Ligji për të huajt «në djep»

DËBIMI I SHQIPTARËVE NGA ZVICRA (3) – Fëmijët, kanë bërë ëndrrat dhe planet mbi ardhmërinë e tyre këtu, është shumë rëndë që t`i bindësh ata për logjikën e ndonjë «ligji për të huajt» apo për konditën zakonore shqiptare «atdheu yt është ai i prindërve të tu…» si arsye për largimin e tyre. Për të dëshmuar tradicionalitetin e saj paqësor dhe demokratik zvicrës i duhet një angazhim pak më i madh dhe më konkret rreth të drejtave elementare njerzore dhe ligjeve të saja, të dalura pas viteve të nëntëdhjeta. 

Fëmijët, janë pjesa më e ndieshme e gjithë këtij procesi. Ata janë rritur, shkolluar dhe kanë krijuar ambientin e tyre sipas standardeve të këtushme jetësore. Për ta është mjaftë rëndë fillimi i  jetës prej zeros. As lotët e tyre nuk ndihmojnë që organet kompetente të mendojnë pak më thellë, më arsyeshëm duke pasur parasyshë konsekuencat që dalin prej vendimeve të tyre të përshpejtuara. Fëmijët e lindur këtu, pa marrë parasyshë origjinën e prindërve të tyre kanë të drejtë qëndrimi këtu. Faktikisht, atyre dikush ua mohon të drejtën e jetesës në vendlindjen e tyre. Është e vërtetë se lindjen dhe rritjen e tyre këtu e ka shkaktuar e drejta e qëndrimit të prindërve të tyre në Zvicër, por tani kur ata, kanë bërë ëndrrat dhe planet mbi ardhmërinë e tyre, është shumë rëndë t`i bindësh për logjikën e ndonjë «ligji për të huajt» apo për konditën zakonore shqiptare «atdheu yt është ai i prindërve të tu…» etj. Ata duan të mbesin këtu deri sa të vendosin vet për çdo veprim tjetër, që mund ta sjellte më vonë formimi dhe pjekuria e tyre.Alternativë e vetme përmirësimi mbetet përbashkimi i të gjithë shqiptarëve me status të rregulluar në Zvicër që të formojnë ndonjë institucion, i cili do të komunikonte me institucionet përkatëse të shtetit rreth menjanimit të problemeve ekzistuese

LIGJI QË THEN ËNDRRA 

Albana Sejfuli, nxënëse e klasës së shtatë në shkollën e Lindenit nuk beson në gjithë këtë; «Sigurisht, policia ka gabuar. Ne nuk kemi bërë kurrgjë kundërligjore, që të na përzënë!». Asgjë kundërligjore nuk ka bërë familja e saj. As policia nuk është duke vepruar kundër ligjit, ajo ka një ligj të nënshkruar nga Ministri kompetent që mund të përjashtojë këdo, dhe ky ligj është i aprovuar nga Parlamenti dhe realizohet nga departamentet përkatëse. Pra askush nuk është duke vepruar kundër ligjit. Përveç ligjit vetë. Ligj, ky që si pasojë përmbyll çdo rrugëdalje dhe djeg ëndrra fëmijësh. Sado absurde të na duket e gjithë kjo situatë e krijuar, është e vërtetë, i takon përditshmërisë së mërgimtarëve tanë të çdo moshe.  Dhe ate, këtu, në Zvicër. Albana dhe shumë nxënës tjerë shqiptarë do të lëshojnë zvicrën, pamarrëparsyshë dëshirat, planet dhe ëndrrat e tyre. Kushtu ka thë policia dhe kështu do të bëhet!

 DIKUSH DUHET TË VEPROJË 

«Unë nuk kuptoj asgjë. I gjithë ky teatër i policisë më përkujton një periudhë të tmerrshme të paraluftës së dytë botërore. Edhe atëherë, gjithçka ia filloi në këtë mënyrë…»-thotë mësuesi i shtyrë në moshë e i revoltuar i Albanës. «Albana dhe shumë nxënës tjerë që kanë lindur dhe shkolluar këtu numërohen ndër nxënësit më të mirë të shkollës. Ata punojnë pa pasur ndjenjën e inferioritetit dhe xhelozisë, janë të rregull dhe me një sjellje të mrekullueshme. Ne u përpoqëm të bënim diçka për të bindur komunën dhe policinë që të mos ndërmarrë një hap të tillë, mirëpo, ja…»- mësuesit Sherer gati i shpërthejnë lotët dhe vazhdon- «mua, si çdo qytetari tjetër të ndershëm nuk më vjen keq kur dëbohet ndonjë kriminel, i cili nuk meriton qëndrimin këtu, mirëpo të përzëshë familje që tërë jetën kanë kaluar këtu duke punuar dhe fëmijë-shkollarë nga bankat dhe bashkëmocanikët e tyre, më duket pak si e tepruar. Kundër kësaj poltike dikush duhet të çojë zërin. Dikush duhet të ndryshojë diçka. Kush?!

