakimet e shqiptarëve ishin shndrruar në arena diskutimesh nga më të zjarrshmet, aty për aty sajoheshin modele e plane për çlrimin e Kosovës, trojeve shqiptare, madje bisedohej edhe për kthimin e epokës së lavdishme të mbretërve ilirë, pra në atë kohë ku gati në gjithë Ballkanin sundonin kapuçbardhët. Legjenda po transformohej në një “realitet” që mezi po pret në prag të derës për të hyrë në jetën e turbulluar të shqiptarëve. Asgjë nuk ecte më për toke, gjithçka po fluturonte qiellit pa zënë vend askund. Pas një minute ndeje nëpër mese të tilla të krijohej përshtypja sikur nesër do të fillojë lufta.
Në këtë teatër tragjikomik, vetëm njëri nga personazhët nuk thoshte asgjë rreth kësaj teme. Paradoksi më i madh për atë kohë: Ai nuk kishte kohë për pjesmarrje aktive në aktet e asaj komedie, me të vetmin justifikim; “kemi nevojë për të prezentuar artin, letërsinë, kulturën tonë në këtë vend”!
Agim Ramadani nuk pranonte të ecë me ritmin e opinionit, situatës që mbizotëronte atëherë në shpirtin e shqiptarit, pra të shkoqet duke folur për atdheun, thjeshtë vetëm sa për t’u çliruar nga dhimbja për vendin e shkelur, atdheun që po deformohej e shprazej nga një armik i përbetuar i tij. Një gjë ishte e qartë; ai gatuante diçka në kokën e tij, diçka që duhej të mbetej e fshehur në zemrën dhe shpirtin e tij. Diçka që as më të afërmit e tij nuk duhej ta zbulonin. Të vetmit tradhtarë që e vënin në situatë të vështirë shpesh herë ishin sytë e tij, mënyra e reagimit të syve të tij, që përloteshin nga gërryerja e brendshme, nga dhimbja, sa herë që të refuzonte të bëhet varrës i njërës apo tjetrës teori, njërës apo tjetrës parti, në lidhje me variantet e shumta që do t’ua sillnin lirinë shqiptarëve.
Agim Ramadani njeri apolitik? -pyeta veten njëherë përderisa i qëndroja përballë duke e psikologjisur me qëllim që të depërtojë në botën e mistershme të mendimeve të tij, e cila botë me një zotësi hyjnore fshehej pas syve të tij të kristaltë.
“A i beson ti kësaj thënieje: Lufta është një anakronizëm. Do të vijë një ditë që fitoret do korren pa topa dhe bajoneta” – më pyeti sa për të më penguar që të shohë përtej syve të tij, atje brenda në thellësitë e një shpirti që merrte përmasat e një llave që s’dilte dot jashtë nga trupi i disciplinuar i një ushtaraku. Truk i qëllimtë. Thashë në vete, duke u përulur heshtazi për zotësinë psikanalitike të tij.
“Po” – i thashë.
“Ti je i sigurtë se tash është një kohë e tillë”
“Jo”.
“Domethënë edhe ti mendon se unë dhe ti nuk e kemi pasur për fat të lindim në një epokë të tillë. Sa të pafat që jemi. Sa bukur do të ishte kur njerëzit të zgjidhnin të gjitha problemet duke biseduar me njëri tjetrin” – shikimi i Agim Ramadanit u përqëndrua në një pikturë që qëndronte varrur në murrin e lokalit ku qëndronim. Ishte një peisazh i ndonjë amatori, por i bukur.
Pas një heshtjeje:
“Për një gjë nuk kam frikë. E dij se vetëm të drejtët mund të ecin nëpër Via Triumphalis –in e kohëve. Kësaj rradhe jemi ne ata”.
Gjatë asaj bisede kuptova se Agim Ramadani ishte një njohës par-exellance i Napoleon Bonapartës. Një njeri, për të cilin përballë lirisë së atdheut të tij, të gjitha ngjyrat, politikat dhe partitë ishin elemente që bëheshin vetëm atëherë të rëndësishme kur të “veshnin uniformën e hijshme të luftës për liri”. Ndërsa arti i shërbente atij për të mos mallkuar ashpërsitë e jetës.
Ai kishte zbuluar çelësin se si të sillet me dhimbjen, në epiqendrën e saj ai kishte zbuluar formulën e të vuajturit bukur.
2. (Botëkuptimi mbi atdheun dhe lirinë)
Rrugës për t’u kthyer në Qendrën Kulturore, të cilën e kishte themeluar dhe udhëhiqte ai fillojë të flasë, si asnjëherë më parë, për Atdheun. Ai zhvillonte një monolog ku një skeptik si unë vetëm mund të pohonte me kokë pa pasur mundësinë ta përflakë një argument të vetëm.
