Shpirti i keq është shkaktari kryesor që shumë qenie vdesin herët. Së pari ai i përvdes si karaktere, si njerëz, e më pastaj ua heq edhe të drejtën e funksionimit fizik. Pra i dërgon në nëntokë përgjithmonë
«Venediku mund të jetë i rrezikshëm» është titulli i romanit të shkrimtares së mirënjohur Frederika de Cesco. Në këtë roman ajo ka shpalon botën e brendshme të tre protagonistëve që akuzohen për vjedhjen e dy pikturave në «Pallatin e Vjetër» dhe për zhdukjen e një dorëshkrimi me vlerë antike. Ndoshta pa të drejtë. Në shpirtin dhe trurin e figurave në fjalë, Venediku mbetet synonim i rrezikut dhe misionit të dështuar për artistët e pakujdesshëm. Ata kurrë më nuk e vizituan Venedikun e as që e përmendën ndonjëherë emrin e tij. Gjithçka që u mbeti nga ajo vizitë ishte trema që për çdo ditë i zgjonte nga gjumi.
1. Portreti i krijuesit nga provinca
Njerëzit e kulturës e kanë për pasion ecjen nëpër shkallët antike të këtij qyteti madhështor. Sidomos poetët që kanë nevojë për frymëzim, ide dhe nxitje krijuese. Në raste të veçanta ndodh edhe e kundërta. Ka pretendentë që në sipërfaqen e ujit të këtij vendbanimi shohin qartshëm veten dhe heqin dorë nga «zanati» i dëshirueshëm. Ata vendosin që të mos bëhen poetë. Vendim fisnik dhe real. Njërën dorë në zemër e tjetrën ia japim të vetëbindurit, pasi e ka merituar një veprim të tillë. Problem është me ata që edhe pas shëtitjes mbi ujërat plotë monumente të detit të gjërë venedikas nuk kanë guxim të shikojnë fytyrën e tyre. Ka kjo të bëjë me ndonjë sëmundje në tru, nga e cila pason alivanosja apo pretendenti e ka parë veten qysh më parë në ndonjë prrua të provincës ku ka lindur dhe nuk i bindet portretiti të vet të bërë nga uji?
Zbërthimin e mëtutjeshëm të kësaj çështjeje ia lëmë si detyrë ndonjë pasuesi të Frojdit dhe Junges.
2. Kolonia e poetëve shtegtarë
Në një mbrëmje u takuan gjithë poetët e gjallë të kolonisë. Përveç poetëve vendës në sallën e porsangjyrosur të Selisë në Cyrih kishte edhe poetë të ardhur nga koloni të tjera artistike. Në xhaketat e tyre kishin të ngjitur nga një letër të verdhë formëdielli, ku ishin të shkruara dy shkronja me ngjyrë të zezë; «VT»! Domethënien e të cilave asnjëri prej deshifruesve specialë të kolonisë nuk e kuptonte. Kjo as që ishte me rëndësi në fillim. Starti duhej të bëhej pa asnjë ekces. Promovohej libri i një poeti që sapo ishte kthyer nga Venediku. Shumica e vargshkronjësve të kolonisë ishin bërë sy e vesh për të kapur ndër rreshtat e poezive të poetit ndonjë sentencë të njohur që e kanë lexuar nëpër murret e fortesave lapidare të qytetit të vjetër. Ca komedianë të moshuar, të dalë enkas, atë natë nga azilet e kolonisë për pleq shushuritnin me kolegët e tyre të rinj për të krijuar ndonjë situatë cirkusi në sallë.
