Shqipja në botën digjitale

Në Wikipedia, Facebook, Office, iWork, Microsft, Apple shqipja është ndër gjuhët më kot fare. Pse?

Edhe në kulturosferën shqiptare mund të flitet lirisht për «subjektin digjital», ngase ai ekziston, qoftë edhe ashtu siç e demonizojnë njëanshëm shkencëtaret Howard Gardner dhe Katie Davies (Yale: 2014) «App» – gjeneratën e re të postmodernës, duke e cilësuar robotike, aktive por jo përparimtare në kontekstin e edukimit. Së paku si prezencë dhe aktantë ata nuk janë vonuar në krahasim me tjerët. Si reflektues (intelektualisht), bashkëprodhues dhe pjesëmarrës kualitativ, pra duke lenë gjurmët e veta, si kulturë dhe gjuhë përbërëse shihet se gjenden më larg se sa që lejohet. Këtë e dëshmon edhe statusi i gjuhës shqipe në këtë sferë. Mungesa e softwar-izimit të saj brenda sistemeve bazë të Microsof-it dhe Apple dhe tjerëve me të cilat sot operon i gjithë globi është më tepër se keq.

Në rrjetet më të rëndësishme të komunikimit si Facebook, në programet më të rëndësishme si Office, iWork, OpenOffice ose s’janë fare ose me korrektorë gjuhësorë që mund t’i përdorësh vetëm për gabimet teknike që t’i përziejnë gishtat nga shpërqendrimi, për më shumë as emrat e primatëve aktualë si Hashim (ti sugjeron si: Ahshim, hapim, hasim) ose Kadri (Kuadri, Kadi, Kauri, Kurdi) nuk i njeh e t’i sugjeron që nga hapja e deri tek kauri. Për neologjizmat në shkenca, fjalët e reja, fjalëformimet as mos të flasim. Besojmë që fjalori i shqipes të jetë më i keqi i mundshmi në botën digjitale.

Wikipedia si burim tashmë informimi i gjithë atyre që komunikojnë me shpejtësi, është në gjendje katastrofale dhe të vetmet tema të mbushura janë ato politike, personale dhe kundërvënëse me gënjeshtra ndaj gënjeshtrave të serbëve. Ose faqe me lista shkrimtarësh ku Kadare banon bashkë me poetin Skame Tarrallapi, i cili vetë shkruan vetë aprovon vetë seleksionon.

Facebook është i përkthyer në një shqipe që është i mirë për të qeshur, për humor por jo si në gjuhët tjera; me përshkrime të sakta rreth operimeve dhe opsioneve. Për t’i kuptuar saktësisht opsionet duhet ta ndërrosh në një gjuhë që e kupton sadopak, ngase më mirë kalon se në gjuhën tënde amtare.

Office 365 mund të zgjedhësh gjuhët si: kazakishten, suomi, lituanishten, eesti, bullgarishten, serbishte, por shqipen jo. Në iWork harroje krejt këtë punë. Në Mac as mos tento të instalosh fjalorin FESH se nuk e ha sistemi.

Këto arsye janë ato që detyrimisht rezultojnë konstatimin se shqiptarët vetëm si prezencë pasive kanë mbërrijë në botën digjitale e assesi si kulturë koekzistente e me status të barabartë me plotë tjerë.

Pse ndodhë kjo? Kur kihet parasysh se veprimi në këtë «botë» është sot pothuaj burimi kryesor për të matur kualitetin dhe ndikueshmërinë e një gjuhë, kulture, siç thotë Jeffrey Green në studimin e tij «The Eyes of the People: Democracy in an Age of Spectatorship». (Oxford: 2010), atëherë injorimi i kësaj problematike del i rëndë.

Është vetëm papërgjegjësia e App- gjeneratës që bëka deligjitimin e ekspertëve kulturorë e gjuhësorë brenda kësaj sfere, është ajo që shkakton krizën e përfaqësimit politik, çhierharkizimin e simbolikës dhe vlerave mbizotëruese në shoqërinë shqiptare (siç pyetet Manuel Maldonado në një studim të tij: 2016)?

Natyrisht se një përgjegjësi për këtë shprezantim e mbajnë edhe vetë aktantët aktiv brenda gjitha programeve e rrjeteve që përdorëm. Kryesorin faj mirëpo e kanë Ministritë e Kulturës dhe Akademitë e shkencave përkatëse që nuk veprojnë si tjerat; duke etabluar shqipen brenda këtyre sistemeve.

Le ta nisin këtu ndonjë bashkim e pastaj shohim për hapat tjerë. Kultura nuk nis dhe përfundon vetëm tek ndarja e donacioneve për botime librash që edhe po nuk u botuan nuk ndodhë apokalipsa!

Related

Letrat e First Husband-it 

Prindon Sadriu nuk e ka me tjerët. Ai vuan....

Homofilët, homofobët dhe deviatorët

Homofilët diskriminohen. Lufta e tyre është e arsyeshme dhe do ketë...

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...