A është e mundur të mbetesh neutral brenda një mentaliteti, i cili me përjashtime minimale vepron sipas formulës bipolare heraklitiane; ftohtë-nxehtë, bardh-zi, mirë-keq dhe nuk le shteg për relativen, pamundëson çdo alternativë të mundshme, pa mes, pa anë?
A është e mundur të jesh shqiptar dhe objektiv? Të mundesh të përshkruash ekstremizmin brenda një grupi njëkohësisht duke ekspozuar dhe alarmuar kundër tendencës për stigmatizimin e mbarë grupit; të denoncosh portale islamofashiste pa harruar ekzistencën edhe të portaleve katolikofashiste, që për nga gjuha, temat nuk ua lënë për nesër të parave (mund të flasim për shkallën e egërsisë, perfiditetin etj por jo për fenomenin); të shkruash për ekstremizmin si fenomen global duke i ra njërës anë e pa përmendur ekstremizmin evangjelik (që poashtu djegin libra publikisht) në SHBA që daton nga vitet e 20-ta dhe së cilit i përkiste edhe vetë George W. Bush; të shpalosh defektet e një partie duke mos harruar edhe anët pozitive të saj; të lavdërosh kauzën e një shtrese duke mos harruar edhe defektet e saja; a është e mundur të hedhësh teza, hipoteza, antiteza në një tekst të vetëm pa u shpallur guru, pa të listuar përkrah militantësh semimediokër, si vëlla tarafi e misioni; pa të proklamuar si ndjekës shtrigash apo censor, inkuizitor, që duhet kërcënuar me vdekje, që duhet fyer me farë e fis, me të lindur e të palindur? A është e mundur të mbetesh neutral brenda një mentaliteti, i cili me përjashtime minimale vepron sipas formulës bipolare heraklitiane; ftohtë-nxehtë, bardh-zi, mirë-keq dhe nuk le shteg për relativen, pamundëson çdo alternativë tjetër të mundshme, pa mes, pa anë?
Kush ndjek shtypin dhe mediat tjera shqiptare do ta grushtojë tavolinën triumfueshëm duke u përbetuar e garantuar: s’ka laps objektiv shqiptar!
Aporia vetë është ta lokalizosh një autor që në kontinuitet jep maksimumin të mbetet objektiv, madje edhe kur temat, polemikat, debatet ia involvojnë gërvishtshëm, me dhunë personalitetin, dinjitetin, integritetin dhe ai s’ka ku strehohet nga flluskat kundërsulmuese subjektive si vetapologjet.
Është keq që shqiptarët janë të «paradënuar» me një temperament kaq eksploziv apo mirë? Po ç’na duhet objektiviteti?
PARADIGMAT
As termi «objektivitet» nuk ka mbetur i virgjër nga reflektimet dhe definimet maratonike – pothuaj në çdo shkencë e fushë të dijes humane ekziston nga një duzinë recetash e diagnozash mbi nocionin. Ranke, Gervinus-i, Marks-i e deri tek Droysen (Historika: 1858) që trajtuan nocionin nga perspektiva e filozofisë së historisë mendonin se shpëtimi nga debati qysh atëherë i mërzitshëm dhe virulent do të ishte afirmimi dhe pranimi i një metode universale të aplikueshme zyrtarisht në të gjitha institutet e dijes. Dhe metoda e shumicës prej këtyre ishte – s’ka objektivitet ose deri sa instanca përcaktuese të jetë subjekti tema është kotë fare! Në këtë traditë ngarendi edhe Charles Sanders Peirce kur shkroi se «asnjë objekt nuk mund të kapet objektivisht sepse mediumi që interpreton atë është përherë subjektiv». Max Weber-i i vuri vulën versionit të bashkëkohësit të tij duke thënë se çdo metodë – sado teknike të jetë ajo – materializohet (dekorohet) po me ato argumente (favorizuese) të perspektivës së subjektit që trajton temën (Weber. Werke: 1991 Stuttgart). E ky i fundit do ta formuloj edhe përfundimin në sajë të vlerave që i mendon vetë si më të mirat. Qenka objektiviteti iluzion? Po, thanë edhe Niklas Luhmann i cili madje nuk sheh asnjë dallim ndërmjet objektivitetit dhe subjektivitetit por i konsideron terme të njëjta në sisteme të ndryshme dhe që varen nga perceptimi i shoqërisë, pra causa publica-ve, mainstream-it. Mohikani i fundit i shkollës së Frankfurtit Jürgen Habermas (Mercur: 1965) – në një trajtesë anti-Hans-Ulrich Wehler hedhë poshtë ekzistencën e objektivitetit dhe gjithçka që kërkon është «bërja transparente e metodës dhe interesave të «hulumtuesit». Përkthyeshëm donë të thotë kjo: një institut që merr të holla nga Partia X mjafton vetëm të bëjë transparente se për interesat e kujt e ka bërë anketën (pra të partisë X) dhe u kry. Çka pastaj? Muhabet kot.
