Maqedonia mund të ndodhë kudo, e veçanërisht në shtetet shqiptare ku gjithçka ekziston në modusin e paradetonimit.
I.
Parafytyroni ato ndërtesat e mëdha që shërbejnë si magazina. Zakonisht ato përbëhen vetëm nga muret holla e të ngulitura lehtë në dhé. Aty këtu ndonjë shtyllë e hollë, të cilat po si ata ushtarët e bërë skelet nga uria dhe betejat, sigurojnë çatinë. Funksioni dhe misioni i tyre kërkon që të jenë të boshatisura, të ofrojnë gjithë hapësirën e brendshme për deponim mallrash, plehrash, bari e çka të duash. Në fazën e dytë le të imagjinojmë se ndërmarrja që ka në pronë magazinat tregton apo kontrabandon me gaz. Në rafte po aq të improvizuara sa muret, të rreshtuar si armata «Terrakotta» në Mauzoleun e Shǐhuángdìt, presin fuçitë mbartjen, zëvendësimin, zbrazjen, rimbushjen, përherë të kërcënuara nga armiqtë e shumtë të jashtëm a të brendshëm: mjafton të kolidojnë dy elemente përbërëse të saj (ato duhet të jenë gjithmonë në distancë dhe lëvizje duke plotësuar në mënyrë të barabartë hapësirën) për t’i bërë tokë e eter flakë; një defekt sado i vogël elektrik çon në detonim; oksigjeni ngucakeq mjafton ta gjejë një vrimë për t’i bërë shkrumb e hi; as mos të flasim për diellin e për dorën e dehur dhe të korruptuar të faktorit njeri!
Pse na pushton imagjinatën «jeta dhe vdekja» e një magazine gazi, kur duam të flasim për sistemet e deleguara politike nga jashtë? Sa herë që analistët e botës të flasin për transicionin në shoqëritë e juglindjes së kontinentit se ç’vizatojnë lloj-lloj skenarësh horror e aspak vizione e shpjegime se pse ato shoqëri qenkan magazinë e jo kulla me murre të trasha, familje të mëdha e dinamike, plotë jetë e gjallëri? Ndoshta për arsye se flasin për transicionin, sistemet politike e jo për popujt, kulturat në «Ballkanin» fatkeq sot e në histori.
II.
Ose le të pyesim për të konkretizuar në këtë mënyrë:
Çka do të «rastiste» nëse BE dhe Gjermania do të hiqnin dorë për t’i ndihmuar Greqisë?
Si do të përfundojë puna në Maqedoni?
Është e vërtetë se fati i Maqedonisë është modeli se ç’do të ndodhë një ditë edhe në Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri e deri në Turqi?
Do të ndodhë Maqedonia gjithandej ngase dështoi transicioni, instalimi i demokracisë apo se nacionalizmi dhe etnokracia i hëngrën kokën idesë së lirisë – siç thonë shumica absolute e akademikëve këndej e përtej atlantikut?
Jo, aspak!
Pse? Të ofrojmë faktet para se të bëjmë teori, duke u vërdallë për ca momente Maqedonisë!
III.
Pas luftërave ish-jugosllave kozmopolitët, multikultistët po edhe patriotët lanë anash ateizmin, sekularizmin duke konstatuar kokëtundshëm: «Dora e Zotit është mbi Maqedoni». Dhe atë jo që nga vitet e 90-ta, por ai, Zoti paska bërë dorën çadër mbi atë sferë që nga koha kur atë e imagjinuan dhe e bënë staollovajave të Moskës për tre katër vite Tito, Dimtrovi dhe xha Stalini. Si shumica e shteteve të Gadishullit edhe ky shtet synonte Bashkësinë Evropiane – me motive zhvatjeje apo idealesh nuk ka rëndësi. Gjithçka për fund del interes ekzistence dhe asgjë për të prodhuar dashuri. Edhe Kozmosi që moti është bërë Njeri!
Ndodhi tranzicioni, kalimi nga një sistem politik në tjetrin: u krijuan plotë parti që garojnë pandërprerë sot e 25 vite për pushtet. U bë një kushtetutë konform kërkesave ndërkombëtare. U sajuan ligje e reforma që nuk dallojnë për asgjë nga ato të vendeve që tashmë janë futë me dekada në BE.
U çuan shqiptarët dhe gjuajtën me pushkë e bomba dhe u bë Marrëveshja e Ohrit. Greqia e bllokoi vendin për shkak të emrit. Gruveski në emër të nacionalizmit ekstrem shndërroi vendin në «Miniterrakotta»; gjithandej statuja kufomash historike pa asnjë lidhje me ideologjinë që i ndërtonte. Histeria perëndimore konform teorive: «Nacionalizmi do t’ia gijotinojë kryen shtetit». Po, jo? Edhe tjerët i la t’i bëjnë statujat e tyre. Njëjtë. Shqiptarët e jashtëm dhe të brendshëm kanë qenë gjithmonë më të vyeshmit e këtij vendi. Asnjëherë nuk e kanë rrezikuar. As atëherë kur janë kërcënuar të digjen me lopë, njerëz e shtëpi. Përkundrazi ata e shpëtojnë vazhdimisht. Naiviteti dhe impotenca politike i bëhen edhe atëherë mburojë kur shteti donë të varroset, dora vetë. Si tash. E gjithë Europa është çuar peshë që ta shpëtojë e ai, shteti me «dorën e Zotit mbi kryen» bosh veçse nuk bën suicid se nuk i durohet më. Ndodhë kjo nga nacionalizmi i Gruevskit apo se dështoi transicioni? Siç thamë, jo!
