Shoqëritë shqiptare kanë plotë njerëz me potenciale të mëdha që mund të bëjnë ndryshime. Fatkeqësia e tyre është se pikërisht në zenitin e tyre bëhen marioneta aq të gërditshme saqë mbrojnë me thonj e qenie edhe politikanin më të korruptuar të mundshëm. Partitë nuk ndryshojnë kështu, përkundrazi ato mbeten vampire jo vetëm të subjektëve me potencial por edhe të mbarë shoqërisë.
Titulli i këtij teksti ishte më i gjatë. E shkurtova nga ky version: «Partitë si krematore të subjektit, dinjitetit dhe intelektit«. Natyrisht ky titull konstatues iu referohet gjendjeve të politikbërjes në hapësirat tona e jo kushtimisht vlen për gjithandej.
Kush nuk ka parë filma horor me vampirë ndoshta nuk do të m’i kuptojë metaforat në vijim. Ose do t’i keqkuptojë ato. Ose do të mi konfirmojë dhe do të më lavdërojë. Ngase e meritoj.
E dini pse ua pinë gjakun vampiri viktimave të tij? Për të fituar fuqinë, energjinë e tjerëve deri në mbërritjen e pushtetit absolut. Dhe kjo metodë nuk është vetëm çështje private vampirësh. Praktika është e karakterit kulturohistorik. Deri pas mesjetës plotë fise anekënd botës e kanë praktikuar këtë gjakpirje të armiqve duke besuar vërtet në mundësinë e akumulimit të energjisë në favor të fituesit të betejës.
Kristologjia, duke u nisur nga akti i gozhdimit të primusit të tyre i dha lëngut të kuq një semantikë tjetër, postvampireske; gjaku është dezinfektues jo vetëm për trupin por edhe shpëlan botën nga mëkatet. Disa tjerë sidomos tek gratë e konsiderojnë si ndotje të rëndë. Çka s’ka deti.
Sinteza precize në asocion me partitë: Ato kanë nevojë për njerëz të ri duke u nisur nga dy motive kryesore. 1. Për të rritur e shtrirë pushtetin, fuqinë e tyre dhe 2. Për të zëvendësuar kategoritë e konsumuara ose të komprometuara, me gjak të ri, që njëkohësisht i «shpëlanë» nga përgjegjësia – besojnë ato, kot, sikur me u ra tenxhereve për t’i trembur yjet.
II.
U kuptuam tash se cilën kategori e kam në shënjestër?
Tash afrohen zgjedhjet. Kadri Veseli, Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe shefat e partive tjera do të kërkojnë gjak të ri. Punë legjitime dhe normale kjo. Njëra palë e bënë duke u nisur nga motivi numër 1 e tjetra nga ai numër 2.
Do të kenë sukses patjetër. Ata do të gjejnë plotë njerëz, që nga valixhebartësi e deri tek i besueshmi më lojal që do ta bëjnë ministër, drejtor, ambasador. Domethënë problemi i tyre i madh mirëpo nuk është tek sigurimi i masës. Deficiti i tyre historik është se veprojnë si furra djegëse të subjektit. Kur themi Subjekt e kemi fjalën për personalitete me potencial vërtet ndryshimi dhe dhurimi të «gjakut të pastër» aty ku angazhohen.
III.
Nuk kam nevojë të ju sjell histori, përjetime të huaja, po flas vetë; unë kam humbur miq fëmijërie për shkak të aderimit në parti; shok të ngushtë me të cilët kam ndërprerë lidhjet sapo janë bërë diplomatë; i kam dashur skajshëm disa autorë, publicistë dhe sot vuaj kur i shohë. I urrej? Kurrë! Por nuk i dua si më parë, si potenciale për t’i ndryshuar shoqëritë, por i dua si viktima të vetvetes, me keqardhje.
Edhe dashuria i ka njëmijë fytyra.
U dorëzuan se s’patën alternativë? Jo. Pare kanë jo vetëm për ekzistencë dhe komoditet më shumë se shumica. Nuk është çështja e ekzistencës nëse doni të m’i justifikoni me këtë mortomonadë berdjaevçe që na sugjeron spiralen e çlirimit (tek: O rabstve i svobode čeloveka – mbi skllavërinë dhe lirinë e njeriut), pra objektivizimin si subjekt duke mos mbetur vetëm skllav të nacionalizimit, kolektivizmit, shoqërisë, kulturës por duke finalizuar «veten» në shërbim të «idesë më të lartë e sublime – Zotit», pra filozofi ortodoks ukrainas donë që të mos të mbetemi rob vetëm të kësaj bote se nuk mjafton por edhe asaj që nuk mund ta dimë se çka donë dhe si duket në të vërtetë (shumë variante de). Pra mos mi arsyetoni se ja ky është pallati i jetës, ngjitja, kështu jemi dhe s’kemi ndryshe. Nuk qëndron fare. Kështu jetohet por nuk ecet para, nuk ndryshohet gjë. E unë e kam fjalën pikërisht për atë kategori të veçantë me potenciale e jo për të gjithë, që duhet të jetojnë disi se aq e kanë kapacitetin dhe veprimi i tyre është konform mundësive.
IV.
Prandaj as kësaj radhe rekrutimet nuk do sjellin «gjak të ri». Mendësia e partive është e tillë që nuk lejon të tejkalosh Kadrinë, Isën, Albinin dhe tjerët. E se këta janë individë e jo vampirë apo krishta, e disa prej tyre edhe e kanë bërë hâle, nuk kam nevojë të ju mbajë ligjërata të mërzitshme.
Së paku ju që i keni shpëtuar deri tani këtij rekrutimi joshës (ke plotë privilegje jo vetëm për veten por edhe për fisin, nahinë dhe dashnoret, prandaj kuptohet), ju që s’jeni shndërruar në marioneta aq të gërditshme primatësh saqë jeni në gjendje ta shisni çdo parim human e moral duke i mbrojtur edhe më kriminelët, ju që nuk u kanë kap ende ata që duan gjak vetëm për më shumë pushtet mos u bëni marioneta të djegura që nesër s’iu përkrah kush (shihni Ilirin dhe Mimin e Fadilit).
Nëse vërtet doni të angazhoheni, të ndryshoni edhe krematoriumin vetë, atëherë bëhuni Subjekt me program, status, vijë, vizion aq të fortë sa për t’ia shuar zjarrin edhe furrës së kufomave ose gjeni rrugë tjetër.
E di do më thoni: «lehtë e ke të shesësh mend nga Zvicra». E vërtetë. Prandaj nuk kthehem atje duke u vërtitur primatëve që të bëhem ministër, ambasador, e lere më shumë. Njeriu ka parime. Unë njoh një kanalizues që është më subjekt, më primat, më inteligjent dhe i mençur se shumica e këtyre që u shkruaj; nuk është çështje vetëm përgatitje intelektuale kjo punë. Thjeshtë: nëse secili dhe gjithë korruptohemi nuk ndryshojmë gjë.
Partitë nuk ndryshojnë nëse i ushqeni me gjak e pa kushte.