Yolofëmijët në stupidinariumin e politikës

Deri në vitin 2054 bëjani hallin vetes disi, u thotë kryetari i Pejës studentëve. Kështu s’i jeni më mirë ikni o…plotëson deputetja Besa Gaxherri. Refraktari dhe pseudo-emanca në optikën e Rousseau-së

I biri i një prostitute të njohur të Polisit gjuajti me gur drejt një turme. Diogjeni e këshilloi: «Kujdes! Sigurohu të mos qëllosh rastësisht babën tënd». Kjo anekdotë e përcjellë nga emnaku i të parit me mbiemrin Laercios na ra ndërmend gjatë leximit të komentit të mbrëmshëm të Astrit Gashit; «Kur arroganca e pushtetit sfidohet nga studentët!». Dy qëndrime aty ta vrasin ditën, shpalojnë se me ç’sistemi etik funksionon ende psikohapësira ku politikën e bëjnë tipa të mendësisë së atij mjekut të Filogelos, i cili pyetjes së studentit të tij; «Mjeshtër nuk rri dot në këmbë, as ulur e as shtrirë, çka të bëj?» i përgjigjet: «Atëherë nuk të mbetet gjë tjetër veçse të varish veten»!

Për ç’deklaratash e kemi fjalë? Për këto dyja:

Besa Gaxherri, deputete e LDK-së, drejtuar studentëve të Universitetit Haxhi Zeka: «Po ju them si fëmijëve të mi, me këtë që pash këtu, ju nuk do të arrini të sfidoni e as ta rrezikoni pushtetin e as neve».

Gazmend Muhaxheri, kryetar i komunës së Pejës: «Komuna do të jepte bursa për matematikanë…për të cilët kemi nevojë. Juristë e ekonomistë kemi me mijëra» dhe «deri në vitin 2054 jam kandidat fitues»!

Kishin organizuar KDI dhe Ambasada së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë takimin me synimin për t’i zëvendësuar politikanët pjesëmarrës me studentë të Universitetit Haxhi Zeka të Pejës?

Jo. Pse kjo luftë për të ruajtur pushtetin para tyre?

Problemi i përkon Psikologjisë së Thellësive. Mund të diagnostikohet vetëm ashtu siç e sqaron Erich Fromm në veprën e tij «Man for Himself» (1947, Njeriu për veten) kur shkruan: «Etika autoritare e mohon aftësinë e njeriut për të ditur ç’është mirë apo e keqe, krijuesi i normës (kupto: pushteti) gjithnjë është autoriteti që tejkalon individin». Të jesh i virtytshëm për këtë tip mendësie, nënkupton: «vetëmohimin dhe dëgjueshmërinë totale […]». Pra shtypjen e individualitetit, kritikës së tij, lejon pra realizimin e individit vetëm brenda kritereve të «lejuara».

Cilat janë ato vlera që i kanë politikanët e që s’i paskan studentët për t’i zëvendësuar ata, së paku jo deri në vitin 2054? Ato të fituarat gjatë fazës së sistemit në shuarje të pseudosocializmit real apo ato të shkollave nëpër bodrume? Po pse janë janë studentët në atë gjendje të mjerë – kush është shkaktari? Para të gjithëve kauzalitetin për dështimin e tyre e bartin Besa Gaxherri dhe Gazmend Muhaxheri. Këtu duhet të vëmë gishtin, aty është plaga nga rrjedh qelbi: ata për ta shkundur përgjegjësinë nga vetja nënçmojnë studentët e mjekut shpirtkeq të Filogelos.

II.