“Ti e di atë historinë e atij Odiseut, që deri në ditët e sotme, po citohet e stërcitohet. E di pse historia e tij mbetet gjithmonë aktuale? Për arsye se bëhet fjalë për atdheun. Pas luftës në Trojë ai nis udhëtimin për në Itakën e tij, rrugës i jepen mundësitë ëndrrimtare për të ndejtur tek Kalypsoja, ku do të jetonte si një princ, me gjithë të mirat, si një mbret hyjnor, mirëpo atë nuk e kënaqin gjithë ato lukse që gjenden vetëm në parajsë dhe vazhdimisht luftonte me shpirtin e tij për t’iu kthyer atdheut, Penelopës së tij, e cila as për një milimetër nuk mund të krahasohet me bukurinë magjepsëse të Kalypsos. Pse vallë? Krahasoje këtë histori homerike me ne. Ne, në planin social kemi gjithë të mirat këtu në Zvicër, askush nuk ndjek e vret, kemi mundësi të bëjmë çka të duam, të flasim, të qeshim, të vallëzojmë, mirëpo pas gjithë këtyre të mirave qëndron një idhëtirë, një dhimbje që për çdo mëngjes përpiqemi ta shtypim e nxjerrim me dhunë nga zemrat tona, por pa sukses, ajo kthehet sa herë që të marrim frymë. Sa herë që të përmenden fjalët; nënë, baba, shqip, flamur, liri, atdhe, një thikë e mprehtë ta pret shpirtin, zemrën dhe trurin në dysh. Unë nuk i jam i gatshëm përjetësisht të jetoj duke vënë dorën në zemër nga dhimbja që shkakton ajo thikë e neveritshme. Askush nuk do që të jetojë me një dhimbje të tillë. Nuk e besoj në ka ndonjë qenie të tillë, e shtegtuar si Odieseu, që jeton pa atë dhimbje. A më kupton? S’ka natë që nuk çohem për të shikuar gruan dhe fëmijët e mi kur flejnë. Dhe sa herë që kujdestaroj mbi gjumin e tyre më kaplon një inat i pakontrollueshëm, një zemërim që më bën të bërtasë deri në kupë të qiellit; Në emër të Perëndisë, kush është ai që përpiqet t’ua marrë të drejtën fëmijëve tanë për t’u rritur në atdheun e tyre? Ç’drejtësie na qenka kjo, kur njeriut ende pa dalur nga barku i nënës i merret e drejta për të lindur i lirë në atdheun e tij, duke e ndëshkuar atë që të përballet me jetën jashtë, diku në ndonjë skaj të botës. Cili është faji i fëmijëve të mi që të lindin të mallkuar me dënimin e të dëbuarve, të ikurve!…”
(Përkundër bisedave të shumta të këtij karakteri, diskutimeve që zhvillonim sa herë që të takoheshim në Qendrën Kulturore Shqiptare apo diku tjetër depërtimin tim, në botën, karakterin dhe idealin e tij e arrita veç atëherë kur u konfrontova me artin e tij; me poezinë dhe pikturën. Kjo ishte një ndihmë, që përveç mendimeve filozofike mbi atdheun, lirinë, kulturën dhe shkathtësinë intelektuale të Agim Ramadanit që e njihja nëpërmjet bashkëbisedimeve, të njihem edhe me atë botën e fshehtë e të brendshme, të fshehur pas syve të tij, e sidomos të njoh synimet e tij, që do të pasonin më vonë në vepër)
3. (Poezia e përmasave hyjnore)
Njeriu ka mundësi të shumta që idealin e vetë, ëndrrat e tij, vizionet t’i mbajë të pashpaluara, si një sekret të çmueshëm që i jep përmbajtje shpirtit të tij, një ligj që vlen vetëm për qeniet që s’kanë të bëjnë me artet, ky rregull vlen vetëm për njerëzit që nuk bashkëjetojnë me presionin e padurueshëm të prodhimit intelektual.
Artisti është e vetmja qenie, të cilit i është suprimuar e drejta për të mbajtur fshehur dytëshorin e vetë. Gjithçka është si në vitrinë. Poezia e Agim Ramadanit – si tek rrallëkush tjetër – ishte një mundësi e mrrekullueshme për të deshifruar vizionin, idealin e tij. Më konkretisht; në studimin e sipër të poezisë së tij mund të lexoje mbarë biografinë e një njeriu, atë që njihej dhe atë që do të pasonte.