Në njërin nga qoshet e shumta të sallës ishin rradhitur fotografitë e kufomave të heronjve lakuriq, të luftërave të ndryshme nëpër histori, ku kishin marrë pjesë artistë të kolonisë. Dhe ja një zë; «Ky varg është i vjedhur…asnjëra poezi s`bën» bërtiti njëri me të madhe. Ishte një nga ata që kishte shkuar në Venedik për t`u bërë poet e kishte mbaruar si portir i një bordeli meshkujsh. Venediku ka edhe bordele përpos pallateve gjigante të kulturës. Asnjë nga rrojtarët e Selisë nuk e kishte vërejtur kur ai ishte futur në sallë, prandaj edhe iu vërsulën për ta nxjerrë jashtë. Grupi i «VT-ve» u çua në këmbë për të dëshmuar të kundërtën e asaj që tha i dështuari, portiri i bordelit. Njëri më në zë prej tyre më në fund e zbërtheu enigmën rreth dy shkronjave që mbanin në krahëror, mu në afërsi të zemrës; » Edhe pse ne mbajmë këto dy shkronja, që janë inicialet e fjalëve «Vitkima të turmës» durrimi ynë nuk është i pakufijshëm. Poezitë e lexuara deri tani nuk janë nga murret e Venedikut. Akuzuesin e njohim, ai për shkak të shpirtit të keq, xhelozisë dhe urrejtjes ndaj vizitorëve tjerë të qytetit u dënua nga bota artistike dhe përfundoi në statusin që e mban me meritë.». U ulën VT-të dhe vazhduan të shprazin shishet e helmit, të servuara nga prijësit e kolonisë, në shenjë respekti. Të nesërmen raportuesit e gazetave të kolonisë, në vend të artikujve mbi takimin e mbrëmjes kishin paraljmëruar fillimin e grevës së urisë, të cilën do ta bënin, sipas tyre, për shkak të mungesës së frymëzimit. Fajin edhe kësaj radhe e ka përmendja e tepruar e Venedikut gjatë mbrëmjes. Poeti i promovuar i mbrëmjes kishte udhëtuar për në drejtim të kundërt, ai ishte nisur për të vizituar Piramidat e Egjiptit me shpresë se atje do të zbulojë formulën e profecisë.
Të shpresojmë se doganierët e kolonisë, nuk i gjejnë gjatë kthimit ndonjë shishe vrerë të falltorëve të Faraonit. Shkallë të akullta nuk ka vetëm Venediku, ata mund të gjenden edhe nëpër thellësitë e shkretëtirave të orientit. Rreziku nga rrëshqitja është ana tjetër e medaljes së të qenurit poet.
3. Shpirti i keq
Shpirti i keq është shkaktari kryesor që shumë qenie vdesin herët. Së pari ai i përvdes si karaktere, si njerëz, e më pastaj ua heq edhe të drejtën e funksionimit fizik. Pra i dërgon në nëntokë përgjithmonë. «Të kesh shpirtin e keq do të thotë të jesh i dënuar me vetvrasje mizore, tejet të ngadalshme dhe tmerruese»- ka thënë një njeri i mençur emrin e të cilit nuk do ta përmend qëllimisht. Prandaj edhe është vënë si kusht themelor Shpirti i Mirë – kriter për të gjithë ata që mendojnë se mund të bëhen artistë. Me qëllim që të shohin botën nga prizmi pozitiv, i bardhë dhe optimist. Qëllimi i arteve nuk është djallëzimi i jetës, por përjetimi sa më konsekuent dhe i lumtur i saj. Të gjithë ata që kanë lexuar romanin voluminoz të Gustav Flobert-it; «Edukata sentimentale» ose «Edukimi i zemrës» do t`iu bie ndërmend se ky shkrimtar i madh pranon vetë luftën e madhe e të gjatë që ai ka zhvilluar për të luftuar shpirtin e tij të keq para se të bëhet shkrimtar i madh. Mos vallë njerëzit qenkan të dënuar që të lindin me shpirt të keq sa që pastaj duhet të luftojnë gjatë për ta shporrur atë? Jo. Njeriu lind dhe edukohet padashje me rrethanat që ia imponon bota në të cilën ai jeton. Floberti moshën e tij rinore e kaloi ndërmjet luftërave më të rrepta të revolucioneve franceze, si ai 1848 dhe ekzekutimeve të njëpasnjëshme të qeverive në ndrrim e sipër. Ai si fëmijë për çdo ditë shihte se si u priteshin kokat francezëve të armiqësuar ndër veti. C`edukate mund të ketë një fëmijë i rritur (pa vullnetin e tij) me skena të tilla të jetës. Parasëgjithash, është shpirti i keq ai që pushton trurin dhe zemrën e një spektatori të tillë. Floberti e shpori atë me një punë gjigante prej artisti. Përndryshe do të kishte mbaruar si portir i bordeleve të Parisit apo thjeshtë një shkronjës shablonesh që është i infektuar nga sëmundja e të qenurit njeri me emër publik. Shpirti i keq, i cili përbëhet nga urrejtja ndaj vlerave, xhelozia, shpifja, etj. është agregatori që arrijnë shkatërrimin e qenies, në qoftë se ajo nuk përpiqet të krijojë një «projekt të edukimit të zemrës» nga e mira, e bardha. Floberti u bë artist i madh për arsye se e mundi të keqen në shpirtin e tij. Ai iu shërben sot si shembull qindra e mijëra njerzve që kanë për pasion të ushtrojnë jetën e artistit të merituar dhe si prijës që i nxjeri disa prej tyre nga thonjtë e pistë të urrjetjes shpirtërore.
