1.
Për ca çaste hodhi ajo uniformën dhe logjikën e polices anash, mori shtat presidencial dhe i dha absurdit politik shqiptar peshën e merituar zyrtare. Jahjaga tha; «Në këtë përvjetor të madh të shqiptarëve, duhet bërë vlerësim të drejtë të personaliteteve të historisë njëqind vjeçare të Shqipërisë së pavarur» (fotolajm në Zëri online). Nuk ka rëndësi se a u bë kjo deklaratë për ta çbanalizuar apllauzin e saj mbi skeletin e Zogut apo për ta paralajmëruar historiografen e re. Të rëndësishme janë implikimet që ekspozon kjo deklaratë: E para presidentja na tha se personalitetet e historisë shqiptarë nuk janë vlerësuar drejtë dhe e dyta: vlerësimi duhet bërë tash gjatë festës së pavarësisë! Pikërëne mund të reagojnë historianët: Rivlerësimi i historisë nuk bëhet saora e më hiç festave e asnjëherë nga politikanët.
Me të drejtë mëkeqen dasmorët dhe pyesin veten pse gjithë ky eskortim, deplacim eshtrash, ngritje e thyerje përmendoresh, për çka gjithë ky fabrikim mitesh e martirësh kur e dimë se vlerësimet e bëra deri tash as përrallës së Grimm-ëve me kësulëkuqen nuk i afrohen dot? E kjo pikësëpari nuk duhet t’ua shtojë frikën nga epilepsia politikanëve por shkencëtareve profesionalisht te falimentuar.
Ripërballemi me pyetjet se pse dhe si feston politika shqiptare?
2.
Çdo festë e madhe ka organizatorët, masën, statistët dhe perceptuesit e saj; për festat aktuale patronazhin e kanë qeveritë dhe ato janë aq histerike saqë jo vetëm mbarë bota detyrueshëm i percepton por edhe gjitha delet e Ballkanit hutueshëm kërkojnë korridore të reja emigrimi për t’i ikur gjenocidit së festës shqiptare. Masa feston me flamuj të deformuar, me dhjetëra këngë të reja, me kalorës që mbi, kuaj, pela e mushka ia kanë mësyrë Vlorës së peshkatarëve për ta nderuar shtëpizën prej ku u thirr pavarësia. Jo vetëm qyteteve lartë poshtë gjeografisë «etnike» janë veshur dasmorët me plisa e tirqe por edhe në selinë e NATO-s copëtohen e njëgëlltitshëm zhduken copat e tortës megadimensionale. Cjapthshëm krekosen gazmorët gjithandej botës; zëtërmetshëm i tregojnë botës se «gjithmonë do ketë gjak shqiptari» (çka edhe urojmë); akuzojnë e vajtojnë se ua prenë udhën në Hot e Grudë se ua dogjën Çamërinë, aq dhimbshëm, me aq dramacitet saqë edhe qytetarit më indiferentë ia shkaktojnë cirrozën e zemrës. Festëvaji ka përlarë tokë e qiell.
3.
Shqiptarët dinë të festojnë ashtu siç edhe vajtojnë ; bukur! Histeria këtij moti sponsorizohet nga qeveritë. Dhe saherë që të përzihen aktivisht ato e bukura e festës shqiptare shndërrohet në shëmti, tragjikomedi përplot paradokse, absurde, primitive. Njëri thotë Zogu ishte bylbyl, tjetri e akuzon si korb, njëri përbuzë Ismail Qemalin si shantazhues, tjetri thotë Isa Boletini duhej ta shpall pavarësinë, sikur të ishte detyrë e Atifete Jahjagës t’i vulosë të vërtetat historike. Dasmori i shkretë irritohet aq rëndë saqë dhunshëm asgjëson tonelata birëpeje për tu zgjuar pastaj vërdallshëm odës, për t’iu ikur rrufeve në kokë dhe për të gjetur në fund «shpëtimin» tek melodia e «nëntorit të ftohtë» të «Jerichos». Mirëmëngjesi realitet. Si të kam skamje? A prapë ti depresion? Ku mbetën qeveritë?
Ato janë në mbledhje me historianët e oborrit, duke skicuar strategjinë se cila festë e radhës mund t’iu shërbente për ta estetizuar realpolitikën e tyre?
4.
Veprimet e qeverive shqiptare gjatë kësaj feste të pavarësisë nuk mund të merren gjithaq të përqendruara në demonstrimin e doktrinës së autoktonitetit etnik karshi botës. As megaparadoksi i realpolitikës prishtinase «dy shtete, Kosovë e Shqipëri nuk u bënë me dëshirë» nuk e maskon suksesshëm «filozofinë» karnevalizuese të qeverive që i bëjnë kujtesës historike për qëllime vetëlegjitimimi. Ato hiperbolizojnë të kaluarën – ato pjesë që i preferojnë në sajë të gjykimeve personale – jo sepse ndihen vërtet krenar me to, por për të estetizuar komunikimin e tyre politik, për ta prekur masën edhe fizikisht, për të sugjeruar se veçse nuk plasin nga euforia dhe gëzimi kur gjenden para portretit të mjekrës simpatike të Ismail Bej Vlorës.
As të festojmë nuk dimë si njerëz?
Në ç’rrethanash kanë nevojë politikat për festime të tilla histerike? Profesori i Universitetit të Bielefeldit Wolfgang Braungart e ka një teze për këtë çështje (Estetika e Politikës, 2012). Ai thotë se si zakonisht elitat politike pa vizion, sish që nuk i besojnë vetes, që e dinë se kanë humbur kreditin e masës janë të detyruara që kujtesën historike ta shndërrojnë në «rezervuar të komunikimit politik» dhe «sa më shumë religjiozitet ti japin kujtesës aq më suksesshëm përvetësojnë masat».
Kuptojmë drejtë: qeveritë shqiptare keqpërdorin kujtesën tonë historike sepse e dinë se s’ia vlejnë fare? Nëse kjo nuk është për festë atëherë çka tjetër?
Akti i pavarësisë është për festë! As ky shkrim kritik s’duhet t’ia prish festën askujt. Organizatorët nëse ju neverisin, kur ta mbarojnë ligjëratën futni duart në xhepa!