Kishte kaluar një kohë e gjatë që njiheshimi. Shkalla e miqësisë sonë kishte mbrritur deri në atë nivel saqë unë rrallë botoja ndonjë ese pa ia dhënë atij së pari në dorrëshkrim. Ndoshta edhe për shkak të faktit se Agim Ramadani ishte një lloj azili për mua; sa herë që më shfaqej nevoja për të diskutuar diçka ndryshe nga seç ishte e zakonshme nëpër lokalet e klubeve, të cilat shqiptarët i kishin shndrruar në tribuna referatesh patriotike, nisesha drejt Qendrës Kulturore me shpresën për ta gjetur aty. Për të folur për artin, letërsinë, për ndonjë libër a shkrimtar që e njihnim që të dy. Në një takim të tillë ai nxjerr nga xhepi ca letra dhe kërkoi prej meje që t’i lexojë pas ndarjes me të.
Ishin tre poezitë: “Në mungesën time” (1994), “Kosovë” dhe “Patjetër do të vij” (1996).
Atë që vazhdimisht isha përpjekur ta zbuloj në thellësitë e frymës së Agim Ramadanit, pra pjesën e mëtutjeshme të biografisë së tij, qëllimin e tij për të cilin fliste me aq siguri parashikuese sikur të dijnte çdo detaj se si do të zhvillohet i gjithë procesi i “jetës me vdekje” për të “kaluar në jetë” dhe përtej saj, në amshueshmëri! Ja poezia, antologjia mbi fatin e prezencës fizike të një artisti në një planet para se të udhëtojë në tjetrin:
Në mungesën time
Tani unë jam hi dhe hije nuk jam
Se kam ndërruar jetë askush nuk e di
Më kërkojnë pyesin ku kam mbetur
Në trupin tënd të brishtë jam shkrirë
Nuk jam tretur
Ndjenja e parë që mu shfaq në ato çaste, pasi që lexoja e rilexoja pandërprerë poezinë, ishte ajo e pranimit të vjershës si një faktum, si një parashikim real e të vendosur. Në jetën time vetëm një tekst e kam vulosur si një parashikim të vërtetë, sepse kishte ndodhur, bëhet fjalë për tekstin biblik (Marku 14,12-26) ku Jezu Krishti përshkruan mënyrën e arrestimit dhe ndëshkimit të tij në kryq me ndihmën e njërit nga dyshepujt e tij Juda Iskariot. Krishti e bën këtë “denoncim” me të vetmin qëllim që pas vdekjes së tij t’i besohet që vërtet ka qenë Krishti. Kështu edhe ndodhë.
Natyrisht, që në brendinë time zhvillohej një luftë për të mos pranuar situatën ashtu siç ishte, duke u përpjekur të bind veten se bëhet fjalë për një poezi ku simbolika, synimi i autorit për t’i dhënë dozën e merituar të përjetshmërisë një artefakti duhet të jetë evident dhe se në jetë kisha lexuar mijëra poezi po të të njejtës përmbajtje e të ngjajshme, mirëpo ajo luftë, ai eufemizëm përfundonte sa herë që t’i dilja përballë autorit të atyre vargjeve.
Asnjëherë nuk pata guximin që t’i them apo ta pyes diçka rreth asaj poezie. Më kujtohet vetëm një rast, ku në mënyrë indirekte shfrytëzova një histori me qëllim që ta vjedh mendimin e tij rreth kësaj çështjeje. Disa ditë para se ta takoja, mora vesh se në luftën boshnjake kishte rënë një njeri që e njihnim që të dy, respektivisht, nëpërmjet meje u njoftua edhe Agimi me të gjatë një ndeje në Hotelin “Central” të Zürichut. Ishte një oficer i lartë me origjinë shqiptare nga Maqedonia që kishte ikur disa muaj më parë nga Mostari.
“More vesh që X ka rënë në luftë. Ç’qenie është një njeri që le familjen, gruan dhe fëmijët dhe shkon me vetëdije të vdesë. Për mua kjo gjë mbetet absurd. As e shoqja e tij nuk e kupton veprimin e tij!” – para se të përgjigjet më shikoi sërish ngultas dhe pas një pushimi;
“Ah sa fatlum jam që nuk kam një grua si e tij. Jam i sigurtë që gruaja ime edhe më mirë se unë do të dijë se si të sillet me dhimbjen, vajin e vuajtjen. Është një dhuratë groteske, një mrrekulli në vete që njeriut i jep forcë për t’i dhënë kuptim edhe më dinjitoz misionit që e ka të ndarë si fat. Sa herë duhet të trazohet në varr X nga mallkimet dhe vuajtjet e gruas së tij. E dij se në varret tona nuk do të depërtojnë kur piskama neveritëse vaji, por vetëm dufti i lehtë i shpirtërave tonë, kupton? Nuk është lehtë të gjesh një partner jete që ka të njejtin shpirt me ty!