4. Transformimi i karakterit
Flutura e madhe dhe e kaltër në gjoks ia jep atij emrin «Papillon». Një hajn i vogël nga Montmartri i dënuar me burg të përjetshëm për vrasje. «Kriminelët» e sojit të tij janë dërguar në ferrin e Cayennes. Emri i tij i vërtetë është Henry Chariere. Ai nuk ka bërë vrasjen, është i pafajshëm. Mirëpo askush nuk do që të dëgjojë zërin e tij të paforcë në mesin e turmës që bërtet vazhdimisht e me të madhe, duke kërkuar vdekjen e “vrasësit”. Kështu është kur përdhosen turmat e bëhen të pabindshme! Qëndrimi i këtij njeriu në burgun e pafajësisë nuk ka pse të mos shoqërohet me qëllimin e pakontestueshëm për ikje, hakmarrje dhe dalje nga prangat e hekurta të drejtësisë së rrejshme. Gjithë kjo ndërmarrje për të larë veten nuk e shpëton Papilonin nga mëkati i të qenurit hajn. Me një anije primitive ikë Papiloni nga burgu i Cayenn-ës dhe mbrrijnë në Kolumbi ku përsëri arrestohet nga policia dhe kthehet në qelinë e urrejtur të burgut. Dhjetë herë me rradhë, ky njeri i palodhur përpiqet për t’i ikur burgut.
Më në fund ia del që nëpërmjet Gajanës britanike të hyjë në Venecuelë ku pjesën e mbetur të jetës së tij e kaloi si njeri i sinqertë (edhe pse gjithmonë kishte qenë i tillë) dhe prind i suksesshëm.
Kështu është edhe me artistët që duan t’i ikin burgut të shpirtit të keq. Po si autori Henri Chariere apo Papiloni, i cili për tu larë nga mëkatet e hajnit të vogël duhej që dhjetë vite të udhëtojë nëpër lloçin e moralit të tij të keq për të arrirë dritën e parë të lirisë shpirtërore e njerzore.
5. Hasta la vista
Nëse përpjekësi nuk ia del të bëjë punën e Flobertit apo Papilonit mbetet falltor. Mbaron si portir bordeli apo tam-tam i dhunshëm për veshët e kohës. Dikur, kur edhe kafshët do të nervozohen me tonin e tij të deformuar, amelodik, ai izolohet, madje edhe nga fiziku i tij dhe kështu fillon derdhja e pjesëve të trupit të tij deri në ngadhnjimin përfundimtar të shpirtit të keq. Nga gërmadhat e pjesëve të copëtuara të një njeriu në përpjekje e sipër për tu bërë poet mbetet kufoma e një qenie të papërcaktueshme biologjikisht- pleh i kohëve në kalim. Dhe atëherë Viktimat e Turmës do të këndojnë në refren: Hasta la vista bejbi…