Shqiptarët – të gjithë – dëshmuan se në lumturi dhe fuqi pushtojnë botën për të mirë. Këtë mesazh duhet sidomos politika ta lexojë mirë, drejt dhe përfundimisht. Kjo përforcon edhe atë tezën që thotë se shqiptarët edhe për shkak të zemërgjerësisë nuk kanë mundur të jenë pushtues.
JASHTË – Policët francezë bënin shqiponjën. Mediat kryesore për do çaste harruan gjitha tmerret e botës dhe mbushën ballinat me tituj si: “I bekuar qofsh shqiptar”, “Je i mirëseardhur gjithmonë”, e të natyrës. UEFA e shoqëruar me komentet e legjendave të futbollit botëror shndërroi Xhakën në ikonë, makinë. Shumica e komentatorëve jashtë Zvicrës veç sa nuk thanë «Kombëtarja e dytë shqiptare», kjo ngase ekipin helvetikas e bëjnë ky që është po ashtu pesë shqiptarët në të.
Tifozët e bukura shqiptare detyruan gati çdo media të madhe botërore t’ua kushtojë një galeri me fotografi. Tifozët shqiptarë, që nga mediat e pazëshme të Eritresë e deri tek ato që sundojnë botën me lajmet e tyre, u shpallën heronjtë e tifozërisë së kulturuar. Shumica e këtyre mediave përdorën shqiptarët si shembull për t’i qortuar vandalët rusë, anglezë e gjithandej.
Shqiptarët mahnitën botën!
Por edhe veten!
BRENDA – Disa ditë pas pranimit të Kosovës si vend, si shtet, në UEFA dhe FIFA, shqiptarët e të gjitha viseve, e veçanërisht kosovarët, ishin më të “elektrizuarit” me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Kampionatin Europian.
Si shpjegohet kjo?
Jo vetëm nga diaspora iu vërsulën Francës shqiptarë me origjinë nga të gjitha viset e hartës etno-kulturore ku jetojnë shqiptarë, por plot edhe nga Kosova; në stadium përveç prominencës nga Shqipëria edhe më në numër ndoshta ishin ata nga Kosova; kryetarë partish, qytetesh, drejtorë mediash nga më të rëndësishmet e të llojit. E bënë këtë vetëm për sport, pa asnjë prapavijë tjetër?
Më shumë në zjarr e eufori ishin mediat jashtë shtetit shqiptar se ato brenda. Rrjetet sociale vlonin nga një gëzim i papërjetuar ndonjëherë: Gjithë për Shqipërinë!
“Ky është profili i shqiptarit të lumtur”, na shkruajti Baton Haxhiu nga Franca.
Po i shqiptarit të lumtur. Po nga gjithë kjo lumturi – vetëm se më në fund ia dolën të luajnë futboll në Europian?
Jo.
U duk sikur të ishte kurora e një lumturie që ka nisur të akumulohet ndoshta që me bombën e parë të NATO-s, nëpër pavarësime e shpërtheu duke shkaktuar: «Një dimension krejtësisht të ri psikologjik dinjiteti ndër shqiptarë», kështu duke cituar edhe njëherë veteranin e gazetarisë së lirë shqiptare, Baton Haxhiun, i cili mesazhin e tij e përfundonte me konstatimin:
“Pas kësaj, shqiptarët nuk do të jenë më ata të djeshmit”.
PËRTEJ – Interesant në këtë fazë lumturie shqiptare është fakti se dasma nuk u shndërrua në ultranacionalizëm siç ndodh zakonisht e gjithandej. Nuk u shkruajt aty për aty ndonjë “Theodizee” a la Leibniz, duke na shurdhuar shqiptarët të jenë pjesëtarë të “Kombit më të mirë të mundshëm”, që pastaj të na tall ndonjë “Candide” volterian për vdekje. As ligjërata si ajo qesharakja e Antoine de Rivarol për të na shpallur «Shqipen, apo ndonjë dialekt të saj, gjuhë hyjnore” nuk pati.
Çka pamë ishin shqiptarët temë e botës si më të mirët të mundshmit gjatë evenimenteve kontinentalo-globale në sport. Dhe kjo mirënjohje vërtet shkaktoi tërmet ndër shqiptarët pa dallim rajoni, shteti, politike, ideologjie e religjioni.
Megjithatë skeptikët, pesimistët dhe ideologët e fiksimeve të veta që gabimisht i konsiderojnë teori, mezi pritën të mbarojë ndeshja për të dalë të lodhur ekraneve: S’jemi të të njëjtit komb me ata të kombëtares së Shqipërisë, kështu nga frika, nga tmerri që e përjetuan nga vota publike e masave, nga slogani më i shpeshtë i atyre ditëve rrjeteve sociale që thoshte: “Dy shtete, një komb – Jemi Një!». Dhe ky slogan nuk u përhap rrufeshëm nga Shqipëria, por nga Kosova dhe viset tjera. U bashkua Shqipëria me Kosovën, apo çka?
Jo.
Ishte mesazhi më i fortë, më i qartë se çdo plebishit tjetër e që thoshte: Teori lartë poshtë, ne jemi një. Shqiptarët janë në nivelin e duhur për të pasur shtete qytetarësh të barabartë – pavarësisht nga origjina, feja e kultura – por si komb e konsiderojnë veten një dhe vëllezër me ata të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Luginës e gjithandej. Kjo nuk është mëkat, por mirë. Pse t’i tjetërsojmë? Se paska thënë Benedict Anderson apo Brubaker?
Të papjekur mbeten ata që besojnë se “kombi” është domsdoshmërisht i lidhur me policinë, parlamentin, pra shtetin, dhe pa to nuk bën, prandaj edhe i kanë fiksuar në tru teoritë e tyre e nuk duan të shohin se çka ndodh tek ata që në fund janë fuqia që do të vendosin se si duan të jenë.
Me siguri jo si dy a tre të fiksuar në pseudotezat e tyre.
NË ESENCË – Shqiptarët – të gjithë – dëshmuan se në lumturi dhe fuqi pushtojnë botën për të mirë. Këtë mesazh duhet sidomos politika ta lexojë mirë, drejt dhe përfundimisht.
Kjo përforcon edhe atë tezën që thotë se shqiptarët edhe për shkak të zemërgjerësisë nuk kanë mundur të jenë pushtues.
Sa më shumë drejtësi që t’iu ofrohet aq më shumë u japin kombëtareve, botës.
Sa më shumë të dëgjohen nga elitat e tyre aq më shpejt do të zgjidhin çdo problem.
Sidoqoftë, edhe njëherë: Shqiptari i lumtur qenka qiriri i botës!
Dhe nëse Baton Haxhiu ka të drejtë që thotë se nga tash do të jetë ndryshe, atëherë kështu qoftë!