Nuk të besoj se ti e sheh si absurd veprimin e X-it. Varret se si shkon njeriu në luftë; me dëshirën për të përjetuar me çdo kusht lirinë apo me vendimin për të sjellur me çdo kusht lirinë. Tipi i parë i njerzve vuan nga sindromi i egoizmit dhe konfirmimit të vetvetes, ndërsa i dyti është idealist e i pastër që lirinë e sheh mbi interesat e vetvetes, pra ka synime më të gjëra. Natyrisht që të dy kanë qëllim fisnik dhe njejtë vuajnë nga dhimbja për atë që lënë pas, mirëpo kjo dhimbje – natyrisht nëse e ke një dhunti të tillë shpirtërore – shndrrohet në një realitet të bukur kur je i sigurtë se ata që le pas nuk do të jetojnë qençe, si robër dhe të shtypur”.
Agim Ramadani më përflaki çdo shpresë për të kuptuar ndryshe poezinë e tij nga ajo se ç’ishte. Eufemizmi im për të bërë të durrueshme situatën u bë copë.
A nuk i përngjan poezia e Agim Ramadanit “Në mungesën time” një profecie të përmasave të asaj historisë së Krishtit në “Darkën e Pashkëve”? Çka s’ka ndodhur nga ajo që e parashikon Agim Ramadani? Gjithçka!
Vetëm një poet që ka dhuntinë e parashikimit, që konstruktin e vizioneve e sheh me një qartësi të skajshme mund të shkruaj poezinë në këtë mënyrë aq të përkryer, poetikë që mund të shkruhet vetëm nga hyjnorët, nga ata, me idealet e të cilëve pajtohet absolutisht edhe vetë Perëndia ose është një punë e sajuar prej tij. Pas vërtetimit të përmbajtjes së poezisë së Agim Ramadanit nuk mbetet shteg tjetër, përveçse atë poezi ta shpallim hyjnore!
4. (Arti – dialog)
Pasi që kishte lexuar një ese timen për pikturën e Georges Braque në një gazetë të përditshme më thirri në telefon. Kërkesa e tij ishte që të takoheshim diku pasdite. Në bazë të bisedës së shkurtë telefonike pandeha se i ka lindur ndonjë ide për të prezentuar ndonjë shkrimtar shëtitës nëpër Evropë dhe do që të më ngarkojë me ndonjë detyrë. Përderisa e dija që nuk do të mund ta refuzojë – kjo ishte edhe njëra nga mjeshtritë e tij – vërdallja nëpër kokë dilemën të shkojë apo të mos shkojë. Në fund triumfoi dëshira për të biseduar me të. Fillimisht shprehu mendimin e tij në lidhje me eseun tim, gjë që më habiti, sepse kurrë më parë nuk kishte ngjarë që ai të flasë për pikturën e as që e dija se ai pas veti kishte më se një dekadë ekspozimi.
Më solli para një minipikture që e kishte në zyrën e tij, në qendër:
AR. Si të duket kjo pikturë?është “Portugezi” i Georges Braque i thashë – pa i dhënë ndonjë mendim mbi të.AR. A sheh ti këtu ndonjë portugez, mbi të gjitha a sheh ti këtu ndonjë njeri?Jo. – i thashë, pa pasur mundësinë që të filloj interpretimet e mia për të marrë në mbrojtje teorinë time mbi Braque-n që e kisha shkruar në eseun që kishte lexuar ai.AR. Pse atëherë pranojmë verzionin e autorit dhe themi ja këtu është “portugezi” përkundër faktit se në atë punim shohim vetëm fragmente të grisë të formësuara në elemente të deformuara gjeometrike. Dakord, e di se do të më thuash, jo Braque ka dashur të vizatojë portugezin dhe ka dështuar që në fillim të idesë së tij, apo ndonjë arsyetim tjetër, që ju kritikët nuk i keni të mangët, mirëpo autori ndoshta nuk ka dashur asgjë tjetër përveç se të portretojë njeriun, portugezin ashtu siç e sheh ai. (pa kuptuar se ku do të dalë e përfundojë biseda jonë) Mirë, nuk është njeri e as portugez, prandaj kam thënë se potugezët tek Braque janë pa formë dhe përmbajtje.AR. Ke rënë në grackën e asaj teorisë absurde mbi “ Ligjet për masën dhe formën e sendeve në art” me të cilën na kanë çarë kokën kritikët e artit socialist. A kam të drejtë? Je dakord që artistit, piktorit, krijuesit nuk mund t’i vëhen ligje e rregulla se si të shprehet ai? Të gjithë janë dakord se damat e Avinjonit nuk mund t’i ndeshim në rrugë ashtu siç i ka vizatuar Picasso në pikturën e tij “Les Demoisselles d’ Avignon”, mirëpo ai sheh ashtu lakuriqe e të deformuara. Ajo është “masave e sendeve” siç i sheh Picasso, ku e merr të drejtën ta kontestosh lirinë artistike të Braque – vetëm sepse nuk përputhet me konditat e tua skolastike.
