Rama dhe analistët

External point of view: Panelistët në «Zona e Debatit» nuk dështuan ngase nuk dinin, por ngase nuk ishin vetja, sepse operonin me akuza për çështje të paqena dhe që ua servuan ata që nuk ishin në debat dhe ata që në fund u pajtuan dhe dolën fitues. Pse ata, mediat dhe panelistët përfunduan si humbësit më të mëdhenj brenda luftës për konkurrencë ndërmjet dy primatëve ballkanikë

Humori, tifozeria rrjeteve sociale për dy primatët shqiptarë Hashim Thaçi dhe Edi Rama nuk ka të ndalur. «Analistët», mediat janë klounët e hypur me dhunë në skenë për tu zbavitur masat. Vetë panelistët që u ftuan për t’i bërë pyetje kryeministrit shqiptar shkruajnë ose paralajmërojnë pledoajera, për tu mbrojtur, për ta shpëtuar imazhin e tyre nga sulmet, videot dhe statuset e shumta, ndër të cilët, natyrisht edhe kësaj radhe, më të neveritshmit janë ato të aktivistëve virtual, autor nënmesatare në çdo sferë ku e kanë provuar, të atillë që shesin «dokrra hiri» të dinë vërtet ç’është analiza, analistët dhe mediat pa e krijuar kurrë në jetë një tekst për t’ia pasur zilinë ndonjë student gazetarie apo autor i ri. Pra hakmarrja ndaj panelistëve është e padrejtë, por edhe ata vetë nuk reflektojnë me sinqeritet dhe të pranojnë me zemërgjerësi se çka u ndodhi!

KRONOLOGJIA E POLEMIKËS
Gusht, 2016: Petrit Selimi, njëri nga ghostwriter-ët e presidentit Hashim Thaçi kumtoi në media protestën kundër Edi Ramës të instrumentalizohet nga Vuçiç në lidhje me autostradën Nish-Durrës, duke anashkaluar shtetin vëlla të Kosovës. Shtator: Mediat serbe, duke përdorur takimet e Nish-it, në formë të orkestruar përhapin «idenë e pajtimit shqiptaro-serb», duke e implikuar si kontest në mes tyre çështjen e Kosovës. Ndizen mediat në Prishtinë me tendencën për instalimin e tezës së «tradhtarit Rama» dhe «Shqipërisë gjithmonë destruktive karshi Kosovës». Kosovacentristët e shfrytëzojnë edhe këtë rast për të rirrahur publikisht idenë e «kombit kosovar». Tetor, 2016: Rama merr pjesë në takimet e Nish-it. Ai atje edhe më ashpër u thotë serbëve se debati serb rreth Trepçës është absurd dhe monolog, kështu pasi «Trepça nuk mund të transportohet përtej kufijve të Kosovës». Në Beograd deklaratat e tij perceptohen si: Si Beograd e Tiranë s’kemi çka flasim për këtë punë. Në Prishtinë deklarat u interpretua ndryshe, si thirrje e Ramës për të dialoguar rreth së njëjtës temë. Rama atje tha se Serbia duhet të çlirohet nga iluzionet duke njohur realitetin, Kosovën shtet. Mediat në Prishtinë këmbëngulnin Rama pa të drejtë dhe mandat të ketë folur në emër të Kosovës. Po aty, në kryeqytetin e shtetit të ri, u botua pjesa e një protokoll-marrëveshjeje ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë që ka të bëjë me ndërtimin e autostradës Nish- Durrës. 3 dhe 4. tetor: Thaçi udhëton për Tiranë. Pas vizitave me krerët e institucioneve atje shkallmon publikisht idenë e «kombit kosovar» në favor të «shtetit kosovar» dhe marrëdhënieve të shkëlqyeshme me shtetin e kryeministrit Rama. 25 tetor: Edi Rama mbërrin në Prishtinë dhe hanë drekë me Hashim Thaçin në njërin nga restorantet e Prishtinës.

