Vetë kërcënimi se pa ratifikim s’ka viza është kërcënimi më joliberal i mundshëm. Habia tjetër janë SHBA-të që sponsorizojnë një «Marrëveshje» të bërë me suspendimin e sipër të vlerave themelore të sistemit politik që ka vetë dhe që e donë Kosova, atë të demokracisë me shtet ligjor dhe institucione të pavarura!
I.
Debate të këtilla mbahen në fillim të proceseve e jo në fund. Prapëseprapë Kosova ec përpara. Ky debat e dëshmoi atë. Natyrisht se moderuesi me natyrën e tij la shumë për të dëshiruar. Përveç komisionit të Mehës, i cili zgërdhihej rend e pa vend të gjitha palët me një dinamikë teatralike, por me plotë fakte paraqitën versionet e tyre. Krerët dhe eksponentët e opozitës u sollën për tu admiruar. Poaq edhe ata të pozitës, që ishin pro apo kundër. Megjithatë, për masat, publikun, rol të madh luajtën banorët «autoktonë», dëshmitarët okularë, ata që sot madje e kanë bërë të lulëzojë një disiplinë të re shkencore (nga holokausti e këndej) me emrin Oral History.
Si e përjetova unë këtë «përmbyllje»? Përmbyllje ngase merrem me temën nga distanca më së shumë se një vit. Që nga viti i kaluar kur ndejta tri javë në Mal të Zi dhe shëtita edhe rajonet ku gjendet Kulla, Qafa e Çakorrit e fshatrat përreth e ku njerëzit vërtet (malazez e shqiptarë) flisnin sy dy nga anoret e asaj pjese: Asnjë malazez dhe asnjë shqiptar i atjeshëm nuk kishte dilemë se ku mbaron dhe ku fillon Kosova dhe anasjelltas. Aty pra ku thanë sot në debat vendasit e asaj ane.
Megjithëkëtë unë si joçakorras, jokullash dhe parasëgjithash si qenie e nënshtruar përherë objektivitetit duhej të studioj harta (sidomos malezeze), shkrime, studime, artikuj, polemika, kushtetatuta, literaturë jugosllave arkivave të ndryshëm e çkahmos që lidhej me këtë temë: jo nga frika se Kosova humbë ndonjë kullë a shkëmb ku me siguri nuk do të jetoja kurrë, por për të kuptuar konfliktin ndërmjet dy taborëve politike të Kosovës.
Të ndalemi tek debati, cila anë sot ishte më bindëse në sajë të asaj që ekspozoi? Pa dyshimin më të vogël, për nga sasia e fakteve dhe dëshmive bindës dolën kundërshtarët e «Demarkacionit» e zgërdhyeshëm e deri në neveri ana e sponsorizuar nga pushteti. Kjo sceneri rreth asaj se sa humb apo jo Kosova nga «demarkacioni», do të vazhdojë të mbetet kontest edhe po u korrigjuan linjat me ndonjë kompromis. Më shqetësuesja, dramatikja, fatalja që debati e solli «cullak» para nesh ishte sjellja e pushtetit të Kosovës me demosin dhe institucionet e demokracisë pluraliste. Ja çka paska ndodhur:
II.
Qeveria e djeshme dhe e sotme kanë nënshkruar një marrëveshje me Malin e Zi për Demarkacionin. Këtë e kanë bërë në stilin e atyre mbretërve të mesjetës, diktatorëve, autokratëve dhe teokratëve të sotëm që vetë vulosin e vetë nënshkruajnë jo për fatin e «turmave në nënshtrim» por edhe për qiellin, zotin, eterin. Pas nënshkrimit me këste bëhet kauza e njohur si çështje për ratifikim. Si çështje, pra që duhet ratifikuar edhe pse qeveria i ka vënë firmat. Kjo ndodhë vetëm në sistemet e listuara lartë, por jo në sistemet me demokraci pluraliste, me parlament dhe institucione ligjore e kompetente të një vendi. Sipas këtij procesi ratifikimi del se komedi për angazhimin e deputetëve të papunë. Në këtë rast edhe të padinjitet, ngase nuk i përfill kush, konsiderohen si aktantë infantilë, ashtu siç qenka konsideruar parlamenti, klub bjerrakohësish me rol dekorativostatik.
Kjo nuk duhej të ndodhë sepse është suspendim i demokracisë, i gjithë sistemit politik në favor të autokracisë. Kjo sjellje përmban penalitet që në vendet e perëndimit do të konsiderohej: tradhëti ndaj territorit dhe shtetit, jo se u fal diçka porse në çështje të këtij lloj nuk duhet të dështojë sistemi. Në Texas janë aq brutalë saqë menjëherë ta tregojnë injeksionin apo karrigen elektrike. Prandaj më habit qëndrimi i SHBA-ve në këtë drejtim. Ka qenë i ballafaquar ambasadori Delawie me këto argumentet e sotme (rreth sistemit operues të pushtetit sidomos) apo gjithçka është e lejuar në Banane Republika që japin jetën për viza? Me siguri nuk i ka ditur të gjitha. Dhe jam i bindur se do të rireflektojë ose do t’i ndodhë si njërit nga ata që dërgonin sms-diktues po të njëjtëve deputetë. Nuk besojmë të ketë ditur, ngase në këtë rast është bërë çkyçja e sistemit politik në favor të një mashtrimi kolosal, një keqpërdorimi të demokracisë dhe institucioneve në favor të një Marrëveshjeje nga e cila askush nuk fiton për fund. Pse?
III.
Debati i sotëm shpaloi shkeljen brutale të sistemit dhe demokracisë nga ana e pushtetit. Ratifikimi nuk është bërë, prandaj çdo thirrje për «tradhëti nacionale» është e pamaterializueshme. Kjo qeveri me këtë sjellje diskualifikoi veten në mënyrën më flagrante të mundshme dhe si e tillë duhet të korrigjohet, të mësojë, jo të dënohet: deputetët duhet ta refuzojnë «demarkacionin», jo për tu ngatërruar me malazezët korrektë (që janë sjellë më së miri me Kosovën), por për tua plotësuar betimin elektorateve të tyre, duke ua kthyer besimin në demokraci si sistemin më të përshtatshëm që ua garanton liritë dhe mbrojtjen e nevojshme edhe atëherë kur pushteti çoroditet.