Nateditë akuzohen mediat për mungesë etike dhe profesionaliteti. S’dinë ata më mirë, apo problemi është diku tjetër? Masat i detyrojnë ata të sjellin vetëm lajme groteske, ngase ky është kushti për t’i konsumuar.
1.
Disa ditë më herët: në një gërmadhë çarkitektonike u gjet 93-vjeçja Qamile Poroshica para vdekjes, pa bukë, e sëmurë e braktisur nga të vetët. Ngjarja tronditi opinionin për mjerimin material dhe moral ku kanë rënë kategori të shoqërisë që nga pushteti e deri tek individët.
Dje edhe një lëkundje emocionale që shkaktoi mllefin e masave: ish folk-këngëtarja Shyhrete Behluli me një dasmë të shfrenuar, ku hidheshin qindra eurot gjokseve të kolegeve të saja si gjethe dushku, martoi të birin.
Në të njëjtën ditë një revistë që nuk druan as nga perversitetet antifamiljare ia bën portretin nënës së fyesit maratonik alias Gold AG, e cila paska qenë mësuese dhe media në fjalë s’ka shteg tjetër veçse të dorëzohet: «E neve nuk na mbetët vend për dyshime, pasi që Zonja Ilmije ka një djalë si Ariani». Portretin e përfol edhe media me mbi një milion lexues «GazetaExpress». Rrjeteve sociale nuk munguan fyerjet fatkeqe edhe ndaj nënës së pseudoreperit islamofanatik, e cila – kështu sugjerimi – pasi paska edukuar në këtë mënyrë fëmijën e vetë, si mësuese paska prodhuar zombi, masa mercenarësh që ecin pas ideologjive të huaja dhe fyejnë çdonjërin që u del përballë.
Po dje publicisti i mirënjohur Veton Surroi përdhoset ndaj gazetës «Blic» dhe fyen rëndë si tejmashtruese median tjetër «Express», duke u kërkuar profesionalitet mediave gjatë citimit të njërës nga intervistat e tij kronike mediave të veta. Edhe ndaj reagimit të Surroit nuk mungoi tarifa: Mediat nuk paskan gënjyer kur shkruajnë se Surroi dikur donte pjesëmarrjen e kosovarëve në zgjedhjet jugosllave, pasi që të fundit kishin shpallur republikën e tyre. Si ilustrim u sollën artikuj nga ish Rilindja ku autori vret e pret emigrantët pse demonstronin në perëndim për «Kosovën Republikë». Mediat poashtu nuk paskan dezinformuar kur implikojnë që Surroi të aludojë në gjykimin e Thaçit dhe UÇK-së, ngase këtë e kërkon edhe me veprat e tij pseudoletrare dhe tekstet e tij të panumërta që i vetëquan si «teoria politike» e «bullshit»-izmit. Dhe për fund si qerasje natyrisht akuza standarde: Veton Surroi qenka bërë milioner me subvencionet e dedikuara për zhvillimin e mediave të lira në Kosovë si dhe gjitha frustrimet i dalin nga dështimi në politikë, prandaj nuk paska kapital të na shes moral.
2.
Qëndrojnë këto për Vetonin? Nuk jemi gjykatës! Kjo minianalizë ka tjetër synim: ne duam ta lokalizojmë modelin e njeriut që mediat ia imponojnë opinionit dhe arsyet se pse pikërisht ky model ndez e aktivizon aq trandshëm interesin e masave, të cilat pastaj i përfolin këto «agorave» të tyre virtuale?
Me çfarë tipa njerëzish kemi të bëjmë? Me një plakë paravdekjes si pasojë e dështimit të shtetit dhe familjes; me një këngëtare epesh romantike që s’dinë kur t’i çojë paret dhe i hedh, i shkel ato me këmbë dasmave edhe pse i fiton duke kënduar ilahije bashkë me tipin e radhës; kemi të bëjmë me një nënë që ka dështuar në edukimin e të birit dhe të tjerëve, duke i sjellë shoqërisë një (plotë) zombi që fyen, akuzon, nxit dhe rekruton me pseudoartin e tij xhemat për imamët radikalë dhe për fund kemi të bëjmë me një që profesionalitetin dhe mediat e tij i përdor si pardesy për zbrazje mllefesh, teorish bullshitiste dhe akuzon tjerët për atë që bën vetë.
Pra modelet janë; viktima e skamjes dhe imoralitetit; përfituesja e skamjes dhe ekzekutorja e imoralitetit që hedh pare kur tjerët vdesin urie; perversin, amoralin e shthurur që përfiton nga skamja mendore e kategorive të caktuara të shoqërisë dhe kemi moralistin e gjithë këtyre që bën dhe shanë mediat që i pasqyron gjithë këta bashkë – pra edhe vetë atë!
Gjithë këta tipa janë të dështuar, me fajin e vetë apo të tjerëve.
3.
Ka vdekur ajo kohë kur mediat si kyreparim kishin «edukimin e masave me progresivitet». Ligjet e konsumizmit sot ia kanë ndryshuar drejtimin rrotës: mediat janë të detyruara të prodhojnë atë «bullshit» që kërkon tregu, që e kërkojmë ne. Mediumi i kërkesave janë reagimet e lexuesve, pra detektimi i interesimit të masave, bëhet nëpërmjet intensitetit të reaksionit të klientëve. E cili është reagimi ynë ndaj 95% të informatave që s’kanë të bëjnë me tipat e përshkruar lartë? Minus zero? Interesi i masave aktuale shqiptare është për tipat si Shyhretja, Cyanid AG, Vetoni dhe mjerisht edhe për viktimat si Nënë Qamilja, jo se duam t’i ndihmojmë porse na shërben për të zbrazur mllefin e akumuluar që mund ta shporrim vetëm kur është në pyetje Tjetri, Tjerët. E si i kemi hallet vetë?
Këto do të jenë arsyet e dështimit të këtyre tipave të shumtë, arsyet janë masat që i konsumojnë si «tipa ideal» për çka? Masa që po u hulumtuan e zënë vendin e parë në botë si populli me perceptimin dhe veprimet më groteske në botë!
Është kërkesa e masave për groteskën problemi kryesor e jo individët në fjalë. Pa interesimin e opinionit as ata vetë nuk do ta dinin kush janë dhe për çka janë, ngase do të kishin dështuar që në hapin e parë!