IV.
Kur profesori argjentinas i studimeve ndërkombëtare në Universitetin «Notre Dame», Guillermo O’Donnell (1936 – 2011) qysh në fund të 80-ve kundërshtonte politikat evropiane duke thënë se «Tranzicioni pa transformim është vetëm teknik dhe s’ka asgjë të bëjë me idenë e lirisë dhe barazisë përkundrazi pa këto transicioni do të kapet nga ideologji e dukuri tjera aq lehtë sa gjitha sistemet tjera», askush nuk ia varte. Shumica absolute kishin në fokus nacionalizmat dhe izmat e tjerë të kategorisë. Hajdutët e zgjuar në vendet e transicionit bashkëluanin me këtë, duke u sjellë vërtet si «nacionalistë» ose «duke e luftuar atë», por jo ngase vërtetë janë të tillë, porse doktrina të tilla si nacionalizimi, religjionet u shërbejnë më së miri për të maskuar se me çka në të vërtetë sigurojnë pushtetin: me korruptim kapitali e strukturash! Prandaj jo lufta shqiptare – as minimal madje – apo diçka që do të përputhej me teoritë e kontekstit sollën të gjitha partitë, shtetin dhe ndërhyrjen ndërkombëtare në Maqedoni, por faktet (jo gojëdhënat) që dëshmuan se gjithçka është e korruptuar: pushteti, opozita, etno-opozitat dhe pjesë të mëdha të shoqërisë dhe në fund, si në çdo mafi, secili grup i interesit donë sa më tepër për vete dhe kriza, shpërbërja, lufta është e paevitueshme.
V.
Unionet si BE e të tjera dolën total të pafuqishme për të ofruar përmbajtjen e nevojshme për magazinat. Tjerët vënë e heqin fuçitë nga raftet kur të duan dhe kë të duan. Kjo është përmbajtja e vetme që siguron dominimin faktik për nga aspekti politik, përmbajtjesor, BE ofron vetëm raftet dhe muret – transicioni si skeleti i ndërtesës. O’Donnell kërkonte që implementimi formal i sistemeve politike, demokracisë pluraliste të jetë faza më e shkurtër e projektit. Ajo që sipas tij duhet të ndodhte që nga fillimi ishte investimi direkt në bazat e këtyre shoqërive (arsim, ekonomi, infrastrukturë) për të operuar pastaj sa më shpejtë me përmbajtjen ekzistente si të vetmen instancë delegimi të pushtetit, pra nga njëra anë duke instruktuar me sistemin e ri dhe nga ana tjetër duke mos lejuar që politika të mbetet në duar të atyre madje edhe të dëshmuar si afinë për korrupsion. Ai kërkonte më mirë përzierje direkte – dhe atë jo vetëm kur të eskalojë siç bën BE aktualisht – edhe në përmbajtje se sa vetëm të delegosh të lidhurit me jashtë e përmbajtjen ta ndikojnë nga jashtë ata që mendojnë se ekspansionet e tyre mund t’i finalizojnë duke shpërdorur shoqëritë si magazinat e gazit. Akademiku argjentinas kishte të drejtë, sidomos për vendet e Gadishullit. Europa politike ka dështuar në analizë dhe veprim të saj. Ose e ka ditur por s’ia mban dhe për këtë ka luftuar kundër dukurive inekzistente, të inskenuara për të fshehur pafuqinë e saj: Teza na bëhet ligj kur shohim se Hungaria me racizëm rrinë në BE dhe Serbia me nacionalizëm dhe shovinizëm gjendet më afër Unionit se çdo tjetër brenda bllokut në transicion dhe është më së paku e rrezikuara që të vijë në gjendjen e Maqedonisë sot?
VI.
Kjo që ndodhë në Maqedoni pra mund të ndodhë në Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri dhe në të gjitha vendet që jetojnë si në magazinën e fuçive të gazit. Është në natyrën e shoqërive të korruptuara që të mos jenë afatgjate, kjo për shkak se «proletariati» është gjithmonë shumica dhe mezi pret shkakun, arsyen të bëj pushtetet shkrumb e hi e shpesh edhe të vetëdigjet – kështu llafos historia! Korrupsioni (jo vetëm material) është bllokuesi kryesor i realizimit të lirisë, zhvillimit dhe barazisë në çdo shoqëri. Minimum shteti duhet të jetë i çliruar prej tij ose le të nis ta hap varrin e vetë – si Maqedonia!