Gratë shqiptare nga Maqedonia në Zvicër: ato nuk e flasin gjuhën e vendit, vegjetojnë të mbyllura nëpër banesa e në raste jo edhe të rralla edhe keqtrajtohen fizikisht..
Në Zvicër jetojnë rreth 200 mijë shqiptarë të ardhur nga Kosova. Kryesisht familje të ardhura në periudhën 1970 – 1998. Sipas statistikave paushalle të organizatave zvicerane që merren me çështjen e grave një e treta e grave të këtij komuniteti bëjnë jetë të izoluar nga shoqëria. Ato nuk dinë të komunikojnë në gjuhën e vendit, nuk angazhohen në sistemin social e nuk aftësohen profesionalisht. «Shumica prej tyre nuk kanë as lidhje telefonike me atdheun e tyre», thotë Sussana B*, aktiviste e Unionit zviceran të organizatave të grave.
Aktivistja e kësaj organizate, shqiptarja Lirie N.(31) di edhe më shumë për këtë problem «Burrat janë pajisur të gjithë me mobilë dhe i kanë hequr telefonat e shtëpisë, kështu që gratë as me familjet e veta nuk mund të komunikojnë». Ato, sipas saj bëjnë jetën e skllaveve që «gjithë aktiviteti i tyre sillet rreth përgatitjes së ushqimit, larjes së këmbëve të burrit dhe plotësimit të nevojave seksuale të bashkëshortit. Më shumë asgjë. Ato as jashtë nuk mund të dalin pa ndonjë shoqërues», është e sigurtë aktivistja shqiptare në organizatën në fjalë. Ajo di shumë raste ku përdoret edhe dhuna.
Bahrije I. (33) poashtu aktiviste për të drejtat e grave shqiptare në Zvicër dy herë e ka paditur burrin e saj në gjyq për përdhunime fizike «Unë kam shumë shoqe që e kanë të njëjtin fat. Vijnë atje në atdhe, na premtojnë tokën e qiellin e kur vijmë këtu pastaj na rrahin, mashtrojnë me femra tjera dhe na mbajnë të mbyllura» shprehet ajo duke u dridhur. Mirëpo ajo e pranon se ky problem nuk mund të përgjithësohet, vetëm se numri i viktimave «është i madh. Shumica e shqiptareve as që dinë se ku duhet të drejtohen për ndihmë».
Në izolimin e femrave shqiptareve përveç fenomenit të lartpërmendur ndikojnë edhe faktorë të tjerë, thotë Sybille B. «Shumica e atë ardhurve nga Ballkani jetojnë ende me rregullat e traditës, ku gruaja bën punët e shtëpisë dhe nuk del jashtë pa “truprojë”.
Nuk duhet harruar në këtë kontekst se shoqëria zvicerane nuk ofron asnjë ndihmë në këtë drejtim, madje shumë gra e kanë të pamundur, për shkaqe familjare të shkollohen apo mësojnë gjuhën». Sybille B. ka të drejtë. Të huajt kanë rroga fare të vogla dhe mezi mbajnë materialisht familjet e mëdha.
Shteti nuk ndihmon, por atë e bëjnë të tjerët. Ka vite që Organizata të ndryshme lansojnë projekte që kanë për synim pikërisht nxjerrjen e sa më shumë grave shqiptare nga izolimi. Gratë zvicerane shoqërohen me ato shqiptare dhe i marrin me vete nëpër klube, takime, kurse me qëllim që të krijojnë kontaktet e veta me rrethin. «Shumë gra tash janë bërë të pavarura dhe nuk presin burrat të kthehen në shtëpi për të blerë diçka, për të kryer një punë e të ngjashme. Para se të angazhohen në këto projekte nuk njihja asgjë tjetër përpos burrit dhe miqtë e tij, sot është ndryshe», thotë Shqipja me origjinë nga Tetova. Ndërkaq zvicerania Anna H. që i qëndron anash duke qeshur «edhe pse kjo mund të ishte vajza ime, jemi bërë shoqe të pandashme». Një shembull i mirë. Që ka sukses vetëm në ato raste kur burrat janë dakord që gratë e tyre të dalin nga izolimi. Çka ndodh me ato që burrat nuk kanë interes t’i lirojnë nga prangat e izolimit?
«Asgjë», thotë Sybille Burger. «Madje edhe në raste kur përdoret dhuna ligji s’mundet intervenojë, për shkak se gratë kanë frikë të flasin, qoftë nga droja mos t’i humbin dokumentet e qëndrimit, qoftë nga frika të mos braktisen e mbeten rrugëve, e shumë faktorë tjerë». Sipas saj situata më e rëndë është tek imigrantët shqiptarë nga Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. «Sidomos religjiozët janë të ashpër, madje duke rrezikuar edhe ardhmërinë e fëmijëve të tyre», thotë ekspertja Burger.
Bahrija dhe Shqipja e kanë thyer murrin e izolimit, ato tash kanë mësuar mjaftë për t’iu ndihmuar tjerave të dalin nga skllavërimi. «Lehte nuk do të jetë», thonë ato të vetëdijshme.