Dje u botua një video kundër Berat Buzhalës dhe GazetaExpress. Është kulmi i racizmit, perversitetit dhe kërcënimeve fizike. LVV duhet të heq nga vetja këtë kancer. E tmerrshme.
Dje faqja jo më satirike PamPress solli një video me 17 slide tekst me titullin: «Diss Komandant Çabiqit (Berat Buzhala)». Teksti ekzekutohej nga një imitat në stilin «rap», formë që e njohim nëpërmjet disa pseudoreperëve religjiozë. Qëllimi i videos është difamimi dhe kërcënimi i drejtorit të GazetaExpress Berat Buzhala dhe jo vetëm kaq. Pse?
Se «GazetaExpress» është një kritikuese e ashpër dhe shpesh e egër e LVV-së dhe timonierit të saj Albin Kurti nuk dyshon askush. Eskalimin e konfliktit mirëpo e solli raportimi i këtij portali mbi vizitën e fundit të Albin Kurtit në Norvegji. Gjersa ai vizitonte të shoqen dhe fëmijën e tij në vendin skandinav portali tha se Kurti ua bllokon vizat kosovarëve e vetë endet nëpër Evropë, respektivisht në atdheun e tij të dytë, gjë që nuk e kanë shumica e qytetarëve. Politizimi i një vizite të këtillë i familjes nga plotë u perceptua si tendencioze dhe e pashije. Edhe më keq u bë kur Kadri Veseli dhe Ismet Beqiri, përfaqësuesit e dy partive më të mëdha të vendit, keqpërdorën këtë raportim të «GazetaExpress» për t’iu hakmarrë organizatës opozitare për «dyfytyrësinë e saj në politikë dhe patriotizëm». Polemika vazhdoi – në mënyrë jodirekte – ndërmjet Berat Buzhalës dhe Dardan Molliqajt, sekretarit organizativ të LVV-së.
Menjëherë pas kësaj u lansua videoja, e cila deri në këtë çast kur shkruaj unë u pa nga 20.637 (7:23), u pëlqye nga 1197 veta, u komentua nga 613 veta dhe u shpërnda 186 herë. Përveç «aplaudimeve» numri i reagimeve kundër videos nuk është i vogël.
Ç ‘përmban teksti në 15 strofat e tij dhe dy refrenet:
1. Përdhunim verbaloseksual në adresë të nënës së Berat Buzhalës dhe biografisë së tij.
2. Mohim i pronësisë në “GazetaExpress”.
3. Akuza Buzhala të jetë nën urdhrat e aktualisht kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli. Kërcënim ndaj të dy se nuk mund të shtyhen me autorët e videos ngase «më të fortët e Shqiptarisë».
4. Difamim si halldup, dështak, papak dhe kërcënimi: «hup se të shkelim, vijmë si inspeksion, uebsajtin ta mshelim», gjë të mund të aludohet në pushtetin e LVV-së në Prishtinë ku gazeta ka selinë.
>5. Sërish sulm verbaloseksual ndaj ëmës së të difamuarit dhe fyerje raciste-eugjenike rreth pamjes së B.B. Akuzë për prostituim me gjitha politikat, të cilat i ditka populli.
6. Thirrje për duel fizik. Sulm pervers verbaloseksual ndaj kryeredaktorit të GazetaExpress Leonard Kerqukit. Demonstrim të forcës dhe mosfrikës ndaj Kadri Veselit dhe kërcënim direkt të policisë dhe prokurorisë: «Ta q… Policinë e Prokurorin/Vijna e u shkelim…».
7. Difamimi si sekser. Kërcënim ndaj punonjësve në «GazetaExpress»: «Kena me ta marrë krejt stafin e Expressit».
8. Sërish sulm verbaloseksual ndaj nënës së B.B. Nënçmim i gjitha mediave në krye me Expressin.
9. Mohim që PamPress të jetë i butë si Albin Kurti. Thirrje për qërimhesapesh fizikisht.
10. Refreni: kërcënimi edhe ndaj Kerqukit, Veselit, Policisë dhe Prokurorit.
11. Racizëm ndaj afrikanëve nëpërmjet Avni Klinakut dhe Leonard Kerqukit. Racizëm eugjenik ndaj B.B.
12. Gjykim të B.B. si infantil, servil, marionetë materialisht e Kadri Veselit e mendërisht e Sllobodan Millosheviqit dhe Sheshelit – dy të gjykuarve për krime lufte. Paralele e rëndë.
13. Informatë se i difamuari qenka injoruar dikur nga katundi i tij.
14. Kërcënim ndaj lirisë së lëvizjes të B.B: « Ama kur t’shohim n’qytet/Kemi me t’i ngreh vesht, o pis».
15. Pandehje se i difamuari, kërcënuari, linçuari bën tregti me Serbinë, porse ai nuk ka faj se fajtorët qenkan në Qeveri.
16. Rekomandim të kërcënuarit që të kërkojë nga policia t’i hetojnë. Që s’mundet ngase me tetëvjeçare të papërfunduara. Involvim edhe të një personi me emrin Faton Shoshi.
17. Teksi: Kryeredaktori – shkruan në fund.
Leximi i tekstit të kënduar në video shpalon një gjuhë raciste, perverse, difamuese jo vetëm ndaj Berat Buzhalës, por është kërcënues edhe ndaj punëtorëve aty, personave tjerë publikë, policisë, prokurorisë madje edhe Interpolit dhe shumëçkaje tjetër. Kronologjia e ngjarjes, marrja në mbrojtje e personave, polemikat ndërmjet eksponentëve, gazetarëve na shpalojnë qartë se PamPress është organ i LVV-së. Për këtë nuk ka dilemë. Gjuhën e përdorur në këtë tekst e njeh shumëkush edhe si «stil shprehës» të ndonjë deputeti të partisë në fjalë. E gjithë kjo nuk ka më të bëjë me satirë.
U shpërnda një video e cila përmban të gjitha elementet të quhet e tillë që ia kalon edhe propagandës naziste ndaj dukjes së hebrenjve dikur (eugjenika). Ajo kërcënon fizikisht persona dhe mediat me emër dhe pa emër.
Është diçka që e bëjnë vetëm të çmendurit.
LVV – ato forca normale që kanë mbetur aty duhet ta ndalojnë një difamim kaq të rëndë dhe aq përfshirës të shumë mediave, njerëzve, madje duke deklaruar publikisht se nuk është vepër shtabore e tyre por e disa personave, që poashtu duhet t’i tregojnë me emër. Kështu duhet të bëjnë ngase kjo është forma më ulët të sillesh ndaj njerëzve qofshin edhe kundërshtarët më të mërzitshëm mbi tokë. Është dështim total, i dënueshëm po se po.
Çudia e botës gjendet edhe tek vetë mediat: si ka mundësi që një video e tillë mos ta trazojë çdo njeri të profesionit?