Teoria natyraliste e Jean-Jacques Rousseau-së mbi «viktimat e shoqërisë» ndoshta nuk vlen për shoqëritë tjera, por për këto shqiptaret është më decidja. Në eseun e tij konkurrues «Discours sur les Sciences et les Arts» (1749), në kundërshti me frymën iluministe të kohës Rousseau sheh historinë njerëzore si një proces në rënie, negativ në kontekstin politik, pedagogjik dhe social. Dallimi ndërmjet tij dhe iluministëve është tek temporaliteti i çështjes: Ai niset vetëm nga realiteti siç është e iluministët pa mohuar realitetin nisin ndërmarrjen për ta ndryshuar atë. Si ishte realiteti i asaj kohe sipas filozofit ekscentrik frankofon? Hajni, i çmenduri, asociali, brutali nuk janë për nga natyra të tillë – thoshte Rousseau – por ata shndërrohen në përbindësha të tillë nga shoqëria, politika, prandaj janë viktima të shoqërisë, politikës. Pra simbas tij nuk ka njerëz brutalë, por të brutalizuar, nuk ka kriminelë por të kriminalizuar, nuk ka idiotë por të stupidizuar – pra sistemi në të cilin jetojnë njerëzit, duke ua shtypur atyre shansin humane i shndërron në homo homini lupus të Plautus-it dhe Hobbes-it.

Mos është ndryshe në nënqiellin që e (de)formësojnë politikat aktuale shqiptare?

III.

Tash le t’i parafytyrojmë studentët e përballur me deklaratat patropoietike të phubbing emancës Besa Gaxherri, e cila nuk e sheh si një qenie të pasigurt që s’dinë se a të rrijë ulur, të çohet apo të tërbohet se s’ka kah shpëton si ai studenti i anekdotës së mjekut, por e trajton me arrogancë sikur ai të ishte një farëtretur i fundëruar, si një yolo-fëmijë i stilizuar si snob me një shishe vodkë në duar. Sistemi, atë student e ka lënë në baltë, shoqëria s’do të dëgjoj për të, ngase nuk e donë si jurist por si matematikan (më saktë si kontabilist specialist për të falsifikuar bilancet sa më pa gjurmë) sipas Muahxherit, politika që e përfaqësojnë njerëzit si këta dy nuk bën asgjë për askënd e më hiç për studentët e të vetmin mesazh që ka është ai i shtypjes së realitetit, përgjegjësisë duke u thënë atyre: «Shikoni kështu si jeni s’ka bukë për ju. Politikën as mos e ëndërroni se jemi ende ne gjallë. Nëse nuk bëheni hajna, kriminel, asocialë…». Le ta varrin veten? Të ikin sa më parë nga një shoqëri me sistem që pushtetin e siguron nëpërmjet të «fabrikimit të sa më shumë budallenjve për të ruajtur primatin dhe pushtetin», siç konstatojnë dy autorët gjermanë Metz dhe Sesslen në studimin e tyre «Makinat e budallenjve» (2011)?

Me vetëdije po, këtë e bën politika si efekt i punës së pushteteve në relacion me arsimin dhe kulturën.

IV.

«Të menduarit është njëra nga kënaqësitë më të mëdha të racës njerëzore», thotë Galileu me gojën e Brehtit. Kjo nuk vlen si duket për politikanët si Gaxherri, Muhaxheri dhe kompani. Sauli alias Pali i Tarsisë do të ketë qenë i terrorizuar nga ndonjë grua si Besa apo Gazmendi kur bën gabimin trashanik dhe ua ndalon me urdhër grave të flasin apo dalin para gjatë meshave të komunitetit të tij. Po të ishte Diogjeni do t’ua thoshte në esencë të njëjtën, por formuluar ndryshe: «Mos gjuani me gurrë në turmë se rastësisht i vritni fëmijët tuaj – ato që i keni bërë dhe lënë kështu»!    

Related

«Pellazgët» si prefiguratë teodik

Albin Kurti erdhi. Ende pa hyrë në zyrë, thonë...

Maqedonia antishqiptare apo vetëm gjeoracizëm?

Primatët politikë sabotuan shejntërimin e Nënë Terezës në Romë....

Atentatorët e shkollës

Kush i vrau shkollat shqipe në Maqedoni? Shteti, pushteti?...

Taksat dhe hipotekat e Maqedonisë

Pushteti në Shkup ka frikë. Nga vetvetja më së...

Traktati im

Rreth botëkuptimeve të mia për religjionet, njerëzit, moralet dhe...