Ishte e vërtetë. Para se të shkruaj eseun mbi Braque, sapo kisha përfunduar studimin e “Ligjeve themelore të artit” të Todor Pawlow-it, pra ishte e vërtetë që kisha rënë në grackën e të menduarit socialist mbi artin, gjë që Zoti na ruajt, në asnjë mënyrë nuk ia shpreha atij, thjeshtë për shkaqe krenarie e imixhi.
Që nga çasti kur pashë edhe disa nga pikturat e tij konstatova se nuk kam të bëj vetëm me një njeri të lexueshëm në fushën e teorisë mbi pikturën, por edhe me një artist që mjeshtërisht di të sundojë me ngjyrat. Kisha të bëjë me një stil, me të cilin për herë të parë u takova në Qendrën Kulturore Shqiptare dhe për të cilin nuk mund të shkruhen vetëm disa rreshta, ashtu siç kërkon natyra e këtij eseu.
5. (Përjetësia e një ekspozite të hapur në Koshare)
Për herë të fundit, Agimin e kam takuar në një qytet të Zvcirës frankofone, pas një tubimi që kishte organizuar me ca ushtarakë tjerë kosovarë. Në atë periudhë Agimi gjendej në luftë. Këtu në diasporë, partitë politike jepshin e merrshin për të bindur opinionin se brigada e tij i takon këtij apo atij taborri politik, kësaj partie apo asaj partie. Për shkak se Agimin e njihja ndryshe, ashtu siç ishte zakoni, në mes nesh, pa dorrëza e pyeta dhe mora atë përgjigje që edhe e pritja; “Atje në luftë nuk ka parti, partitë janë këtu. Atje ka vetëm ushtarë të uniformuar që luftojnë për çlirimin e Kosovës. Ti e di idealin tim dhe ti e di se ai nuk përfundon në kufinjtë e sotëm e të dhunshëm të Kosovës… dëgjohemi së shpejti…”. U largua po me atë qëndrim po me atë buzëqeshje dhe vendosshmëri siç e kisha njohur përherë. Një dhimbje, për atë çast, e pakuptueshme më përshkoi trupin.
Jo, një njeri i tillë s’ka se si vdes – i thashë vetes duke u përpjekur ta largojë nga mendja përmbajtjen e poezisë së “Në mungesën time” dhe realitetin e kobshëm të saj.
Në çdo lajm për sukseset e brigadës së tij në luftë dëshmoheshin etapat, episodet që përmbante struktura e idealit dhe parashikimeve të tij. Frika bëhej edhe më e madhe. Në një mëngjes, kur lexova titullin e madh “Ra kufiri në Koshare – simbol i bashkimit kombëtar” dhe kur më tej pashë emrin e Agim Ramadanit u mbylla në studion time dhe fillova të luftojë për të realizuar njërin nga amanetet e shumta të Agim Ramadanit: Të vuaj e vajtoj bukur!
Agimi Ramadani, tashmë nuk është vetëm një legjendë, por një shpirt që është shkrirë në trupin tonë si individual ashtu edhe kombëtar. Ai vuri në realizim atë që premtoi. Gjatë qëndrimit në mesin tonë ai me veprën e tij ishte vazhdimisht në përpjekje për të thyer murret intelektuale nëpërmjet pikturës dhe poezisë së tij, në luftë ai theu kufinjtë që ndanin trupin tonë duke i dhënë atdheut fytyrën e tij të natyrshme, ndërsa tash e përjetësisht ai udhëheq në “Rrugën” që shpie drejt lirisë absolute të qenies shqiptare. Mbetet e hapur vetëm çështja se kush do të ecë e kush jo pas tij. Thirrje-testamentin e ka bërë Agim Ramadani tre vjet para se të triumfojë në Koshare:
Unë i robëruari
Ju ftoj
Në ekspozitën time
Të pavarur.
Në ekspozitën e përjetshme të një ideali të përjetshëm.