 DUHET RISHIKUAR KOMPETENCAT E POLICISË

Për të dëshmuar tradicionalitetin e saj paqësor dhe demokratik zvicrës i duhet një angazhim pak më i madh dhe më konkret rreth së Drejtave elementare njerzore dhe ligjeve të saja, të dalura pas viteve të nëntëdhjeta. Kompetencat e dhëna Policisë për të Huajt duhet rishikuar dhe matur mirë. Sot ndoshta janë të huajt elementi i shfryrjes policore dhe politikës së Blloherëve, ndërkaq nesër mund të jenë vetë qytetarët (me origjinë zvicerane) viktima të agresivitetit të tyre (1. Maji i Cyrihut nuk dëshmon diçka tjetër, por pikërisht ….). Ekonomia zvicrane shtyllat e saja kryesore të zhvillimit i ka në sistemin bankar të saj, ku investitorët më të rëndësishëm janë kryesisht të huaj. As vetë zviceranët nuk besojnë në vazhdimin e jetës luksoze pa respekt ndaj faktorit të huaj. Me tre përqind sa përbën faktori primar i ekonomisë  së shtetit, as fantazerët patriotik nuk llogarisin në mbijetimin e ndonjë krize eventuale. Së fundi Zvicra duhet të realizojë në praktikë propagandën rreth përkrahjes së «botës së tretë…të dytë…»etj. Pasi një pjesë të saj (nëse i përshtatemi fjalorit dhe psikologjisë së zviceranit të pasur) e ka brenda. Zvicra është i vetmi vend në evropë, që instancat politike të shtetit nuk ka përfaqësues të komuniteteve, të cilat përbëjnë më se 10 përqind të numrit të përgjithshëm të popullatës. Pse?! Kush flet në emër të tyre. Prej nga di shteti për hallet apo problemet që mund të ketë kjo pjesë e popullatës. Apo askush nuk është i interesuar të dijë diçka rreth tyre.

 VETINJORIMI I KOMUNITETIT SHQIPTAR

Politika që aktualisht zhvillohet ndaj të huajve, e sidomos klasifikimi i shqiptarëve me qëndrim dy-tredhjetë vjeçar në botëra e tabore duhet ndryshuar. Dhe për këtë ndryshim nuk bartin përgjegjësi vetëm organet e ndjekjes policore po edhe vetë komuniteti shqiptar.

Kush duhet të bëjë diçka? Demokracia ka një ligj, që për ne shqiptarët e kohës së sotme është pak si i padëshiruar. Një rregull që kërkohet në çdo situatë me kërkesa konsoliduese- atë të vetangazhimit, përpjekjes dhe guximit. Në situata të tilla gjithmonë krijohet përshtypja sikur ne të presim gjithmonë prej të tjerëve për të bërë jetën tonë më kualitative dhe pa brenga. Angazhimi i komunitetit shqiptar përmblidhet i tëri rreth takimeve poetike, të ndihmave humanitare në emër të «Nënës Tereze» dhe dialogjeve «diplomatike» me ndonjë antar të ndonjë partie minore të Zvicrës. Alternativë e vetme mbetet përbashkimi i të gjithë shqiptarëve me status të rregulluar në Zvicër që të formojnë ndonjë institucion, i cili do të komunikonte me institucionet përkatëse të shtetit rreth menjanimit të rasteve që revoltojnë këtë komunitet këtu. Ose asociacionet ekzistuese duhet të kontribojnë pak edhe në përmirësimin e kushteve jetësore të mërgatës tonë këtu (përveç mbledhjes së targave partiake e patriotike).

Nëqoftëse zviceranët dhe shqiptarët vazhdojnë të kultivojnë këtë distancë në mes veti, duke injoruar njëri-tjetrin, «brigada» e të përjashtuarve, të keqpërdorurve do të shumohet sa e sa më shumë. Aq sa, numri i tyre do të mjaftojë për të urryer njëri -tjetrin deri në kulminacion. Gjë që asnjëra palë nuk e dëshiron. Urrejtja nuk është e shëndetshme apo jo?!

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...