Vërtet është i pamundur objektiviteti? I mundur është, por pse jo në Ballkan ende, si në pjesët tjera të kontinentit?
GADISHULLI SUBJEKTIV
Nuk është çudi që po këtë defetizëm karshi dualizmit objektivitet-subjektivitet e vërejmë në gjithë letrarinë shqipe dhe ballkanike (dhe gjithandej në vendet postsocialiste). Shoqëritë shqiptare, respektivisht elitat e tyre të pakta janë të formuara gjatë periudhës së monorealitetit realosocialist. Një nivel dijeje që përfundon tek Marksi, Peirce dhe vazhdon me Luhmann, Badiou e kompani (neokomunistët) dhe tek një pjesë tjetër vazhdon si alternativë zëvendësuese teoria e Max Weber-it (neoliberalët). Të dyja këto rrugë shpijnë mirëpo në Romën e njëjtë. Dallimi i vetëm në mes tyre është cilave prej të dyjave është më kategorike në mohimin apo banalizimin e objektivitetit. Këtu filozofët ndoshta duhet edhe të kërkojnë pamundësinë e një komunikimi paqësor ndërmjet ideologjive, doktrinave, etnive, kulturave, religjioneve të Gadishullit sepse ato janë të formuara me besimin e mosekzistencës së objektivitetit racional – ata frymojnë, kalkulojnë, ëndërrojnë dhe luftojnë vetëm subjektivisht, duke u nisur nga e xhungla e emocioneve në stomakun të tyre e jo nga pasioni për ta gjetur zgjedhjen, kompromisin koekzistencial dhe human.
SHQIPTAR DHE OBJEKTIV?
Në letrarinë shqiptare nuk ekziston fare (ose rastësisht, aksidentalisht) ndonjë indikacion që do të na jepte shenjë për ekzistencën e kokave që njohin edhe ofertat teorike të racionalizmit kritik të nisur nga Karl Popper (1902 – 1994), sot të përhapur e të definuar formëformule në të gjitha akademitë perëndimore si «pavarësi e mendimit dhe gjykimit nga perspektiva e subjektit, nga situata, preferencat, interesat e tij personale». Shkollë kjo, e cila sidomos në laboratorët e përfitimit të dijes dhe në media (serioze) është bërë alfa dhe omega e konfirmimit të informatës, çka do të thotë se me një burim s’ka interpretim që duhet përfillur; se pa pasqyrim të të gjitha versioneve të një storieje s’ka artikull që ia vlen të merret seriozisht e kështu me radhë. Veçanërisht në vendet aq të pushtuara nga mitet, legjendat, ku thashethemet janë biznesi dominant i komunikimit intersubjektiv dhe publik dhe ku autori i një shpifjeje të mëngjesit për shkak të volumit dhe të intensitetit dramatik nuk e njehë në mbrëmje më shpikjen e vetë, siç është në Ballkan, versioni i racionalizmit kritik mbi objektivitetin madje do të ishte shpëtimi substancial, mos të themi porta e parë që duhet ta kalojnë për t’u mësuar të jenë konstruktiv me jetën dhe Tjerët.
MEDIAT
Edhe njëherë pyesim? A është e mundur të jesh publicist, autor shqiptar dhe të jesh objektiv? Po. Shqiptarët nuk janë më të paaftë apo me gjenialë se tjerët. Mediat dhe institutet e dijes duhet të mësojnë nga homologet e tyre perëndimore ku është ndryshe, ku së paku ekziston një standard se si të sillen me problemin e objektivitetit – veçanërisht në sferën e raportimit, informimit dhe seleksionimit të relevancave ditore. Madje media vetëm online tashmë tregojnë shenja përqafimi me këtë mendësi duke plasuar të gjitha temat jo sipas sensorëve të shefave dhe redaktorëve por sipas vetë shfaqjes së fenomenit në shoqëri. Megjithatë senzibilizimi është më se i nevojshëm. Çka donë të thotë kjo për mediat? Asnjë fenomen nuk ekziston pa shumë bartës, pa më shumë se dy perspektiva (“të vërteta”) dhe pa shkaqe e mostra gjithandej. Pasqyrimi i problemet duhet të jetë kryebiznesi i raportimit e jo gjykimi, poezia ndër reshta apo frustracionet e pikëçuditësve autorësh që rëndom as kapitalin intelektual nuk e kanë për të gjykuar çdo fenomen sapo shfaqet ai në horizont. Mediat në Kosovë kanë përparuar shumë në krahasim me tjerat e rajonit – edhe ky hap plus do t’i bënte edhe më të mira!