SHOU MË 27 TETOR
EDI RAMA kishte ardhur aty i mllefosur me portalet që si duket e kishin fyer rëndë me mënyrën e raportimit. Ai ishte zot i temës dhe i sigurt në të kundërtën e asaj që i mvisheshin. Vetëm ai, Hashim Thaçi dhe rrethi i ngushtë i këshilltarëve të dyshes e njohin të vërtetën rreth psesë së shpërthimit të polemikës; rreth përmbajtjes së marrëveshjeve që ende nuk njihen publikisht; rreth zotimeve edhe të Kosovës pas Konferencës së Berlinit dhe shumëçka tjetër ku si opinioni ashtu edhe analistët janë të suspenduar nga informimi i saktë.
Njohësit e profilit të Ramës e dinë se ai është një alfakafshë në retorikë. Jo nga ndonjë shkollim i veçantë për këtë mjeshtëri, ku do të kishte mësuar metodat e manipulimit të «turmave», por duket ta ketë dhunti të natyrshme. Shtoi kësaj përvojën dhe dijen jo vetëm në rrafshin politik por më shumë në atë kulturologjik dhe na bëhet e qartë se pse çdo debat e rrotullon në atë mënyrë që në fund të dalë përherë si «good guy» i kauzave e tjerëve pastaj u duhet një kohë e gjatë të çohen nga karriget e të ekzekutuarve para opinionit.
Ka edhe më keq. Siç u ndodhi PANELISTËVE në «Zona e Debatit» të 27 tetorit, të cilët ishin të paradënuar të dalin si humbës në sytë e opinionit. Jo se janë të paaftë, përkundrazi shumica prej tyre shkëlqejnë në profesionet e tyre, porse ata, shumica e tyre, dolën aty të armatosur me akuzat e orkestruara, sistematike, kryesisht të sajuara të atyre që nuk erdhën aty: protagonistët kryesorë të fryrjes së debatit ishin GazetaExpress, respektivisht Berat Buzhala, «Zëri», respektivisht Arbana Xharra dhe veterani i polemikave të njohura autosugjestive Halil Matoshi.
Fillimisht Arbana Xharra qortoi pse «analistët» të histerizohen ashtu kur flet Rama e heshtin si qyqe kur Erdogani flet për Kosovës sikur ta kishte vilajet vendin e saj. Një ditë më vonë, pasi ajo analizoi situatën në bazë të protokolleve të gjetura nga gazeta që drejton, doli në anën e kundër me një artikull 7 pikësh që ishte kondensim edhe i akuzave që i lansoi qe nga gushti Petrit Selimi dhe të cilat siç u pa ishin edhe bërthama e «pyetjeve» të panelistëve në zonën e Baton Haxhiut.
Pse nuk u ftuan në debat pikërisht edhe këta eksponentë të «diskursit» acarues? Natyrisht të shoqëruar edhe nga analistë  si Astrit Gashi, i cili brenda gjithë debatit ishte i vetmi dhe më objektivi rreth kontestit dhe trajtoi argumentet që vërtet kërkojnë sqarime dhe atë pa u lëshuar në gjykime e paragjykime apriori ose Krenar Gashi që mund të pyeste shumëçka rreth raportit Rama – Media, të cilave kryeministri shqiptar shihej që u ka shpallur luftë të hapur, së paku atyre që e kritikojnë?
Pyetjet e panelistëve ishin të arsyeshme dhe korrekte nëse ato do të ishin vetëm pyetje. Por jo. Atyre vazhdimisht u paraprinte një arrogancë, urrejtje, akuza me kode si «industria e kanabisit», «vendi i tij të jetë që nga koka e deri tek bishti vetë bërllok», «të Shqipërisë të flasin bukur e mos të thonë asgjë», «qeveria e tij të tradhtojë qëllimisht ekzistencën e shtetit të Kosovës brenda formulës së pajtimit shqiptaro-serb», «të jetë lëshuar në diskutim thelbësor në çështjen e Trepçës», «tu ketë premtuar libra luginasve përkundër ekzistencës së marrëveshjes serbo kosovare për të njëjtat». Pra pyetjet më shumë akuzonin se donin përgjigje. Arroganca ishte e paevitueshme. Atmosfera ishte armiqësore: panelistët nuk e shikonin gjithaq Ramën kur i drejtonin pyetje por njëri tjetrin me zgërdhirje, ngritje vetullash, frymëlëshuarje që irritonin veshët e shikuesve e të ngjashme, pra shihej një pakt i vendosur që sikur thoshte: do ta shkatërrojmë Ramën! Dhe shkatërruan veten para «turmave», siç i quan së fundi Zogaj tifozët e Ramës rrjeteve sociale që bëjnë humor me «analistët». Natyrisht padrejtësisht. Reagimet ndaj tyre janë asgjësuese dhe njëdimensionale. Pse? Siç potencuam më lartë: panelistët u bënë pjesë e një loje që nuk kishte për synim shpjegimin e diskrepancave ndërmjet dy diplomacive dhe shteteve, por ishte armiqësim (i përkohshëm) për shkaqe konkrrence ndërmjet dy primatëve: Rama dhe Thaçi. E më shumë nga frika e të fundit prej të parit.

