Homofilët, homofobët dhe deviatorët

Homofilët diskriminohen. Lufta e tyre është e arsyeshme dhe do ketë më shumë efekt nëse nuk veprojnë, për shkak të financimit të mirë, si pjesë organizatash globale që kauzën e shfrytëzojnë për çështje pushteti. Ata nuk kanë pse të kërkojnë privilegj brenda shoqërisë e as vëmendjen e shtetit për çdo agjendë. Megjithatë, ajo që më së shumti la përshtypje brenda edhe këtij debati ishte teza homofilët të jenë deviatorë dhe të sëmurë. 

Dy leksemat më të shpeshta brenda diskursit të atyre që janë kundër homofilisë (partneriteti me Tjetrin e gjinisë së njëjtë) gjatë manifestimit të «krenar*eve» shqiptar/e ishin devijimi dhe sëmundja. Fjala e parë përbëhet nga de– ja (ndryshim) dhe via– latine (udhë), e cila përshkruan veprimin e subjektit që nuk ngjason me atë të «shumicës» brenda një hapësire të caktuar shoqërore. Kah ecë shumica; cila është udha dhe kush i përcakton këto? 

Tjetra fjalë e përdorur në këtë kontekst ishte sëmundja. Një subjekt konsiderohet i sëmurë, kur organet dhe psika e tij nuk funksionojnë siç duhet, pra nuk përmbushin funksionin për çka ekzistojnë. Sëmundjet shkaktohen nga faktorë eksternë, nga sjellja e vetë gjallesave ose janë pasojë e një zhvillimi defektuoz paranatal. Gjersa sëmundjet që shkaktohen nga sjellja e njeriut (p.sh. duhani, narkotikët, alkooli, ideologjitë, besimet) janë të determinuara nga programimi ynë kulturor, tjerat shkaktohen nga natyra dhe rrethanat (klima, gazrat, helmimet).  

Si devijimi ashtu edhe sëmundja mund të jenë kulturore dhe të natyrshme. Në cilën kategori «sëmundjesh» e «devijimesh» gjendet Homofilia?  

II – Kafshët nuk kanë arsye. As vullnet të lirë. Vijnë e shkojnë nga jeta pa mundur si Antropoceni ta modifikojnë natyrën sipas dëshirave të tyre.  Shkencërisht (me studime konkrete shumëvjeçare) dihet botërisht se homofilia, seksualiteti ndërmjet kafshëve të gjinisë së njejtë është po aq evident sa ai ndërmjet gjinive të kundërta. Majmunët, libelat, gjirafat, patat, insektet, zogjtë gjithë e bëjnë «atë punë» me dashnorët e gjinisë së njëjtë. Janë këto të sëmura? Kanë devijuar? Nga cila udhë, kur këto s’kanë orientim e as programim sociokulturor por vetëm instinkte siç ua ka falë natyra? I do natyra kafshët më pak se njerëzit? Pse Zotat, duke i dënuar me pakulturë dhe mundësi racionale zgjedhjeje i dënoi me këtë sëmundje kafshët e gjora? A nuk është ky krim kundër species që bëre vetë? I krijoi këto gjallesa për ta përjetuar ferrin në tokë se atë tjetrin e ka rezervuar për njerëzit?  

Por jo, assesi s’është kjo punë natyre e zotash. 

Patjetër,  se gjitha këto dilema mund të konsiderohen si material për ndeja idiotësh, por trajtimi i tyre është i domosdoshëm për të lokalizuar të sëmurët e njëmendtë brenda debatit.  

III – Homofilia demonizohet sidomos nga e ashtuquajtura «mesjetë e errët» krishtere. Para saj ka qenë madje privilegj (privilegj konsiderohet diçka që e duan shumë, por munden disa e jo çdokush): gjatë kohës romake, asaj bizantine, osmane. Homofobia (homo këtu nuk ka kuptimin e njeriut, por nga vjen nga homos = i njëjtë) është produkt ideologjik religjioz, pastaj eugjenik e kështu me radhë. S’ka të bëjë me natyrën aspak. Natyra ose ai/ato që kanë krijuar gjallesat nuk ua kanë koduar ashtu gjenin që të bëjnë seks vetëm me gjininë tjetër apo vetëm të veten. Prandaj praktika ekziston e dokumentohet bashkë me skeletet edhe më të moçmit të gërmuara nga arkeologjia.  

IV – Homofilia nuk mund të jetë sëmundje në kuptimin fizik e as atë psiqik. Homofili ndihet i lumtur nëse nuk diskriminohet për shkak të preferencave të tij në partner. Ata nuk vuajnë nga kanceri, diabeti apo astma për shkak të jetës së tyre private seksuale, ashtu siç nuk cofin gjirafat nga AIDS menjëherë pas seksimit me partnerin e gjinisë së njëjtë. 

V – Nëse ka sëmundje dhe devijime specifike tek homofilët, atëherë ato nuk gjenden në trupin dhe jetën e tyre por në perspektivën dhe jetën e atyre që i konsiderojnë të tilla: këta që u pengon homfilia nuk janë psiqikisht mirë saherë përballen me këtë modus ndryshe jete. Përndryshe nuk reagojnë me kaq agresivitet. E siç e di edhe çdo student fillestar i medicinës, shumica e njerëzve me probleme psiqike kanë edhe probleme të rënda organike. As gjendja e këtyre që sëmuren për shkak të qenies së praktikave ndryshe seksuale nuk e kanë trashëguar gjenetikisht, që në stadin paranatal urrejtjen ndaj homofilëve por ia kanë programuar vetes me ideologjinë me të cilën ushqehen. Dhe ideologjitë e llojit nuk janë vetëm fetare. 

VI – Të sëmura janë edhe mediat, avokatët e homofilëve dhe ata të homofobëve (në mediat shqiptare). Janë kështu për shkak se duke shpërdorur mentalitetin në fuqi të publikut të vetë, vetëm për shkaqe të interesit material, vazhdimisht sjellin jo studiues me njohuri, jo filozof të etikës, historisë së debatit, nuk sjellin profesionistë, por klounë. Ata thirrin gazetarë injorantë që zbërthejnë semantikat nacionale, flamujt; thirrin imamë për sport, për histori; thirrin «zubarë teopatë» për etnologji, religjione, filozofi, politikë ndërkombëtare, diplomaci; thirrin injorantë si vetë saherë e bëjnë një emision. E ta bësh këtë në çdo aferë donë të thotë se qëllimisht nuk preferon informim pa homofobi, pa diskriminim retorik e publik, pa racizëm kulturor; por synon mëshkallim, nxitje dhe debilizim të masave. Kjo mua më duket edhe më tepër së sëmundje; edhe kriminele më duket. E më këtë sjellje më së paku kanë punë zotat dhe natyra. Debat i tmerrshëm, shumë dashakeq. 

Related

Letrat e First Husband-it 

Prindon Sadriu nuk e ka me tjerët. Ai vuan....

Forca enigmatike e një kulture

Është komplet e kuptueshme që njerëzit lodhen duke luftuar...

Kanti dhe imperativi i zvarranikut

Ti mund të jesh, arsyeja, vullneti i lirë dhe...

Metafora e «derrit të lumtur»

(Kushtuar derrave të lumtur të kulturosferës shqiptare: pushteteve politike,...

Vasalët imoral të Gorës dhe Mazgitit

A hyri Kosova në fazën e imunizimit me teokracinë...