PAJTIMI I PRIMATËVE
Të kthehemi tek 25 tetori, dita e takimit Edi Rama dhe Hashim Thaçi në Prishtinë. Miqtë e të dyve spekulojnë se aty ndodhi një marrëveshje: rifaktorizimi i Thaçit në dialogun Prishtinë – Beograd. Mbyllja e keqkuptimeve dhe «konkurrencës» që e shpërtheu Petrit Selimi me urdhrin e Hashim Thaçit.
28 tetor: Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç kërkon, citat: «pjesëmarrja e Thaçit në bisedime është e rëndësishme për faktin se, partia e tij është më e fuqishmja në Kosovë», përkundër faktit se ky nuk është më kryetar partie por president.
Po më 28 tetor: Andi Bushati, njëri nga publicistët me kontakte miqësore me rrethin e Ramës dhe Thaçit përsëriti një gjë që u tha nga tjerë që në fillim të «ngatërresës»: «Ai qe së pari një debat i nxitur nga njerëzit e presidentit Thaçi, që kërkon monopolin në marrëdhëniet me Serbinë, si një urë e sigurt për mbijetesën e tij politike».

HUMBJA E MEDIAVE
Mediat korrekte, hulumtuese do ta ngulnin gishtin në këtë luftë konkurrence kalamajsh ndër primatë dhe do të kursenin higjienën mentale të masave, ose «turmave« të Zogajt, nga urrejtjet e ndërsjella. Por jo!
Sa për Halil Matoshin dhe brigadën e tij e dimë se ata operojnë ashtu siç bëjnë ngase kombin e tyre duan ta bëjnë jo nga faktet eventualisht të qena (se për këtë duhet kapacitet intelektual dhe duhen institucione)  por «nation»-in e famshëm tentojnë ta prodhojnë mbi themele mllefi, mallkimi, mohimi të tjetrit/tjerëve. Për tjerët çka dimë? Pse këta tjerët u instrumentalizuan nga kjo lojë e nisur nga Petrit Selimi dhe e përfunduar nga Rama, Hashimi në një restorant të Prishtinës dhe bekuar nga Daçiçi me një konferencë shtypi?
Nga frika! Këta tjerët janë të bindur se Shqipëria mund t’i bëjë shumë dëme Kosovës nëse ajo lejon që qeveria shqiptare të flasë në emër të saj. Këtë frikë – siç është edhe natyra e vetë frikës – e manifestojnë me më shumë irracionalitet se sa që lejohet, sidomos rrjeteve sociale dhe rrallë dalin me ndonjë tekst të argumentuar. Donin këta, ky grup që ta shfrytëzojnë këtë ngatërrese primatësh ballkanik në konkurrencë që t’i lajnë «hesapet» me Shqipërinë, që ajo në të ardhmenmos sillet si ndonjë «magna mater»? Nëse është kjo arsyeja e mësyrjes, atëherë edhe këtu dështuan, ngase për nga disponimi i opinionit shihet që mediat dhe «kosovakombtaristët» e pësuan më keq se kurrë dhe nuk besojmë ta marrin veten për një kohë shumë të gjatë.
Dy figura u forcuan edhe më shumë: Edi Rama dhe Hashim Thaçi, që të dy të një kombi dhe bashkë. Edhe pas «zënkës kozmetike» të tyre- kështu sipas qëndrimeve të tyre të fundit!
Mediat dhe eksponentët e involvuar në kampanjën anti-Rama humbën ngase nuk ishin vetja. Ata nuk bënin pyetje duke shpresuar në përgjigje por akuzonin me fjalorin e instaluar nga vetë ata që e nxitën dhe mbyllën debatin në favor të tyre.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...